Në qendrën e Komuniteteve të Bashkisë së Rethimnos u përurua Zyra e Ndërmjetësimit Ndërkulturor, e cila përfshin edhe bibliotekën e parë me literaturë në gjuhën shqipe në këtë qytet. Nisma është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes Komunitetit Shqiptar në Rethimno dhe Bashkisë, duke shënuar një hap të rëndësishëm për integrimin, edukimin dhe promovimin kulturor të diasporës shqiptare në Kretë.
Shiritin e inaugurimit e preu kryetari i Bashkisë, Jorgo Marinaki, i cili vlerësoi projektin si një investim në dije dhe kulturë, por edhe si një urë të fortë bashkëpunimi mes komuniteteve që ndajnë të njëjtën hapësirë dhe të njëjtat aspirata.
Biblioteka e re synon të shërbejë si një pikë referimi për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe, letërsisë, historisë dhe trashëgimisë kulturore shqiptare. Ajo është konceptuar si një vend i hapur për të gjithë: Fëmijët dhe të rinjtë do të kenë mundësi të lidhen me rrënjët e tyre përmes librave shqip. Familjarët do të gjejnë një hapësirë frymëzimi dhe aktivitetesh kulturore dhe lexuesit e çdo moshe mund të shijojnë botën e pasur të autorëve shqiptarë, klasikë dhe bashkëkohorë.
Përtej komunitetit shqiptar, prania e bibliotekës është një vlerë e rëndësishme edhe për shoqërinë vendase, duke sjellë më shumë diversitet kulturor.
Hapja e këtij institucioni përcjell mesazhin se kultura, letërsia dhe arti janë ura që afron njerëzit, rrisin mirëkuptimin dhe ndërtojnë një të ardhme të përbashkët.
Aktualisht në hapat e parë, biblioteka pritet të zgjerohet së shpejti me rafte të reja dhe tituj të tjerë në gjuhën shqipe. Komuniteti shqiptar në Rethimno falënderon të gjithë kontribuuesit dhe njofton se shumë botime të tjera pritet të mbërrijnë nga Shqipëria.
Nisma “Që libri shqip të mos jetë në skaj të jetës emigrante” synon t’u shërbejë brezave të sotëm dhe të ardhshëm, duke e bërë gjuhën dhe kulturën shqiptare një pjesë të gjallë të jetës së përditshme.
Komuniteti Shqiptar në Rethimno fton të gjithë qytetarët, shqiptarë dhe të huaj, të vizitojnë bibliotekën dhe të bëhen pjesë e kësaj hapësire të re kulturore.







