Sipërmarrësja shqiptare në Connecticut, Gjinovefa “Gina” Luari, 33 vjeç, dikur një nga emrat më të përfolur për suksesin e restoranteve të saj “The Place 2 Be”, po përballet tani me një sërë problemesh ligjore që kanë vënë në rrezik jo vetëm reputacionin, por edhe të ardhmen e biznesit të saj.
Luari, e cila dikur numëronte restorante në Hartford, West Hartford, New Haven, Springfield dhe plane për t’u zgjeruar në Dallas, ndodhet tashmë nën hetim dhe përballë dy akuzave penale: lëshim të çeqeve falso dhe vjedhje të shkallës së dytë shkruan Diaspora Shqiptare.
Ken Swerdlick, pronar i Restaurant Equipment Paradise në East Hartford, shprehet i zhgënjyer pas intervistës së fundit të Gina Luarit për News 8. Ai pretendon se ajo i detyrohet rreth 11 mijë dollarë nga dy çeqe të pambledhura dhe se, pas disa javësh pa përgjigje, u detyrua të kontaktonte policinë.
“Ajo gjithmonë më ka paguar… derisa ndaloi,” tha Swerdlick. Ai shton se ka investuar rreth 100 mijë dollarë për pajisjet e projektit të parealizuar “The Place 2 Be Bakery” në Blue Back Square, i cili u mbyll para hapjes për shkak të dëbimit.
“The Place 2 Be” ka kaluar nga një rrjet me 300 punonjës në vetëm 150, ndërsa pjesa më e madhe e planeve të zgjerimit është pezulluar. Aktualisht, zinxhiri ka mbetur me vetëm tre lokacione funksionale.
Në intervistën me News 8, Luari rrëfeu se publikimi i fotos së saj të arrestimit ishte një prej goditjeve më të forta:
“Nuk e imagjinoja kurrë që diçka e tillë mund të më ndodhte.”
Ajo tha se zgjerimi i shpejtë i restoranteve u bazua në kërkesën e madhe, me radhë pritjeje deri në tre orë. Por problemet nisën në vitin 2024, me akuzat për mospagesë të qirasë dhe mbylljen e disa vendeve për shkak të përmbytjeve, vandalizmit apo mosmarrëveshjeve me pronarët e ambienteve.
Sa i përket çeqeve të diskutueshme, Luari i quajti ato “një keqkuptim të pastër”, duke pretenduar se çekët u firmosën nga një bllok i vjetër çekësh që supozohej të ishte aktiv.
Luari thotë se synon të rikthejë stabilitetin:
“Po ndërtojmë një markë të fortë dhe po i tregojmë komunitetit se jemi të përkushtuar.”
Ajo pritet të rikthehet në gjykatë të martën, ku do të përballet sërish me akuzat penale. /Diaspora Shqiptare/



