Në seminarin e organizuar nga KKAD me temën “Rrugëtimi i gjuhës shqipe në diasporë dhe misioni për brezat e ardhshëm”, mësuesja Anila Berberi prezantoi një orë mësimore që shkon përtej kufijve të klasës: një udhëtim mes identitetit, teknologjisë dhe profesioneve të së ardhmes. E mbajtur me nxënësit e shkollave shqipe “Scanderbeg” në Parma dhe “Korabi” në Bolonja, ora e përbashkët është një shembull i asaj çka do të thotë mësimdhënie në diasporë – një akt përkushtimi, një mision kulturor dhe një ftesë për të parë gjuhën shqipe si forcë që frymëzon pasionet e brezit të ri.
Duke përdorur tekstin “Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare” dhe duke ndërthurur mjetet digjitale me qasje bashkëkohore, Berberi dhe bashkëpunëtorja e saj e re, Sindi Germau, i udhëhoqën fëmijët drejt një reflektimi të thellë: si kanë ndryshuar profesionet nga e shkuara në të tashmen, dhe çfarë profesionesh të reja mund të shpikë imagjinata e tyre? Në diasporë, ku çdo orë mësimi është një sfidë për të mbajtur gjallë gjuhën e identitetit, projekti mori formën e një eksperience të gjallë që ndërthur traditën me teknologjinë, kulturën me krijimtarinë dhe rrënjët me ëndrrat.
P… si Pasionet, P … si profesionet
Mësimdhënia e gjuhës së identitetit si frymëzim për pasionet e së ardhmes
Nga Anila Berberi dhe Sindi Germau
Kjo është një orë mësimi e përbashkët e zhvilluar me fëmijët e grupmoshës 9-12 vjeçare pranë Shkollës shqipe “Scanderbeg” në Parma dhe shkollës shqipe “Korabi” ne Bolonja, një bashkëpunim me një mësuesen të re në moshë, Sindi Germau, me tekstin “Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare”, niveli i parë, shkalla e tretë: “Profesione të ndryshme”.
Mësuesit e gjuhës shqipe janë bërë të ndërgjegjshëm për sfidat dhe rreziqet që kalon mësimdhënia në diasporë, ku çdo orë mësimi nuk është thjesht proces didaktik, por një akt përkushtimi, një angazhim për të krijuar ura mes identitetit gjuhësor dhe zhvillimit personal të fëmijëve. Prandaj edhe përpiqemi që të zhvillojmë frymën e bashkëpunimit ndërmjet nesh për krijimin e miniprojekteve me nxënësit. Përmes këtyre miniprojekteve, ne synojmë që gjuha të shndërrohet nga mjet komunikimi në mjet frymëzimi për pasionet dhe profesione e së ardhmes. Ky pasion nuk është thjesht një nostalgji. Është energjia që duhet të ndihmojë fëmijët tanë të rritin filizat e pasionit për profesionet që do të ndërtojnë të ardhmen.

Duke qenë se teknologjia është bërë pjesë e pandarë e përditshmërisë sonë dhe të fëmijëve tanë, sfidat e mësuesit janë të lidhura edhe me gjetjen e mënyrave më të mira për të ndihmuar fëmijët në një përdorim të duhur e të përshtatshëm për zgjerimin dhe konsolidimin e njohurive të tyre, por edhe për përdorimin e teknologjisë si mjet shprehës, krijues dhe bashkëpunues.
Qëllimi i përgjithshëm i kësaj ore mësimi është ndërgjegjësimi për trashëgiminë kulturore shqiptare përmes profesioneve tradicionale dhe të kuptuarit se si teknologjia po transformon mënyrën e punës dhe cilat mund të jenë profesionet e së ardhmes.
Objektiva të tjera:
- Të përdorin teknologjinë dhe të reflektojnë mbi mënyrën se si ka ecur përpara shoqëria dhe si është zhvilluar ajo duke ndryshuar natyrën e punës.
- Të përdorin fjalorin e duhur tematik në gjuhën shqipe për të shprehur ide rreth profesioneve.
- Të ndërgjegjësojë fëmijët për respektin ndaj punës si mjet që i ndihmon të rriten duke u bazuar tek vlerat.
- Të zhvillojmë imagjinatën dhe aftësitë krijuese të fëmijëve duke mbjellë farën e pasionit për një botë të pafundme mundësish,
Në këtë orë mësimi janë përdorur MJETE DIDAKTIKE si tablet, kompjuter dhe celularë, në mënyrë që fëmijët të kenë akses në internet, si edhe të mësojnë se si të ndërveprojnë me mjetet digjitale për të marrë përgigjet e duhura, por edhe të përdorin aplikacionet që ndihmojnë të nxënit.
ZHVILLIMI I ORËS SË MËSIMIT
Kjo orë mësimi është e strukturuar në disa faza duke ju përshtatur edhe rubrikave të tekstit. Fëmijët janë ndarë në grupe dhe secili grup duhet të përqendrohet në tematikat e paraqitura më poshtë:
- “Udhëtim pas në kohë – profesione të zhdukura”;
- “Fshat apo qytet. Fshati si qyteti apo mjedise të ndryshme pune dhe jetese”;
- “Profesionet që udhëtojnë në kohë – nga e shkuara në të sotme”
- “Profesionet e së ardhmes”
- “IA në mësim”
Duke iu referuar tekstit “Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare”, nxënësit njihen me profesionet e dikurshme shqiptare që sot janë zhdukur ose janë shumë të rralla, që shërbejnë edhe si pikënisje për të analizuar transformimet e shkaktuara nga urbanizimi dhe teknologjia, se si ato kanë ndryshuar mjediset e jetesës dhe punës në fshat dhe në qytet, si mund të transformojë e ardhmja këto profesione. Me ndihmën e mësueses dhe në dialog mes tyre, në klasë diskutohet edhe për profesionet e së ardhmes. Këto profesione sot nuk kanë një emër, por do të lindin pikërisht nga fantazia, ëndërrat dhe idetë e fëmijëvë, të cilët janë e ardhmja. Mesazhi që i bashkon të gjithë fëmijët është unik: teknologjia ka ndryshuar punën dhe profesionet. Por ka edhe një mësim më të thellë: çdo brez krijon profesione për të cilat bota ka nevojë. Ne duhet të jemi inovatorë njësoj si paraardhësit tanë. Por, profesioni i së ardhmes duhet të ruajë humanizmin, krijimtarinë dhe respektin për kulturën.
Në fund të orës së mësimit, në vend të ushtrimit të tekstit, përdorim IA për të gjeneruar imazhe dhe foto të vetë nxënësve tanë në versionin e profesionistëve të së ardhmes. Ky element mbart një funksion të rëndësishëm pedagogjik: mësimi bashkëkohor kërkon që procesi i të nxënit të ndërthuret me argëtimin dhe lojën. Vetëm përmes një mjedisi të tillë, fëmijët janë më të prirur për të përqafuar risitë, për t’i pranuar ato dhe për t’i zhvilluar më tej.
Misioni ynë është i dyfishtë. Na kujton të ruajmë identitetin nëpërmjet gjuhës, por kemi detyrimin moral që të ndezim tek fëmijët pasionin për të ardhmen. Në këtë mënyrë, gjuha shndërrohet në laborator të imagjinatës. Prandaj le të përpiqemi të gjithë e të sjellim në klasë këtë energji: dashurinë për rrënjët dhe entuziazmin për të ardhmen që duhet të fillojnë ata vetë ta shkruajnë.






