Policia Kufitare në Kakavijë njoftoi se sot, nga ora 18:00 deri në 21:00, aksi rrugor Kakavijë–Janinë do të jetë i bllokuar në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, për shkak të një proteste të organizuar nga fermerët grekë. Gjatë kësaj periudhe do të lejohen të kalojnë vetëm automjetet me emergjenca shëndetësore. Autoritetet shqiptare u kërkojnë qytetarëve të planifikojnë udhëtimet në orare të tjera për të shmangur vonesat.
Protestat e fermerëve në Greqi kanë hyrë në ditën e gjashtë, duke u shtrirë çdo ditë në pika të reja të rëndësishme të rrjetit rrugor. Blloqe të reja janë ngritur sot pranë Aeroportit të Maqedonisë dhe pritet të vendosen edhe në zona si Fthiotida, Bralos, Siatista dhe Kastro Viotias. Fundjava do të sjellë bllokime të tjera, përfshirë edhe mobilizimet e fermerëve në Veri të Evrosit. Objektivi i tyre është arritja e të paktën 30 blloqeve të mëdha në mbarë Greqinë deri në fund të javës.
Fermerët deklarojnë se janë të gatshëm për dialog me qeverinë, por vetëm me kushte të qarta që garantojnë negociata të mirëfillta. Që nga e hëna, ata paralajmërojnë aksione të reja në qytete, ndër të cilat pushtime portesh, marshime me traktorë dhe veprime të tjera që ende nuk janë bërë publike.
Java e ardhshme pritet të jetë vendimtare, pasi planifikohet takimi i parë joformal mes përfaqësuesve të fermerëve dhe qeverisë, i cili do të shërbejë për të testuar vullnetin e palëve përpara një mbledhjeje zyrtare. Në fund të javës së ardhshme, Komiteti Kombëtar i Bllokimeve do të mblidhet në Nikaia të Larisës për të vendosur mbi hapat e mëtejshëm dhe mundësinë e përshkallëzimit të protestave.



