Si ndërtohet një klasë e gjuhës shqipe në diasporë: Nga entuziazmi te cilësia

E martë, 17 Nëntor, 2026

Rrugëtimi i mësimit të gjuhës shqipe në diasporë është një proces që kalon në tri faza kryesore: entuziazmin e fillimit, qëndrueshmërinë e klasave dhe cilësinë e mësimit. Gjithçka nis me dashurinë për gjuhën dhe me pasionin e mësuesit që sjell energji, dinamizëm dhe dëshirën për të ndërtuar një hapësirë ku fëmijët të ndihen pjesë e një bote gjuhësore e kulturore që u përket. Në këtë fazë të parë, marrëdhënia mes prindërve, nxënësve dhe mësuesit formon trekëndëshin e domosdoshëm që e mban gjallë klasën. Bashkëpunimi me prindërit dhe komunikimi i vazhdueshëm me komunitetin krijojnë bazat për t’i dhënë jetë një klase që nuk është vetëm vend mësimi, por një hapësirë e identitetit të përbashkët. Me kalimin e kohës, entuziazmi duhet të mbështetet me qëndrueshmëri. Kjo arrihet përmes planeve të rregullta mësimore dhe administrative, teksteve dhe materialeve cilësore, trajnimeve pedagogjike që vijnë si nga institucionet vendëse, ashtu edhe nga ato në atdhe, si dhe projekteve edukative e kulturore që i japin gjallëri çdo ore mësimi. Në këtë fazë, përfshirja aktive e prindërve dhe mbështetja institucionale bëhen gurë themeli; rrjetizimi natyror i familjeve krijon një ambient të shëndetshëm shoqëror ku gjuha shqipe mbrohet dhe përdoret me natyrshmëri. Cilësia e mësimit varet drejtpërdrejt nga zgjedhjet e mësuesit: metodat që ai përdor, strategjitë didaktike, kreativiteti dhe elasticiteti i tij pedagogjik, si dhe aftësia për t’u përshtatur me moshat, sfondet gjuhësore dhe klasat heterogjene. Metodat janë të shumta – gjuhësore, kulturore e artistike, kreative, digjitale, të nxënit aktiv, ndërkulturore dhe bashkëpunuese me komunitetin – dhe secila prej tyre ndërton një qasje të gjallë, ku fëmijët e mësojnë gjuhën në mënyrë përjetuese. Cilësia matet në momentin kur një fëmijë e përdor shqipen natyrshëm: në lojë, në bisedë, në prezantime. Ky është suksesi i çdo mësuesi në diasporë.

Në punën praktike, aktivitetet që lidhen me familjen dhe shkollën janë thelbësore. Projekte si “Vjeshta flet shqip”, me art, poezi dhe recitime, apo leximi i udhëhequr për “Ditën e Librit” me prindër, sjellin një dimension ndryshe në klasë. Takimet me shkrimtarë, shkëmbimet kulturore, vizitat e nxënësve nga Selaniku, shkëmbimi i kartolinave me shkollën e Saradranit në Istog, publikimet e aktiviteteve në faqen e shkollës OVS Jagdgasse 22 – të gjitha këto krijojnë zhvillim gjuhësor, emocional dhe rrisin transparencën e motivimin te fëmijët dhe familjet.

Bashkëpunimi me shkollat vendase është një tjetër hap i rëndësishëm. Nxënësit prezantojnë valle shqiptare në festat e fundvitit, marrin pjesë në programet e 1 Qershorit, apo realizojnë projekte të përbashkëta si “Kater stinët” me nxënësit e klasave gjermane. Po aq i rëndësishëm është bashkëpunimi me institucionet austriake, përmes takimeve informuese, përfshirjes së prindërve në veprimtari gjuhësore dhe rolit të mësuesit shqiptar si ndërmjetësues interkulturor, që shpjegon dallimet kulturore, ndihmon fëmijët të shmangin ndjenjën e inferioritetit kulturor dhe u ofron prindërve informacion mbi sistemin shkollor austriak. Në aspektin pedagogjik, cilësia e mësimit forcohet me punë kërkimore me narracion personal, si intervistat me gjyshërit, të cilat dokumentojnë identitetin familjar, zhvillojnë aftësinë hulumtuese, sjellin histori reale e emocionale në klasë dhe forcojnë lidhjen ndërbrezore.

Roli i prindërve është kyç: bashkëpunimi i vazhdueshëm, takimet “Kafe me nënat”, organizimi i festave kombëtare dhe rrjetizimi mes familjeve krijojnë një komunitet aktiv dhe të bashkuar. Produktet finale, si pllakata, shërbejnë për të nxitur të mësuarit aktiv, për të forcuar fjalorin, për të lehtësuar të kuptuarin dhe për të krijuar mundësi për vlerësim formativ. Klasat pasurohen edhe me aktivitete si grupi i poetëve të rinj, grupi i artistëve të rinj, si dhe bashkëpunimet me institucionet diplomatike – “Ore leximi” në Ambasadën e Shqipërisë, programet artistike në Ambasadën e Kosovës për Ditën e Pavarësisë. Nxënësit marrin pjesë edhe në aktivitete jashtëshkollore, si vizita në Muzeun Historik, gara sportive dhe festimet e 28 Nëntorit e 17 Shkurtit.

Në përfundim, kombinimi i entuziazmit fillestar me organizimin profesional krijon një model të qëndrueshëm për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë. Kjo qasje, e mbështetur në kreativitet, përkushtim dhe lidhje të forta kulturore, e shndërron klasën e shqipes në një hapësirë ku nxënësit ndërtojnë identitet dykulturor, duke ruajtur rrënjët e tyre shqiptare dhe duke u integruar me dinjitet në shoqërinë pritëse.

Nga Miradije Berishaj – Prezantim i mbajtur në seminarin “Rrugëtimi i klasave të gjuhës shqipe në diasporë: nga entuziazmi i fillimit te qëndrueshmëria dhe cilësia e mësimdhënies” organizuar nga Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë (KKAD). 

Materialet e publikuara nga “Diaspora Shqiptare” janë të mbrojtura nga të drejtat e autorit. Rishpërndarja, riprodhimi, modifikimi apo përdorimi i tyre, i pjesshëm ose i plotë, pa lejen e shprehur të redaksisë, është i ndaluar dhe shkel ligjet mbi të drejtat e pronës intelektuale.