“Letërsia ishte ajo që më çoi drejt lirisë, dhe jo liria drejt letërsisë. Unë nuk e njihja lirinë kur fillova të shkruaj. Liria ime ishte letërsia”, pohonte Ismail Kadare në vjeshtën e vitit 1990. Këto fjalë pasqyrojnë rrugëtimin e shkrimtarit të madh shqiptar, i cili jo vetëm formoi një gjuhë të veçantë letrare, por u bë edhe një zë universal i kulturës shqiptare.
Në nder të 90-vjetorit të lindjes së tij, Instituti i Francës në Paris organizoi një mbrëmje të jashtëzakonshme kushtuar kujtimit dhe veprës së Kadaresë. Ngjarja u realizua në bashkëpunim me Ambasada e Shqipërisë në Francë, Akademinë e Shkencave Morale dhe Politike dhe Akademinë Franceze, nën kujdesin e sekretarëve të përhershëm të tyre, dhe në prani të vajzave të shkrimtarit, Gresa dhe Besiana, si dhe të gjithë familjes.
Pjesëmarrës ishin akademikë, personalitete të kulturës dhe arteve, përfaqësues të lartë të shtetit francez, trupit diplomatik, organizatave ndërkombëtare, miq dhe dashamirës të veprës së Kadaresë. Ndër ta spikasin artistë si koreografi Angjelin Preljocaj, anëtar i Akademisë së Arteve të Bukura të Francës, dhe violinisti i njohur Tedi Papavrami, që gjithashtu ka përkthyer disa nga veprat e shkrimtarit.
Ngjarja nënvizoi rolin e Francës si vend mirënjohjeje, dialogu dhe lirie për shkrimtarin, duke bërë një homazh të fuqishëm jo vetëm Kadarese, por edhe Shqipërisë, kulturës dhe aspiratave evropiane të saj.
Presidenti i Republikës Franceze, Emmanuel Macron, i drejtohej Kadaresë në tetor 2023 gjatë ceremonisë së ngritjes në dinjitetin e Oficerit të Madh të Legjionit të Nderit, duke thënë:
“Të jetosh do të thotë të luftosh, thoshte Seneka. Ju e keni shtrirë më tej këtë sentencë: të shkruash do të thotë të luftosh.”
Me këtë ngjarje, trashëgimia e Kadaresë u rikujtua dhe u festua si një urë mes kulturës shqiptare dhe botës, duke vërtetuar se letërsia e tij nuk njeh kufij.



