Filmi i regjisorit kosovar Visar Morina, “Shame and Money (Shaban dhe Hatixhe)”, shfaqi premierën e tij botërore në Sundance Film Festival, duke tërhequr vëmendjen e publikut dhe kritikëve ndërkombëtarë. Shfaqja u prit me duartrokitje të gjata dhe reagime pozitive, duke vendosur titullin si një nga më të diskutuarit e këtij edicioni.
Sipas The Film Verdict, filmi është një “dramë e fuqishme dhe observuese, që reflekton mbi dinjitetin njerëzor nën presionet e kapitalizmit të egër”, ndërsa Next Best Picture e përshkroi si “një analizë emocionale të shkatërrimit të shpirtit njerëzor nën peshën e presionit ekonomik”. Kritikat e tjera kanë vlerësuar regjinë e përmbajtur, realizmin social dhe performancat e forta të aktorëve.
Në rolet kryesore interpretojnë: Astrit Kabashi, Flonja Kodheli, Kumrije Hoxha, Fiona Gllavica, Alban Ukaj, Aria Shala, Riga Morina, Melika Gashi, Selman Lokaj, Teuta Hajdini, Abdinaser Beka, Rebeka Qena, Tristan Halilaj, Basri Lushtaku, Rafet Abazi, Besnik Krapi dhe Eshref Durmishi.
Filmi rrëfen historinë e një familjeje kosovare që, pas humbjes së të dashurve në fshat, detyrohet të zhvendoset në Prishtinë, në kërkim të një vendi në shoqërinë hiperkapitaliste. Skenari është i Visar Morinës dhe Doruntina Bashës, ndërsa drejtori i fotografisë është Janis Mazuch, me montazh nga Joëlle Alexis dhe muzikë nga Mario Batkovic.
Prodhimi është realizuar nga Vicky Bane dhe Schuldenberg Films, në bashkëprodhim me Eagle Eye Films Kosova, Vertigo Ljubljana, On Film Production, List Production dhe Quetzalcoatl, me mbështetje nga institucionet kulturore dhe fondet ndërkombëtare si Qendra Kinematografike e Kosovës, Eurimages, German Federal Film Fund dhe të tjera.






