Të dhëna nga gjykatat britanike tregojnë se një numër i konsiderueshëm shtetasish shqiptarë, të deportuar nga Mbretëria e Bashkuar, po arrijnë të rikthehen ilegalisht në vend, shpesh duke paguar deri në 20 mijë paund trafikantët e emigracionit. Ky fenomen po përshkallëzohet pavarësisht ligjeve strikte që parashikojnë deri në pesë vjet burg për shkelje të urdhrave të deportimit, raporton “The Telegraph”.
Në dallim nga shtetet e tjera, Britania kryen fluturime të rregullta për deportimin e shqiptarëve, shpesh çdo javë, për personat që kanë kryer krime apo kanë përfunduar dënimet në burgjet britanike. Megjithatë, rikthimet ilegale ndodhin në mënyrë të vazhdueshme dhe shpesh para se individët të arrestohen sërish për vepra të reja penale.
Rastet e fundit e ilustrojnë qartë këtë fenomen. Dorian Puka, 29 vjeç, i dënuar dhe i deportuar dy herë për vjedhje, u rikthye në Britani, ku për një vit provokoi autoritetet me video luksoze në rrjetet sociale, ndërkohë që procesi i tij i azilit ishte ende i hapur. Një rast tjetër është ai i Dilaver Domit, 31 vjeç, i deportuar dy herë për prodhim kanabisi, i rikthyer përsëri këtë vit përpara se të arrestohej në Penrith dhe të dënohej me 20 muaj burg. Në Bradford, dy shtetas të tjerë shqiptarë, Fatos Demucaj dhe Daniel Kabali, u kapën duke menaxhuar një plantacion kanabisi me vlerë rreth 1 milion paund.
Rikthimet ilegale realizohen përmes metodave të ndryshme, duke përfshirë furgonët e mallrave, jahte, fluturime indirekte dhe gomone që zakonisht përdoren për kalimin e Kanalit të La Manshit. Sipas “The Telegraph”, trafikantët u kërkojnë kriminelëve pagesa deri në 20 mijë paund, ose ua mundësojnë udhëtimin falas në këmbim të kryerjes së detyrave kriminale në Britani.
Gazeta britanike thekson se edhe pas vendimeve të shumta për deportim, disa individë kthehen për të kryer të njëjtat krime, kryesisht në prodhim dhe shpërndarje droge, para se të kapen përsëri nga policia. Ky fenomen nxjerr në pah sfidat e vazhdueshme të qeverisë britanike për të kontrolluar emigracionin ilegal dhe aktivitetin kriminal të deportuarve.



