Nga Enela Shehu Markja
“The Orange Night” – “Mbrëmja e Mirësisë 2” u zhvillua në kuadër të fushatës globale të UN Women “16 ditë aktivizmi kundër dhunës me bazë gjinore”, e cila këtë vit fokusohet te rritja shqetësuese e dhunës digjitale ndaj grave dhe vajzave.
Peshkopia u shndërrua sërish në qendrën e një ngjarjeje të veçantë dhe plot emocion: Mbrëmja Gala “Bijat për Bijat”, organizuar për herë të dytë nga Organizata “Bijat”. Ky aktivitet përbën një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të grave dibrane, duke krijuar ura frymëzimi, bashkimi dhe mbështetjeje të ndërsjellë.
Ajo nismë e brishtë që lindi një vit më parë, tashmë po merr formë dhe përmasë të plotë, duke prekur plagën që dhemb – dhunën në familje – por edhe duke ndërgjegjësuar vajzat e reja, duke i rrjetëzuar, motivuar dhe bashkuar.
Në “Mbrëmjen e Mirësisë 2” morën pjesë rreth 300 gra e vajza nga Bashkia Dibër, Bulqizë, Diaspora dhe nga komuniteti i gjerë i mikeve që mbështesin këtë kauzë.
Qëllimi: Fuqizim, Solidaritet dhe Shpresë
Aktiviteti synon të mbështesë dhe motivojë të gjitha gratë dibrane, me fokus të veçantë te gratë e dhunuara, të cilave u ofrohet edhe mbështetje financiare konkrete. Përmes kësaj nisme, organizata “Bijat” kërkon t’u japë atyre një mundësi të re për t’u rimëkëmbur, për të ringritur zërin dhe vetëbesimin.
Rrjetëzimi – Forca e Bashkimit të Bijave Dibrane
Një ndër shtyllat kryesore të këtij eventi është rrjetëzimi i grave dibrane, kudo që ato jetojnë, punojnë dhe ushtrojnë profesione të ndryshme. Ky rrjet shumëfishon energjinë, rrit kompetencat, nxit shkëmbimin e eksperiencave dhe i bashkon të gjitha nën identitetin e përbashkët: “Bija e Dibrës”, Bija dibrane simbolizon zemrën e madhe, mendjen e ndritur, duart punëtore, vullnetin për të bërë të pamundurën të mundur dhe dëshirën e fortë për të ruajtur kulturën e traditën e Dibrës. Ky identitet u reflektua fuqishëm në gjithë atmosferën e mbrëmjes.
Artistët dhe Personalitetet që Pasuruan Eventin
Mbrëmja Gala u nderua me praninë e figurave të njohura dibrane – ambasadorë të kulturës dhe traditës së vendlindjes:
- Lirie Rasha, këngëtare e mirënjohur
- Vera Laçi, artiste e dashur për publikun
- Klodiana Lala, gazetare investigative e guximshme
- Defrim Methasani, bir i Dibrës dhe figurë e respektuar
Luiza Gega, atletja dibrane me famë ndërkombëtare — njihet kryesisht për performancat në vrapim, dhe motivimin sportiv të brezit të ri
Një emocion të veçantë i shtuan mbrëmjes edhe performancat e:
- StringGirls – Vajzat e Harqeve
- Melisa Duka
- Ermal Lushi dhe vajzat me kitara
- Lindi Islami & Venera Lumani
- Alida Duka
- Ingrid Jushi
Gjithashtu, publiku pati mundësinë të shijonte ekspozitën me skulptura dhe piktura nga artistja e re Suada Malaj.
Një interpretim mbresëlënës poezish erdhi edhe nga Bora Sulstarova, mbesa e Dr. Qemal Çadrit, e cila i dhuroi mbrëmjes një emocion të veçantë.
Prania e tyre solli jo vetëm art, por edhe krenari e vetëdije kulturore.
Vlerësimi i Grave Sipërmarrëse dhe Historitë që Frymëzojnë
Gjatë aktivitetit u shpërndanë trofe për sipërmarrëset dibrane, të cilat me punën, vullnetin dhe këmbënguljen e tyre kanë kapërcyer vështirësi të shumta, duke u bërë modele frymëzimi për vajzat dhe gratë e reja.
Po ashtu, u sollën në vëmendje historitë e grave të dhunuara që kanë arritur të ngrihen mbi dhimbjen dhe të rindërtojnë jetën e tyre. Këto rrëfime janë dritë dhe shpresë, duke na kujtuar se një familje e shëndetshme ndërtohet mbi respektin dhe vlerësimin e gruas.
Tre Bursa për Bijat e Dibrës
Një lajm i bukur u shpall gjatë mbrëmjes nga Albana Ndreu, Zëvendës rektore e “West Balkan University”. Ky institucion ofron tre bursa studimi për gjimnazistet dibrane që përfundojnë shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe vijnë nga familje në nevojë, për vitin akademik 2026–2027, në degët:
- Farmaci
- Bioteknologji
- Siguri Kibernetike
Ky është një investim i drejtpërdrejtë në talentin, potencialin dhe ëndrrat e vajzave dibrane që shpesh përballen me mungesë mundësish.
Mirënjohje
Ky event u realizua me mbështetjen e UN Women, Mövenpick Hotel, si dhe falë punës së palodhur të Almira Xhembullës dhe ekipit të saj, të cilët me mendjen, duart dhe zemrën e tyre krijuan një mbrëmje që u dha forcë, motivim dhe shpresë mbi 300 pjesëmarrëseve.
Organizata “Bijat” shpreh mirënjohje të thellë për secilën prej tyre.















