Qeveria britanike po konsideron ofrimin e më shumë se 3 mijë paundëve për qindra familje shqiptare, si nxitje për largimin e tyre vullnetar nga Mbretëria e Bashkuar. Masa është pjesë e paketës së re të ashpërsimit të politikave të emigracionit, ndërkohë që autoritetet synojnë të reduktojnë numrin e azilkërkuesve që vijojnë të qëndrojnë në vend, pavarësisht refuzimit të kërkesës për mbrojtje.
Nisma u bë publike pasi Ministrja e Brendshme, Shabana Mahmood, njoftoi në Parlament se rreth 700 familje shqiptare, përfshirë edhe ato me fëmijë, pritet të deportohen në kuadër të reformës së qeverisë. Shumë nga këto familje kanë marrë tashmë përgjigje negative për azilin, por vazhdojnë të strehohen në qendra të financuara nga shteti.
Zëvendësministri britanik për Sigurinë e Kufijve, Alex Norris, tha për median se pagesa prej rreth 3 mijë paundësh, e cila pritet të rritet, shihet si “një investim i mirë për taksapaguesit britanikë”. Sipas tij, kostoja aktuale e strehimit për familjet që kanë marrë refuzim është shumë më e lartë për shtetin, prandaj mbështetja financiare për largim vullnetar do të ishte një zgjidhje më efikase.
Norris nuk dha një shumë përfundimtare, duke lënë të kuptohet se stimujt financiarë mund të rriten më tej, ndërsa qeveria përgatit fazën e re të politikave të emigracionit.
Marrëveshja e riatdhesimit dhe sfondi politik
Plani lidhet ngushtë me marrëveshjen e riatdhesimit Shqipëri–Britani, të firmosur në vitin 2022 nga kryeministri Edi Rama dhe ish-kryeministri britanik Rishi Sunak, e cila lehtëson kthimin e shtetasve shqiptarë me kërkesa të refuzuara.
Britania synon të ulë kostot afatgjata të akomodimit të familjeve që kanë humbur të gjitha rrugët ligjore, por që ende nuk janë larguar vullnetarisht.
Edhe fëmijët e lindur në Britani mund të deportohen
Në një intervistë për gazetën The Telegraph, Norris theksoi se fëmijët e lindur në Mbretërinë e Bashkuar nga prindër me kërkesa të refuzuara për azil nuk përjashtohen nga procesi i deportimit. Sipas tij, rastet do të trajtohen “rast pas rasti”, por ligji i emigracionit lejon largimin e të gjithë anëtarëve të familjes.
“Për momentin mund t’u paguajmë rreth 3 mijë stërlina dhe nuk kërkoj ndjesë për këtë. Fëmijët e azilkërkuesve të dështuar do të largohen nga Britania edhe nëse janë lindur këtu,” deklaroi Norris.
Kosto për taksapaguesit britanikë
Taksapaguesit vazhdojnë të paguajnë për strehimin e këtyre familjeve, të cilave u është refuzuar azili, por që nuk kanë pranuar kthimin vullnetar në Shqipëri. Ky mbetet një nga argumentet kryesore të qeverisë së Londrës për të rritur presionin ndaj rasteve të pazgjidhura.
Sipas burimeve qeveritare, ministrja Mahmood po shqyrton gjithashtu rritjen e shumës së ofertës financiare për ata që pranojnë të largohen me dëshirë.
Nisma pritet të jetë një nga lëvizjet më të forta të autoriteteve britanike ndaj shtetasve shqiptarë në sistemin e azilit që prej vitit 2022.



