Nga Adi Memeti
Gjatë një spektakli bukurie live, në çastin kur Samantha Shkreli u kurorëzua Miss Globe USA 2025, vëmendjen e rrëmbyen lotët e një nëne. Ishin lot krenarie, dashurie dhe emocionesh që rrëfenin një histori të gjatë sakrifice dhe përkushtimi. Ajo nënë ishte Alma Shkreli.
Alma është një nënë shkodrane që katër fëmijët e saj, të lindur dhe rritur në Amerikë, i ka edukuar me frymën e atdhedashurisë shqiptare, me gjuhën, kulturën dhe vlerat e trashëguara nga vendlindja. Në emocionin e asaj mbrëmjeje, ishte e qartë se kurora mbi kokën e vajzës ishte edhe një kurorë morale për nënën, simbol i një rrugëtimi të gjatë, të ndërtuar me durim dhe përkushtim.
Takimi ynë u zhvillua në ambientet e Europa Paper Wings në Stamford, por biseda na çoi natyrshëm në Shkodër. Folëm për qytetin, kujtimet dhe mikpritjen karakteristike shkodrane.
Në moshën 18-vjeçare, ajo nisi një jetë të re në Shtetet e Bashkuara. Me këmbëngulje dhe ambicie, përballë sfidave të realitetit amerikan, Alma ndërtoi rrugën e saj përmes punës dhe disiplinës. Ajo përfundoi studimet për Menaxhim Biznesi në Berkeley, duke dëshmuar se suksesi nuk njeh kufij kur shoqërohet me vullnet dhe vizion.
Prej 16 vitesh banore e shtetit të Connecticut-it, Alma Shkreli ka ndërtuar rrënjë të forta në komunitetin e Westport-it. Së bashku me bashkëshortin e saj, ajo drejton një kompani të suksesshme në organizimin e eventeve. Paralelisht, ka ditur të harmonizojë jetën familjare me angazhimin profesional dhe shërbimin publik.
Angazhimi i saj është i gjerë dhe i konsoliduar. Gjatë katër viteve të fundit, Alma Shkreli ka shërbyer si presidente e organizatës Neighbors & Newcomers of Westport. Ajo ka qenë kandidate për Përfaqësuese Shtetërore në Distriktin 136 të Connecticut-it dhe aktualisht është anëtare e zgjedhur e Këshillit Bashkiak të Westport-it, mandat që e ka fituar përmes rizgjedhjes. Njëkohësisht, ushtron detyrën e Justice of the Peace për qytetin e Westport-it.
Në fushën politike, ajo shërben si sekretare e Komitetit Republikan të Westport-it dhe delegate republikane për Shtetin e Connecticut-it. Përtej politikës, Alma është e angazhuar në punë humanitare dhe sociale: si mentore në një qendër për persona të pastrehë në Qarkun Fairfield, anëtare e organizatës AWARE dhe kryetare e aktiviteteve sociale për Sunrise Rotary në Westport.
Edhe jeta fetare zë një vend të rëndësishëm në përkushtimin e saj shoqëror. Ajo është aktive si lektore dhe ministre e Eukaristisë në Katedralen Saint Patrick në New York City, si dhe në Kishën Shqiptare “Zoja e Shkodrës” dhe famullinë e saj lokale.
Historia e Alma Shkrelit është histori suksesi, por mbi të gjitha histori karakteri. Ajo mishëron figurën e nënës, gruas dhe qytetares që ecën përpara me dinjitet, duke ruajtur identitetin dhe duke kontribuar realisht në komunitetin ku jeton. Një shembull frymëzues i gruas shqiptare në diasporë, që nuk harron kurrë nga vjen, ndërsa ndërton me vizion atë që vjen më pas.
“Si grua, si nënë dhe si emigrante, kam mësuar se suksesi fillon aty ku nuk dorëzohesh,” shprehet Alma Shkreli.



