Në kapërcyell të mijëvjeçarit, kur kufijtë mes hapësirave shqiptare ishin ende plagë të hapura, Rita Petro dhe Latif Ajrullai guxuan të nisin një aventurë që, për kohën, dukej thuajse e pamundur: bashkimin e trojeve përmes fijeve të dijes. Me një fill të hollë e të pathyeshëm — librin shqip — ata vendosën themelet e ALBAS-it, një shtëpie botuese që përgjatë viteve do të shndërrohej në urë lidhëse mes Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Preshevës, Malit të Zi dhe diasporës.
Një çerek shekulli më vonë, pas ideve novatore, besnikërisë së bashkëpunëtorëve dhe një dashurie të pakursyer për librin, ALBAS shënon gurin e 25-të kilometrik të rrugës së saj historike. Sot, kjo shtëpi botuese feston me emocion por edhe me krenari një histori që ka kapërcyer kufij, ka rritur breza, ka forcuar identitetin dhe ka krijuar një komunitet të gjerë arsimor në të gjitha trevat shqiptare.
Nga fillimet mes Tiranës e Tetovës, deri te degët në Prishtinë, Preshevë e Mal të Zi, rrugëtimi i ALBAS-it është më shumë se histori suksesi — është dëshmi e fuqisë së librit për të bashkuar atë që politika e ka ndarë. Dhe këtë 25-vjetor, bashkimi i qindra autorëve, përkthyesve, profesorëve, mësuesve, studiuesve dhe miqve nga të gjitha hapësirat shqiptare është simboli më i bukur i misionit që nisi atë ditë të largët të vitit 2000: të kultivosh dije, të ruash identitet dhe të mbash gjallë një vizion që rritet me brezat.
Në këtë përvjetor të veçantë për ALBAS ishin të pranishëm Ambasadori i Kosovës, Z. Skënder Durmishi me bashkëshorten, Znj. Flora Durmishi; Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Z. Piro Misha; Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Z. Faik Nika; Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Z. Petrit Ymeri, si dhe akademikë dhe profesorë të nderuar, si Z. Sabri Hamiti, Z. Ali Aliu, Znj. Floresha Dado, Z. Emil Lafe, Z. Xhevat Lloshi; botuesit Z. Fatmir Toçi dhe Znj. Irena Toçi, Znj. Mariana Ymeri, Znj. Egla Berhami, Z. Redi Jegeni; nga libraria Adrion, Mariana dhe Teodor Misha.

Gjithashtu, Rita Petro kujtoi fillimet e kompanisë:
Çdo gjë nisi nga zero, por qëllimi ynë ishte Njëshi me zero pas, deri në infinit. Shumë shpejt vizioni na u bë i qartë; ata kufij të cilët na kishin munduar të dyve aq shumë në takimet tona të dashurisë, u munduam t’i fshinim përmes librit shqip. Rritjen tonë e bazuam te forcimi i redaksisë, gërshetimi i redaktoreve me përvojë me redaktoret e reja; besimi në idetë dhe punën e tyre; respektimi i lirisë së punonjësve dhe krijimi i kushteve për të qëndruar sa më gjatë në kompaninë tonë; besimi i ndërsjellët me bashkëpunëtorët tanë në lidhje me bashkëpunimin profesional dhe me respektimin e të drejtave të autorit; zgjerimi gradual i departamenteve që mbështetnin punën e redaksisë; zgjerimi i politikave të botimit përmes kolanave dhe grupmoshave të caktuara; korrektësia ndaj ligjeve të shtetit; respektimi i konkurrencës në tregun e librit; qëndrimi larg politikës, që suksesin ta sjell në moment, por siç ta sjell, ashtu dhe ta merr dhe… 90% e punës sonë të mbështetej nga vetë investimet tona, mosjoshja nga fitimet e çastit të një tregtie të pastër, por hedhja e bazave të një shtëpie botuese që e ka të qartë se me punën për librin kulturohen brezat, emancipohet shoqëria.
Në një moment të veçantë të fjalës së saj, Rita përkujtoi mbështetësit e hershëm dhe ata që nuk janë më: Jam e bindur se sa të lumtur do të ishin sot profesor Menduh Dërguti, profesor Idriz Metani, profesoreshë Emine Oktrova, profesor Selman Sheme, profesor Nikolla Përdhiku, profesor Skënder Selimi. Në Preshevë, mbështetja jonë kryesore ka qenë Qenan Hetemi, i cili me idealizmin por dhe këmbënguljen e tij bëri që nxënësit e Preshevës të kenë në duar tekstet tona të gjuhës e të letërsisë shqipe, si dhe të lëndëve të tjera. E kujtojmë sot me shumë dhimbje, që nuk e kemi më midis nesh.
Falënderimet e saj u shtrinë edhe tek autorët e teksteve shkollore, të cilët kontribuuan në ngritjen e metodologjive bashkëkohore didaktike, te shkrimtarët e përkthyesit, piktorët e fotografët, si dhe te stafi i ALBAS-it, Redaksia në Tiranë, Prishtinë, Tetovë e Preshevë, Media ALBAS, Portali Shkollor, Qendra e Trajnimeve, Marketingu dhe Shitja. Rita nuk la pa përmendur dhe familjen e saj, e cila ka qenë mbështetje e vazhdueshme duke kontribuar me dashuri, ide dhe punë konkrete.
Driton Ajrullai, bashkëpronar i shtëpisë botuese ALBAS, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e misionit të ALBAS-it për të lidhur të gjitha hapësirat shqiptare me dije dhe kulturë, duke e quajtur këtë rrugëtim “jo vetëm punë, por mision kombëtar”, ku libri dhe arsimi shkrijnë kufijtë politikë dhe forcojnë identitetin kombëtar.

Rita Petro përmendi librin e parë të botuar nga Albas Letërsia Moderne Shqiptare, me autor profesor Sabri Hamitin, që u bë shkaku i dorëheqjes së saj nga puna e shtetit. Ky libër i ndaluar nga Ministria e Arsimit e asaj kohe për shkaqe ideologjike, pasi e botoi ALBAS, u kthye shumë shpejt në një “Bibël” në duart e mësuesve, të cilët nuk kishin asnjë material për njërën nga periudhat më të rëndësishme në letërsinë shqiptare, gjysmën I të shek. XX.

Lindja e mundimshme e shtëpisë botuese ALBAS, është rrjedhojë e punës me ngulm për të bërë programe të përbashkëta dhe libra të përbashkët për lëndët nacionale në shkollat shqipe, nga fillorja deri në universitet. Kjo punë e mundimshme, në dukje aventurë, është zhvilluar në rrethana kulturore, politike dhe kombëtare në Shqipëri dhe në Kosovë në decenien e fundit të shekullit të kaluar …Kjo pra, është historia 10-vjeçare ditunore në këtë lëmi, për të gjetur në vitet më pas rezultanten më në fund me libra të nivelit të ri, si çelës të dijes dhe të mësimit.

Aty, në atë shtëpi të vogël filloi botimi i revistës “Grupsat” që Rita e shpërndante nëpër shkolla me biçikletën që mezi e mbante ngarkesën. Aty u projektuan librat e parë të suksesshëm, dhe “Letërsia moderne shqiptare”, e profesor Sabriut, Gjuha shqipe dhe Letërsia 10 (teksti i parë alternativ, pa filluar ende alterteksti) që u bënë aq të dashura për mësuesit e nxënësit… E në atë kohë ne i kishin mjetet shumë të kufizuara. Kompjutera të vjetër, pa internet dhe pa literaturë. Po kishim shumë entuziazëm dhe përkushtim, që na bënte të gjenim gjithçka që duhej dhe librat tanë të dalloheshin se ishin ALBAS. Ne ia dolëm të jemi të suksesshëm, se kishim dy kapitenë, siç thotë Rita në një poezi të saj. Një që e njihte shumë mirë librin dhe tjetri që dinte shumë mirë të menaxhonte librin. Po të dy vizionarët kishin synime të njëjta dhe shumë të qarta: një shtëpi botuese që t’u ofronte mësuesve dhe nxënësve libra shkollorë sa më cilësorë nga ana shkencore e modernë nga ana didaktike, t’u ofronte tekste shkollore të digjitalizuar përmes platformës digjitale, që u zbatua për herë të parë nga ALBAS dhe të shtrihej ALBAS-i në të gjithë trevat shqipfolëse, sidomos në Kosovë, por edhe në diasporë. Dhe kjo ëndërr tani është bërë realitet.
Është nder i jetës me qenë pjesë dhe i pranishëm sot, në shenjimin e 25 viteve rrugëtim të ALBAS-it në botën e librit. Për mua personalisht, ky përvjetor ka një peshë të veçantë. Kam lindur në Gjilan, jam rritur në Preshevë, jetoj në Prishtinë dhe punoj me një kompani që vepron në krejt hapësirat shqiptare. Kjo e bën ALBAS-in jo veç vend pune, por urë që lidh të gjitha trojet tona. Vizioni i themeluesve, prof., Latifit (përjetë mirënjohës) dhe Ritës, është më shumë se biznes. Është mision kombëtar. Përmes librit, ata kanë shkrirë kufijtë që politika i ka krijuar, duke na dhanë mundësinë që ne, të skajeve të shqiptarësisë, të ndihemi pjesë e një tërësie. Në ato zona ku identiteti shqiptar është mburoja jonë e vetme dhe libri është një nga forcat kryesore që e mban këtë mburojë kombëtare ende gjallë.
Ndërkaq, Qendra e Trajnimeve ALBAS ofron programe profesionale të akredituara për zhvillimin e vazhdueshëm të mësuesve në të gjitha ciklet arsimore, duke kombinuar teori bashkëkohore me praktika të aplikuara në auditor, dhe duke krijuar një komunitet profesional ku mësuesit mund të shkëmbejnë përvoja dhe të përmirësojnë cilësinë e mësimdhënies në shkollat shqiptare.
Momente emocionuese pati edhe për fëmijët e punonjësve të ALBAS, të cilët janë rritur bashkë me kompaninë, duke reflektuar se ALBAS nuk është thjesht një shtëpi botuese, por një familje e madhe që ka bashkuar breza. Fjala përmbyllëse u dha nga Sofiana Filipi dhe Semela Mero, të cilat falënderuan pjesëmarrësit dhe ndanë gëzimin e festës.




