Në 30 nëntor, dy ditë pas festës sonë kombëtare, një rrugë në Staten Island, New York do të marrë edhe emrin “Isa Boletini”.
Ky është rezultat i punës së madhe që po bën Naser Nika, kryetar i Shoqatës Shqiptare Amerikane në Staten Island, superlagjia njujorkeze ku jetojnë mijëra shqiptarë. Nisma e tij e radhës ka gjetur mbështetje mes bashkatdhetarëve tanë dhe shoqatave të tyre në New York.
Kjo ngjarje nderon heroin tonë kombëtar Isa Boletini, por edhe nënvizon rëndësinë në rritje të komunitetit shqiptar në New York dhe SHBA.
Bashkemërtimi i rrugës si “Isa Boletini Way”, do të bëhet gjatë një ceremonie zyrtare, më 30 nëntor 2025, nga ora 11:00 AM – 4:00 PM, në kryqëzimin e Seaview Ave & Father Capodanno Blvd, Staten Island, NY.
Të gjithë anëtarët e komunitetit shqiptarë dhe miqtë e tyre janë të mirëpritur. Do të ketë zyrtarë amerikanë dhe figura të njohura shqiptaro-amerikane.
Do të jet një ngjarje e bukur që do të shpalosë kulturën dhe historinë shqiptare si dhe suksesin e komunitetit tonë.
Nismëtari i ngjarjeje, Naser Nika thotë se ka plane të mëdha për komunitetin shqiptar. Nuk do të jetë e largët dita kur të kemi kongresistin tonë dhe të zgjedhurit tanë në të gjitha nivelet e pushtetit.



