Edhe tre ditë kohë kanë mbetur deri në përfundimin e afatit të aplikimit për Konkursin Ndërkombëtar të Përkthimit “Jusuf Vrioni”, të shpallur nga Qendra e Botimeve për Diasporën në kuadër të projektit “Jam Shqiptar”.
Ky konkurs u dedikohet përkthyesve të rinj nga diaspora deri në moshën 35 vjeç, me synimin për të vlerësuar aftësitë e tyre në përkthimin letrar dhe për t’i inkurajuar të kontribuojnë në përhapjen e kulturës dhe letërsisë shqiptare në gjuhët e huaja.
Nisma është pjesë e një projekti më të gjerë kulturor dhe arsimor, i cili përfshin një cikël udhërrëfyesish dhe materialesh didaktike të ilustruara, të përshtatura për fëmijë, për 10 qytete të Shqipërisë dhe Kosovës: Tirana, Durrësi, Shkodra, Berati, Gjirokastra, Kruja, Vlora, Prishtina, Prizreni dhe Gjakova. Udhërrëfyesit parashikohen të përkthehen në pesë gjuhë të huaja – anglisht, italisht, greqisht, frëngjisht dhe gjermanisht – duke ndihmuar brezin e ri të diasporës të njohë trashëgiminë kulturore dhe gjuhësore shqiptare.
Kush mund të aplikojë?
Në konkurs mund të aplikojnë të rinj nga diaspora që zotërojnë gjuhën shqipe dhe një nga gjuhët e huaja: anglisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht, greqisht ose suedisht.
Kriteret për aplikantët
Aplikantët duhet të:
Kenë vendbanimin aktual në diasporë
Të kenë njohje të mirë të gjuhës shqipe dhe aftësi për të kuptuar nuancat letrare
Të zotërojnë shkëlqyeshëm gjuhën e huaj të përzgjedhur si gjuhë pune
Të realizojnë një përkthim të rrjedhshëm, me korrektësi gjuhësore dhe ruajtje të stilit origjinal
Të shprehin motivim personal për të kontribuar në promovimin e kulturës dhe letërsisë shqiptare
Çfarë kërkohet për aplikim?
Për aplikim kërkohet:
Përkthimi i 10 faqeve nga një prej udhërrëfyesve: “Gjirokastra”, “Berati”, “Shkodra”, “Prishtina”, “Gjakova” ose “Prizreni”
Zgjedhja e udhërrëfyesit dhe e faqeve për përkthim është e lirë
Udhërrëfyesit janë të aksesueshëm online në faqen zyrtare të Qendrës së Botimeve për Diasporën.
Konkursi mban emrin e përkthyesit të shquar Jusuf Vrioni, si një vlerësim për kontributin e tij në përkthimin dhe promovimin ndërkombëtar të kulturës shqiptare, dhe synon të nxisë përkthimin si një urë lidhëse mes kulturave.
Afati për aplikim përfundon më 10 janar 2026.
Udhërrëfyesit e qyteteve mund ti gjeni falas këtu:
Për të aplikuar në konkurs kliko këtu:



