Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se kryeqyteti i Kosovës së shpejti do të ketë një hapësirë të veçantë të dedikuar trashëgimisë arbëreshe, e quajtur “Shtëpia e Arbëreshëve”.
Gjatë një takimi të zhvilluar sot, Rama priti drejtuesen e projektit “Made in Arbëria”, Geri Ballo, si dhe aktivisten arbëreshe Lucia Martino, të cilat prezantuan propozimin për krijimin e kësaj hapësire kulturore në Prishtinë. Projekti synon të promovojë gjuhën, artin dhe traditat arbëreshe, duke i bërë ato të njohura për publikun e Kosovës dhe për të gjithë të interesuarit për këtë trashëgimi të veçantë.
“Arbëreshët nuk janë vetëm kujtim i së kaluarës, por frymëzim për të ardhmen. Ata janë shembull i rrallë i dashurisë për gjuhën, rrënjët dhe dinjitetin,” u shpreh Rama, duke theksuar se Prishtina ka nderin dhe përgjegjësinë të bëhet strehë e kësaj trashëgimie fisnike.
Kryetari i komunës bëri të ditur se “Shtëpia e Arbëreshëve” do të shërbejë si një vendtakim i artit, kulturës, vlerave shpirtërore dhe gastronomisë arbëreshe, duke krijuar një urë të gjallë lidhëse mes Kosovës dhe komuniteteve arbëreshe.
“Qyteti e ndjen për nder dhe përgjegjësi të jetë strehë e kësaj trashëgimie fisnike,” përfundoi Rama.



