Historiani dhe politikani kroat, një ndër themeluesit e Albanologjisë, Milan Šufflay, mbetet një nga figurat më të shquara evropiane që ia kushtoi jetën studimit të historisë dhe kulturës shqiptare.
Ai lindi më 9 nëntor 1879 në Lepogllavë të Kroacisë. Që në fillimet e karrierës së tij shkencore, Šufflay shfaqi interes të veçantë për historinë e shqiptarëve. Duke hulumtuar në arkivat e Dalmacisë për “Codex diplomaticus” të Tadija Smiçiklasit, ai zbuloi dokumente të rëndësishme dhe të pabotuara që i përkisnin mesjetës shqiptare. Në atë kohë, kjo periudhë ishte pothuajse e pahulumtuar, çka e shtyu studiuesin e ri t’i përkushtohej me pasion kërkimeve mbi botën arbërore – një mision që do ta shoqëronte gjatë gjithë jetës.
Šufflay konsiderohet ndër themeluesit e Albanologjisë moderne. Ai botoi një sërë veprash të rëndësishme mbi historinë shqiptare, ku trajtoi me baza objektive dhe referenca dokumentare figura madhore si Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ndër librat e tij më të njohur janë: “Kufijtë e Shqipërisë në Mesjetë”, “Shqipëria Mesjetare”, “Biologjia e Fiseve të Popullit Shqiptar” etj.
Përveç veprimtarisë shkencore, ai ishte edhe autor letrar. Šufflay shkroi romanin “Kostandin Balsha”, një nga romanet e para historike me tematikë shqiptare, si dhe njihet si autor i romanit të parë fantashkencor në letërsinë kroate.
Interesimi dhe angazhimi i tij në mbrojtje të çështjes shqiptare u bënë arsye e përndjekjes nga autoritetet e Mbretërisë Jugosllave. Më 19 shkurt 1931, Milan Šufflay u vra në pragun e shtëpisë së tij në Zagreb. Vrasja e tij shkaktoi jehonë të madhe ndërkombëtare.
Ngjarja u pasqyrua dhe u dënua nga media prestigjioze si “Tribuna” (Romë), Berliner Tageblatt, The New York Times, Frankfurter Zeitung, si dhe nga shtypi shqiptar “Arbënia” dhe “Vullneti i Popullit” (Tiranë).
Me një memorandum të veçantë reaguan edhe personalitete të shquara të shkencës dhe letrave botërore, mes tyre Albert Einstein dhe Heinrich Mann, si dhe organizata ndërkombëtare si “Ligue Internationale des Droits des L’Homme” dhe “Federation Universitaire Internationale”.
Figura e Milan Šufflay mbetet simbol i përkushtimit shkencor, i miqësisë shqiptaro-kroate dhe i sakrificës në mbrojtje të së vërtetës historike.



