Me rastin e festave të fundvitit, Shoqata “Nënë Tereza” përcjell një mesazh urimi dhe mirënjohjeje për nxënësit, prindërit, mësuesit, vullnetarët, bashkëpunëtorët dhe partnerët e saj, duke vlerësuar kontributin e përbashkët në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar në diasporë. Në këtë mesazh reflektimi dhe shprese, shoqata ndan falënderimet për punën e bërë gjatë vitit që po mbyllet dhe vizionin për një vit të ri me projekte, bashkëpunime dhe angazhim të shtuar në shërbim të komunitetit.
Mesazhi i plotë:
Të dashur nxënës, prindër, mësues, vullnetarë, bashkëpunëtorë dhe partnerë të Shoqatës Nënë Tereza,
Me rastin e festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, ju përcjellim urimet tona më të përzemërta për shëndet, paqe, begati dhe suksese të reja.
Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë nxënësit tanë, në Londër dhe jashtë saj, të cilët me përkushtimin dhe buzëqeshjen e tyre i japin kuptim punës sonë dhe mbajnë gjallë gjuhën dhe identitetin shqiptar.
Falënderojmë me zemër prindërit dhe vullnetarët, që gjatë gjithë vitit kanë kontribuar me kohën, energjinë dhe mbështetjen e tyre, duke qenë një shtyllë e fortë e komunitetit tonë.
Mirënjohje e veçantë për mësueset shembullore, të cilat pa u lodhur punojnë çdo ditë për t’u përcjellë fëmijëve tanë gjuhën, kulturën dhe vlerat shqiptare, me profesionalizëm, dashuri dhe përkushtim të jashtëzakonshëm.
Gjithashtu, falënderojmë të gjithë bashkëpunëtorët e Shoqatës Nënë Tereza dhe organizatat partnere, me të cilat kemi ndërtuar marrëdhënie të forta bashkëpunimi në shërbim të komunitetit.
Viti 2026 do të na gjejë më të fortë, me ide dhe projekte të reja, me një staf profesional dhe mësuese të specializuara në fushën e dijes. Së bashku me tërë komunitetin tonë, do të vazhdojmë të ndërtojmë të ardhmen dhe të bëjmë ndryshimin e madh për brezat që vijnë.
Ju urojmë që Viti i Ri të sjellë më shumë unitet, zhvillim, suksese dhe gëzime për të gjithë ju dhe familjet tuaja.
Gëzuar Krishtlindjet dhe një Vit të Ri të mbarë!
Me respekt dhe mirënjohje,
Shoqata Nënë Tereza



