Bashkimi Europian miratoi sot, më 8 dhjetor, rregulloren e re për procedurat e emigracionit dhe listën zyrtare të vendeve “të treta të sigurta”, një hap kyç që hap rrugën për zbatimin e politikave të reja që Italia synon t’i zbatojë në qendrat e pritjes dhe verifikimit të ngritura në territorin shqiptar.
Sipas “La Repubblica”, ministri italian i Brendshëm, Matteo Piantedosi, deklaroi nga Brukseli se miratimi i listës ishte kusht vendimtar për t’i propozuar qeverisë italiane ratifikimin e marrëveshjeve që do të bëjnë të mundur funksionimin e plotë të strukturave të emigrantëve në Shqipëri.
Cilat vende u shpallën “të treta të sigurta”?
Sipas rregullores së re, BE klasifikon si vende të sigurta:
Bangladeshin, Kolumbinë, Egjiptin, Indinë, Kosovën, Marokun dhe Tunizinë.
Shtetasit e këtyre vendeve do t’i nënshtrohen procedurave të përshpejtuara të azilit, të cilat zakonisht përfundojnë me refuzim, përveç rasteve të veçanta. Po ashtu, nëse një emigrant ka kaluar nëpër një vend të tretë të sigurt, aplikimi i tij mund të shqyrtohet pikërisisht në atë vend.
Ky vendim favorizon Italinë, pasi një pjesë e madhe e mbërritjeve të fundit në brigjet italiane vijnë nga Bangladeshi, Egjipti dhe veçanërisht Tunizia.
Çfarë nënkupton statusi “vend i tretë i sigurt”?
Rregullorja e re i lejon vendet e BE-së të shpallin të papranueshme kërkesat për azil nëse kërkuesi ka pasur mundësinë të marrë mbrojtje në një vend tjetër të sigurt përpara se të hynte në BE.
Një vend konsiderohet i sigurt kur:
- përqindja e dhënies së azilit për shtetasit e tij është më pak se 20%,
- ekziston një lidhje mes kërkuesit dhe vendit të tretë,
- emigranti ka kaluar përmes këtij vendi,
- ose kur ka një marrëveshje ndërmjet BE-së dhe vendit të tretë për shqyrtimin e kërkesave.
Rregullat nuk zbatohen për të miturit e pashoqëruar.
Qendrat e Italisë në Shqipëri dhe të ardhmet e reja të politikës së BE-së
Komisioneri Europian për Migracionin, Magnus Brunner, deklaroi se rregullorja krijon tashmë bazën ligjore për ide “të reja dhe inovative” në menaxhimin e flukseve migratore.
Ai përmendi marrëveshje të ngjashme në proces, si ajo e Holandës me Ugandën dhe e Italisë me Shqipërinë, duke shtuar se do të ishte pozitive nëse disa vende bashkojnë forcat në projektet e kësaj natyre.
Vendimi i sotëm pritet të përshpejtojë procesin e ratifikimit nga pala italiane dhe të afrojë funksionimin e plotë të qendrave të emigrantëve në territorin shqiptar.



