Nga Yllka Lezo
Komisioni Europian prezantoi më 29 janar Strategjinë e parë Europiane për Menaxhimin e Azilit dhe Migracionit, një dokument kyç që përcakton drejtimin e politikave të Bashkimit Europian në këtë fushë për pesë vitet e ardhshme. Strategjia synon ndërtimin e një kuadri të përbashkët europian që është njëkohësisht i drejtë dhe i vendosur, duke menaxhuar migracionin në bashkëpunim të ngushtë me vendet partnere dhe duke ruajtur vlerat themelore të BE-së.
Dokumenti përcakton tre objektiva kryesore: parandalimin e migracionit të paligjshëm dhe goditjen e rrjeteve kriminale të kontrabandës së emigrantëve; mbrojtjen e personave që largohen nga lufta dhe përndjekja, duke frenuar abuzimet me sistemin e azilit; si dhe tërheqjen e talenteve për të rritur konkurrueshmërinë e ekonomisë europiane.
Strategjia bazohet në pesë prioritete kryesore:
1. Vendet jo BE, nga “partnerë” në roje të jashtme të kufijve europianë
Një nga shtyllat kryesore të strategjisë është forcimi i ashtuquajturës “diplomaci e migracionit”. Në praktikë, kjo nënkupton që vendet jo BE – veçanërisht ato të Ballkanit Perëndimor, Afrikës Veriore dhe Lindjes së Mesme – do të kenë rol gjithnjë e më aktiv në ndalimin e migracionit drejt Europës.
BE synon t’i përfshijë këto vende në menaxhimin e flukseve migratore përmes marrëveshjeve gjithëpërfshirëse, që lidhen jo vetëm me migracionin, por edhe me vizat, tregtinë dhe ndihmën financiare. Për vendet jo anëtare, kjo përkthehet në një presion të shtuar për të kontrolluar kufijtë, për të frenuar kalimet e paligjshme dhe për të bashkëpunuar në kthimin e emigrantëve.
2. Kthimet dhe ripranimet: barra kryesore bie mbi vendet e origjinës
Strategjia vendos theks të fortë te kthimet, një nga pikat më të ndjeshme për vendet jo BE. Me vetëm rreth 25% të urdhrave të dëbimit që zbatohen aktualisht, BE synon ta rrisë ndjeshëm këtë përqindje duke ushtruar më shumë presion mbi vendet e origjinës për të pranuar shtetasit e tyre.
Për vende si Shqipëria, Kosova, Tunizia apo Maroku, kjo do të thotë: më shumë kërkesa për ripranim; procedura më të shpejta dhe më pak hapësirë për negocim; lidhje të drejtpërdrejtë mes bashkëpunimit në kthime dhe përfitimeve si lehtësimi i vizave apo fondet europiane. Në rast mosbashkëpunimi, BE paralajmëron përdorimin e “levave” politike dhe ekonomike.
3. Mbrojtje më afër vendit të origjinës: azili zhvendoset jashtë BE-së
Një element kritik i strategjisë është promovimi i mbrojtjes “më afër vendeve të origjinës”. Kjo nënkupton që gjithnjë e më shumë procedura azili, strehimi dhe përzgjedhjeje të refugjatëve të zhvendosen jashtë territorit të BE-së.
Për vendet jo anëtare, kjo mund të sjellë: ngritjen e qendrave pritëse ose strukturave të përkohshme; rritje të barrës sociale dhe administrative; varësi më të madhe nga fondet europiane për menaxhimin e këtyre flukseve. Edhe pse BE e paraqet këtë si mbështetje humanitare, kritikët paralajmërojnë për rrezikun e “outsourcing”-ut të azilit europian.
4. Talentet po, emigracioni i pakualifikuar jo
Strategjia hap dyer për emigracionin e kualifikuar, ndërsa i mbyll gjithnjë e më shumë për emigracionin e pakualifikuar. Për vendet jo BE kjo krijon një efekt të dyfishtë: nga njëra anë, profesionistët e rinj dhe të kualifikuar do të kenë më shumë mundësi për të emigruar ligjërisht; nga ana tjetër, vendet e origjinës rrezikojnë përshpejtimin e “ikjes së trurit”, duke humbur burime njerëzore kyçe. Pa politika kompensuese, kjo pritet të thellojë pabarazitë zhvillimore mes BE-së dhe vendeve partnere.
5. Fondet: mbështetje apo mekanizëm presioni?
Me një fond të propozuar prej të paktën 81 miliardë eurosh për periudhën 2028–2034, BE premton mbështetje të konsiderueshme financiare. Megjithatë, për vendet jo anëtare, këto fonde nuk janë të pakushtëzuara. Ato do të lidhen drejtpërdrejt me: nivelin e bashkëpunimit në migracion; zbatimin e marrëveshjeve të ripranimit; kontrollin e kufijve dhe luftën kundër trafikimit. Në këtë kuptim, fondet shndërrohen në një instrument politik për të orientuar politikat e vendeve partnere sipas interesave të BE-së.



