Administrata Trump ka urdhëruar zyrtarët konsullorë amerikanë të kryejnë kontrolle shumë më të rrepta për aplikantët e vizave, veçanërisht për ata të kategorisë H-1B, duke synuar të ndalojë hyrjen në SHBA të individëve që dyshohet se kanë marrë pjesë në “censurë ose tentativë censurimi” të fjalës së mbrojtur në Shtetet e Bashkuara. Lajmi u publikua nga agjencia Reuters, e cila referon një komunikim të brendshëm të Departamentit të Shtetit të dërguar më 2 dhjetor në të gjitha misionet diplomatike amerikane.
Sipas dokumentit, zyrtarët udhëzohen të shqyrtojnë me imtësi CV-të, profilet në LinkedIn dhe çdo informacion publik për aplikantët dhe familjarët që udhëtojnë me ta. Objektivi është verifikimi nëse ata kanë punuar më parë në fusha që administrojnë ose monitorojnë përmbajtjen online, si:
- moderim i përmbajtjes
- verifikim faktesh
- dezinformim / keqinformim
- përputhshmëri (compliance)
- siguri online
Nëse zbulohen prova që personi ka qenë “përgjegjës ose bashkëfajtor në censurimin e fjalës së mbrojtur në SHBA”, komunikimi urdhëron që aplikanti të shpallet i papranueshëm.
Edhe pse politika e re vlen për të gjitha vizat, theksi vihet tek H-1B, pasi mbajtësit e kësaj vizë zakonisht punojnë në sektorin e teknologjisë dhe rrjeteve sociale, ku sipas Departamentit të Shtetit “mund të ketë raste të shtypjes së shprehjes së mbrojtur”. Urdhri i jep zyrtarëve konsullorë të drejtën të hetojnë në detaje historinë e punësimit të çdo aplikanti, si për vizat e para, ashtu edhe për rinovimet.
Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, duke komentuar për Fox News, theksoi se qëllimi i administratës është mbrojtja e lirisë së fjalës së amerikanëve:
“Ne nuk mbështesim që të huajt të vijnë në SHBA për të punuar si censorë. Presidenti ka qenë vetë viktimë e censurës nga kompanitë e mediave sociale dhe nuk dëshiron që amerikanët të tjerë të vuajnë njësoj.”
Ky zhvillim vjen ndërsa administrata kritikon gjithnjë e më ashpër politikat e Europës për moderimin e përmbajtjes në rrjetet sociale. Më 4 dhjetor, Zëvendëspresidenti JD Vance reagoi ndaj raportimeve se Komisioni Europian mund të vendosë një gjobë të rëndë ndaj platformës X, duke deklaruar se BE-ja “duhet të mbështesë fjalën e lirë, jo të kërkojë censurë”.
Politika e re amerikane pritet të ndikojë drejtpërdrejt mijëra profesionistë të huaj, veçanërisht ata që aplikojnë për punë në sektorin e teknologjisë dhe moderimit të përmbajtjes.



