Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka kryer sot homazhe në nderim të dëshmorëve të kombit, duke rikujtuar një akt që ai e cilëson si të padrejtë dhe të dhunshëm ndaj kujtesës kolektive shqiptare.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Rexhepi thekson se, pavarësisht heqjes së lapidarit, e vërteta historike dhe memoria e sakrificës nuk mund të fshihen as me vendime politike, as me mjete mekanike. Sipas tij, kujtimi i dëshmorëve mbetet i gjallë dhe i pashlyeshëm në ndërgjegjen kombëtare.
Ai nënvizon se emrat dhe vepra e atyre që dhanë jetën për lirinë dhe dinjitetin e kombit janë pjesë e identitetit historik dhe moral të shqiptarëve, të cilat nuk mund të zhbëhen nga asnjë akt administrativ.
“Lavdi dëshmorëve të kombit!”, shkruan Rexhepi, duke bërë thirrje për respektimin dhe ruajtjen e kujtesës historike, si një detyrim ndaj së kaluarës dhe brezave që vijnë.



