Departamenti Amerikan i Shtetit ka shënuar një rekord historik në anulimin e vizave, duke revokuar mbi 100 mijë viza për shtetas të huaj vetëm gjatë vitit 2025. Shifra është më shumë se dyfish krahasuar me vitin 2024, viti i fundit i administratës së Presidentit Joe Biden, kur u anuluan rreth 40 mijë viza, raportojnë mediat amerikane, përfshirë Fox News.
Ky përshkallëzim i paprecedent vjen menjëherë pas urdhrit ekzekutiv të Presidentit Donald Trump, i firmosur që në ditën e parë të mandatit të tij, i cili parashikon forcimin ekstrem të kontrolleve dhe verifikimeve ndaj shtetasve të huaj që kërkojnë ose posedojnë vizë amerikane.
Sipas Departamentit të Shtetit, pjesa më e madhe e anulimeve lidhet me viza turistike dhe biznesi, kryesisht për shkak të qëndrimit përtej afatit të lejuar. Megjithatë, goditja ka prekur edhe kategori të tjera të rëndësishme: rreth 8 mijë studentë dhe 2,500 punëtorë të specializuar kanë humbur statusin e tyre ligjor në Shtetet e Bashkuara.
Autoritetet amerikane bëjnë të ditur se shumica e studentëve dhe punëtorëve të prekur kishin probleme me ligjin. Në mesin e punëtorëve të specializuar, 50% e anulimeve lidhen me arrestime për drejtim mjeti në gjendje të dehur, 30% me akuza për dhunë fizike, sulm apo ndalim të paligjshëm, ndërsa 20% për vepra të rënda si vjedhje, abuzim me fëmijë, përdorim dhe shpërndarje droge, mashtrim financiar dhe përvetësim fondesh.
Ndërkohë, rreth 500 studentë kanë humbur vizat për shkak të përfshirjes në raste të posedimit dhe shpërndarjes së narkotikëve, ndërsa qindra punëtorë të huaj janë përjashtuar për shkak të dyshimeve për abuzim me fëmijë.
Në gusht të vitit 2025, administrata Trump ndërmori një hap edhe më drastik, duke njoftuar rishikimin e të gjitha 55 milionë vizave amerikane aktive, një operacion i cilësuar si i paprecedent në historinë e emigracionit amerikan.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka vendosur standarde shumë më të ashpra për pajisjen me viza, ndërsa zëvendëszëdhënësi kryesor i Departamentit të Shtetit, Tommy Piggott, deklaroi se administrata do të zbatojë një politikë të verifikimit të vazhdueshëm dhe të pandërprerë për të gjithë shtetasit e huaj që mbajnë ose kërkojnë vizë amerikane.



