Përfaqësuesit e familjeve shqiptare të personave të zhdukur nga Kosova, në një konferencë të mbajtur në Beograd ku morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve serbe, kërkuan nga Serbia përgjigje të plota dhe konkrete për fatin e të pagjeturve. Ata theksuan se familjet nuk kanë nevojë për deklarata politike, por për informacione të sakta dhe veprime të prekshme.
“Kërkojmë që marrëveshjet e nënshkruara mes dy shteteve të zbatohen në praktikë. Familjet nuk kanë nevojë për deklarata politike, por për informacione të sakta. Nga Serbia kërkojmë transparencë të plotë, dorëzimin e të gjitha të dhënave dhe përfshirjen e ekspertëve të Kosovës në të gjitha fazat e kërkimit të lokacioneve. Çdo vonesë e ul shpresën dhe dinjitetin e familjeve”, deklaroi Gjyle Haziri nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur.
Në këtë konferencë, ku përfaqësues të familjeve shqiptare dhe serbe u ulën së bashku në prag të 10 dhjetorit – Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut – u kërkua përshpejtimi i procesit të kërkimit të personave të zhdukur, forcimi i bashkëpunimit institucional dhe intensifikimi i punimeve në të gjitha lokacionet e mundshme të varrezave masive.
“Familjet kërkojnë të vërtetën dhe ndëshkimin e përgjegjësve. Kjo është e drejta jonë. Çështja e personave të zhdukur është para së gjithash çështje humanitare dhe civilizuese, e jo politike”, tha Natasha Shqepanoviq nga Shoqata e Familjeve të Serbëve të Zhdukur nga Kosova.
Përfaqësues të Komisionit për Personat e Zhdukur të Qeverisë së Serbisë bënë të ditur se, me kërkesë të palës kosovare, janë duke u zhvilluar kërkime në disa lokacione të dyshuara për varreza masive. Ata theksuan se çështja është ngritur edhe në nivelin më të lartë të dialogut në Bruksel, megjithëse procesi ka ngecur.
“E rëndësishme është që procesi të rifillojë dhe politika të largohet prej tij. Detyra jonë është të ushtrojmë presion mbi institucionet dhe të qëndrojmë pranë familjeve. Nuk bëhet fjalë për statistika; derisa të gjendet personi i fundit, puna nuk është e përfunduar”, u shpreh Mërgim Memoviq nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur.
Gjatë konferencës u rikujtua se ende janë 1.580 persona të zhdukur. Familjet nënvizuan se nuk do të heqin dorë nga kërkesa për përshpejtimin e procesit, duke theksuar se pa zgjidhjen e kësaj çështjeje nuk mund të ketë dialog të qëndrueshëm dhe as pajtim të vërtetë mes palëve.



