Dy shtetas shqiptarë, babë e bir, mbetën të plagosur nga një atentat me armë zjarri në orët e para të mëngjesit të sotëm, 12 janar, në zonën e Agiou Dimitriou në Athinë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 02:40, kur një person i armatosur hyri në lokalin “O Gyros tou Asyrmatou”, në rrugën “Politexniou 70”, dhe hapi zjarr ndaj pronarit të lokalit, Negri Sinovarfaj, 39 vjeç, dhe babait të tij 70-vjeçar. Autori i qëlloi të dy në këmbë, duke i plagosur secilin me nga një plumb, dhe më pas u largua me automjet nga vendngjarja.
Të plagosurit u transportuan menjëherë në spitalin e Paleo Faliros, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia greke ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe autorësisë së sulmit. Burime hetimore nuk përjashtojnë pistën e rivalitetit mes grupeve të organizuara të tifozëve të futbollit, pasi 39-vjeçari Sinovarfaj njihet si pjesë e grupimit të tifozëve të ekipit A.E.K.
Ndërkohë, lokali ku ndodhi atentati rezulton të jetë përmendur edhe në një dosje të gjerë hetimore të dhjetorit 2024, ku u arrestuan 24 persona, mes tyre 14 shqiptarë, si pjesë e disa grupeve kriminale të dyshuara për trafik ndërkombëtar droge dhe përfshirje në ngjarje të rënda kriminale.
Sipas kësaj dosjeje, “O Gyros tou Asyrmatou” dyshohet se kishte pronësi të fshehtë, ku përmendet emri i shtetasit shqiptar Andon Salati, nga Vlora, i njohur për autoritetet greke si figurë kyçe e një organizate kriminale në bashkëpunim me Denis Grabockën. Zyrtarisht, lokali figuron në pronësi të shoqërisë “K Salati N Sinovarfaj O.E.”.
Andon Salati, i njohur edhe me pseudonimet “Sal”, “Salah” dhe “Toni”, ka qenë i dënuar më herët dhe konsiderohet nga hetimet si një nga drejtuesit e një rrjeti kriminal të përfshirë në trafikun e marijuanës dhe kokainës nga Spanja dhe Shqipëria drejt Greqisë. Ai ka vuajtur dënim në burgun e Koridhalos, ku, sipas dosjes, ka vijuar aktivitetin kriminal përmes platformave të kriptuara komunikimi.
Hetimet për atentatin e sotëm vijojnë, ndërsa autoritetet greke po analizojnë lidhjet e mundshme mes sulmit dhe sfondit kriminal të zonës, pa dhënë ende një version zyrtar për motivin e ngjarjes.



