Mbrëmja poetike e organizuar nga Poetja Laureate Rita Petro dhe QKLL, “Dashuria në vargje”, mbushi Qendrën Rinore Agimi me vargje, muzikë dhe ndjenja, duke krijuar një përvojë artistike ku publiku gjeti pak nga vetja. Për ju që nuk mund të ishit, rrëfimi do t’ju çojë në bukurinë e asaj nate.
Në mbrëmjen e së premtes, më 13 shkurt, në vigjilje të Shën Valentinit, Tirana dukej sikur “merrte frymë” ndryshe…
Mbrëmja poetike “Dashuria në vargje”, organizuar nga Rita Petro, në cilësinë e saj si Poete Laureate (2025–2027), në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, një takim letrar i menduar si një udhëtim nëpër vargje klasike dhe moderne, nga poetë shqiptarë e botërorë të përkthyer në shqip, si dhe nëpër lirikën erotike popullore, ku fjala artistike do të ishte jo vetëm e lexuar, por e ndjerë dhe e përjetuar bashkë.
Hapja u shënua nga një performancë muzikore, përpara se dy zërat e moderatorëve, Tobias Xhaxhiu dhe Erisa Lipoveci, të recitonin poezinë “Për dashurinë” të Rita Petros, duke e vendosur që në fillim mbrëmjen në një ton sa emocional aq edhe reflektues.
Tobias, si autor dhe dramaturg, theksoi kënaqësinë për të qenë pjesë e një mbrëmjeje kushtuar vargjeve të dashurisë, ndërsa Erisa, nga këndvështrimi i psikologes, ndau bindjen se shpesh nuk ka terapi më të mirë se arti dhe dashuria për të nxjerrë në pah më të mirën nga njeriu, duke i hapur më pas rrugën ngjitjes në skenë të Poetes Laureate, Rita Petro, e cila e nisi fjalën e saj duke kujtuar se kjo mbrëmje u frymëzua nga festa e Shën Valentinit, por mbi të gjitha nga poezia e dashurisë, ndjenjë për të cilën kanë shkruar Lasgushi, Kadare, Agolli, Shkreli, Camaj, Reshpja, Tufa, dhe poetë të shumtë bashkëkohorë, duke nënvizuar se ky ishte aktiviteti i saj i parë në këtë rol dhe pjesë e një vazhde veprimtarish që do të pasojnë.
“Ju përshëndes të gjithëve dhe ju falënderoj që na u bashkuat për të ndarë së bashku vargje dashurie, vargje të mrekullueshme nga lirika popullore, nga poetë shqiptarë të traditës dhe bashkëkohorë, si Lasgush Poradeci, Martin Camaj, Ismail Kadare, Azem Shkreli, Frederik Rreshpja, Dritëro Agolli, Agron Tufa, nga poetë botërorë duke filluar nga lirikja më e madhe e të gjitha kohërave Safo e deri te poetët e sotëm. Është aktiviteti im i parë si Poete Laureate e shpallur nga Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit, që e falënderoj dhe për bashkëpunimin për këtë aktivitet. Të tjera veprimtari do të zhvillohen që lidhen me Poezinë për ta sjellë sa më pranë mjediseve me lexues të rinj dhe të çdo moshe. Se poezia na e ngroh shpirtin, se poezia na e çliron mendjen”. – tha në hapje të këtij aktiviteti Poetja Laureate, Rita Petro.
Në fillim, në “stolin” poetik u ftua Mimoza Ahmeti, poetja që solli kthesën në poezinë shqipe në prag të demokracisë. Ajo është fituese e çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, autore e shumë librave në poezi e prozë dhe një figurë publike e dashur. Në fjalën e saj, pranoi se mes angazhimeve intensive nuk është gjithmonë e lehtë të gjesh kohë për të ndarë vëmendje dhe dashuri për poezinë, por e quajti këtë mbrëmje një arsye të fortë për të qenë e pranishme.
Pas leximit të parë që hapi këtë udhëtim shpirtëror, Sokol Çunga u ftua në skenë si një prej figurave që e ka jetuar fjalën jo vetëm duke e shkruar, por edhe duke e shndërruar nga një gjuhë në tjetrën pa ia humbur shpirtin. Çunga iu përgjigj pyetjes së moderatorëve mbi premtimin e pambajtur në dashuri me një sentencë që u prit me miratim: “Kush ka etje, i merr premtimet, i mban premtimet dhe shkon te burimi, nëse në të vërtetë ka etje.
Ai falënderoi Rita Petron për ftesën dhe theksoi veçantinë e kësaj nate, ku për herë të parë lexonte jo poezitë e tij, por ato të autorëve që kishte përkthyer në një aktivitet të organizuar ndonjëherë nga një Poete Laureate. Më pas solli vargje nga botimi kushtuar Sapho-s, duke rikthyer në shqip jehonën e një lirike të lashtë, por përjetësisht moderne.
Ajo hapi leximin me poezinë “Vate prilli” të Lasgush Poradecit, për të vijuar më pas me krijimin e saj “Dashuri pirate”.
Baçi lexoi poezinë “Ne do të flemë bashkë” të Louis Aragon, në përkthimin e Luan Rama, si dhe poezinë e tij “A mund të të mbaj përgjithmonë”.

Moderatorja Erisa Lipoveci kujtoi për publikun se Nikçi njihet edhe për pasionin e saj në mbledhjen dhe studimin e folklorit, ndërsa vargjet që sapo ishin dëgjuar ishin shkëputur nga libri i saj “Kangë popullore” erotike, një dëshmi se dashuria, në trajtën popullore, mbetet po aq e fuqishme dhe e gjallë sa në poezinë moderne.
Në skenë u ftua më pas Edon Qesari, studiues i Historisë Politike dhe Sociale, figurë publike e dallueshme për komunikimin e drejtpërdrejtë dhe shpesh polemik, si dhe përkthyes i disa librave në prozë dhe poezi. Pyetjes nëse do të preferonte një dashuri që “të lexon mendjen” apo një dashuri që të lë në mister, Qesari iu përgjigj se nuk do të dëshironte kurrë një dashuri të parashikueshme dhe se misteri është pikërisht ajo që e mban gjallë ndjenjën.
Pas falënderimit për ftesën, ai solli për publikun poezinë “Kujtim” të Eugenio Montale, më pas një poezi të Robert Desnos nga cikli “Vjersha për të panjohurën” dhe, në fund, një poezi të Cristina Campo, duke krijuar një hark poetik që kalonte nga Italia në Francë e rikthehej sërish në ndjeshmërinë intime.
Para leximit, Mejdani falënderoi Ritën për ftesën, për idenë dhe frymëzimin, duke theksuar se dashuria që ajo mbart është gjendje e natyrshme e poezisë së saj. Ajo lexoi një poezi nga libri që po përgatit për botim, “Të dashurosh një grua”, si dhe një poezi të poetit grek Yiannis Ritsos.
Ai ndau edhe bindjen se dashuria është forma më e pastër e pranisë së Zotit në jetën tonë. Leximi i tij përfshiu poezinë “Kangë rruge” të Azem Shkreli, si dhe një poezi të tijën në gegërisht, që u prit me vëmendje dhe ndjeshmëri nga publiku.

Rrjedha poetike e mbrëmjes u thellua kur Tobias Xhaxhiu ftoi në skenë Denata Rroji, poete dhe gazetare, autore e mbi 60 shkrimeve, drejtuese e platformës online GEGNISHT dhe presidente e Festivalit Letrar GEGNISHT në Shkodër. Pyetjes nëse dashuria ndihmohet më shumë nga intuita apo arsyeja, ajo iu përgjigj me një pohim poetik: “Për mua dashuria është mungesë, sepse nëse e ke aty, nuk është më dashuri”.
Rroji falënderoi Ritën për ftesën, e krahasoi mbrëmjen me një simpozium. Ajo lexoi poezi nga Martin Camaj, të përzgjedhura rreth temës së mungesës në dashuri, dhe i dhuroi Poetes Laureate një surprizë të veçantë: recitimin e një poezie të Ritës, të kthyer prej saj në gegnisht, shkëputur nga botimi “Poema e mungesës”.

Alushi interpretoi poezinë “Kur dashuroheshin në kohën tonë” të Dritëro Agollit dhe poezinë e saj “Deti”, duke i dhënë mbrëmjes një dimension emocional dhe vizual të fortë.

Mbyllja e aktivitetit iu rikthye Rita Petros, mes tingujve të butë të pianos, verës së ndarë mes miqsh, kitarave dhe bisedave të qeta që vazhduan edhe pas përfundimit zyrtar të programit.






