Qeveria britanike ka ulur me rreth 40% financimin e dedikuar kundërshtimit të agresionit dhe dezinformimit rus në Ballkanin Perëndimor, një rajon që vetë kryeministri Keir Starmer e ka cilësuar si jetik për sigurinë kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar dhe të gjithë Europës.
Sipas të dhënave zyrtare, fondet britanike për forcimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor janë reduktuar nga 40 milionë paund vitin e kaluar në 24 milionë paund për vitin 2025. Këto fonde shpërndahen përmes Fondit të Integruar të Sigurisë (Integrated Security Fund – ISF), i krijuar për të adresuar kërcënimet me prioritet më të lartë ndaj sigurisë kombëtare britanike, brenda dhe jashtë vendit.
Ballkani Perëndimor, që përfshin Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, është përshkruar së fundmi nga Starmer si “zona e Europës – vendi ku vihet në provë siguria e kontinentit tonë”. Megjithatë, pavarësisht kësaj retorike, financimi për rajonin ka pësuar një tkurrje të ndjeshme.
Gjatë vitit të kaluar, fondet e ISF janë përdorur pjesërisht për të kundërshtuar sulme kibernetike keqdashëse, për të forcuar institucionet demokratike dhe për të mbështetur median e pavarur në rajon, ku Rusia është akuzuar gjerësisht për nxitje përçarjeje dhe destabilizimi.
Ulja e financimit lidhet me politikën e qeverisë Starmer për të reduktuar Ndihmën Zyrtare për Zhvillim (Official Development Assistance – ODA) për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Konkretisht, shuma e ODA-së e dedikuar për Ballkanin Perëndimor në kuadër të ISF ka rënë nga 31.91 milionë paund në vitin financiar 2024–25 në 17 milionë paund për 2025–26. Të dhënat nga Zyra e Kabinetit tregojnë gjithashtu një ulje prej 1.15 milionë paundësh në financimin “jo-ODA” për rajonin.
Viti financiar 2025–26 shënon fazën e parë të një tranzicioni gradual, të shpallur nga qeveria britanike, për uljen e ODA-së nga 0.5% në 0.3% të të ardhurës kombëtare bruto deri në vitin 2027.
Këto shkurtime kanë ngjallur shqetësime të forta në radhët e politikës dhe shoqërisë civile. Emily Thornberry, kryetare e Komitetit të Punëve të Jashtme dhe ish-ministre e jashtme në hije, tha se gjatë një vizite të fundit në rajon kishte parë nga afër presionin e dezinformimit dhe ndërhyrjes ruse.
“Është shumë e qartë se Ballkani Perëndimor ndodhet në vijën e parë të luftës kundër dezinformimit dhe ndërhyrjes ruse. Jam shumë krenare për punën që Mbretëria e Bashkuar po bën për t’i mbështetur, për sigurinë e tyre dhe të gjithë Europës. Nevojitet më shumë punë për të mbështetur median e pavarur, jo më pak,” u shpreh ajo.
Në të njëjtën linjë, Dr. Kate Ferguson, bashkë-drejtoreshë ekzekutive e organizatës Protection Approaches, paralajmëroi se bilanci pozitiv i Britanisë në rajon nuk duhet të dëmtohet pikërisht në këtë moment.
“Strategjia e sigurisë kombëtare e pranon se ndodhemi në një periudhë intensifikimi të konkurrencës strategjike. Në Europë, kjo shihet qartë te përpjekjet e Rusisë për të minuar konsensusin demokratik,” tha Ferguson, duke theksuar se Ministria e Jashtme duhet të jetë e pajisur mjaftueshëm për t’u përballur me këto kërcënime në rritje.
Paralajmërime të forta kanë ardhur edhe nga shefi i ri i MI6, Blaise Metreweli, i cili këtë javë deklaroi se Britania ndodhet në “një hapësirë mes paqes dhe luftës”, duke e përshkruar Rusinë si “agresive, ekspansioniste dhe revizioniste”.
Nga ana e saj, Shelagh Daley, drejtuese e politikave në organizatën Saferworld, tha se këto shkurtime tregojnë një ulje të vëmendjes ndaj parandalimit të konflikteve, në një kohë kur rreziqet globale të sigurisë po rriten.
“Nuk është koherente apo strategjike të tërhiqesh nga programe që adresojnë shkaqet e konfliktit dhe brishtësisë, pikërisht kur shoqëritë po bëhen më të përçara dhe liritë themelore po kufizohen,” u shpreh ajo.
Në reagim, një zëdhënës i qeverisë britanike tha se shifrat e publikuara përfaqësojnë vetëm një pjesë të investimit total të Mbretërisë së Bashkuar në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se ISF është projektuar për t’u përshtatur me prioritetet e sigurisë kombëtare dhe shpesh financon projekte afatshkurtra, ndaj vendimet për shpenzimet “evoluojnë me kalimin e kohës”.



