Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, zhvilloi një takim zyrtar me Lord Timpson, ministër i Shtetit për Burgjet, Shërbimin e Provës dhe Uljen e Përsëritjes së Veprave Penale të Mbretërisë së Bashkuar. Takimi, i mbajtur në Tiranë, u fokusua në forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën penale dhe atë penitenciare.
Lamallari theksoi se marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar përbëjnë një bazë të fortë për zhvillimin e mëtejshëm të partneritetit në sundimin e ligjit dhe forcimin e shtetit të së drejtës. Ai nënvizoi angazhimin e qeverisë shqiptare për të avancuar zbatimin e marrëveshjes për transferimin e të dënuarve, koordinimin e rasteve të ekstradimit dhe rritjen e efikasitetit të bashkëpunimit gjyqësor.
“Ne jemi të përkushtuar të avancojmë zbatimin e marrëveshjes për transferimin e të dënuarve, koordinimin e rasteve të ekstradimit dhe forcimin e partneritetit gjyqësor. Marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve tona janë një premisë e shkëlqyer për të thelluar bashkëpunimin në fushën e sundimit të ligjit”, deklaroi ministri Lamallari.
Gjatë takimit, ai u ndal edhe te deklaratat e fundit diskriminuese të zyrtarëve britanikë ndaj komunitetit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, duke i cilësuar ato të padrejta dhe të dëmshme.
“Narrativat diskriminuese, përçarëse dhe frymëzuese të stereotipeve negative ndaj një kombësie të caktuar janë të padrejta, aspak korrekte dhe, siç koha ka dëshmuar, rezultojnë boshe dhe kundërproduktive,” u shpreh Lamallari, duke nënvizuar rëndësinë e respektit dhe trajtimit të barabartë.
Ky reagim i ministrit vjen tre ditë pas komenteve të kryeministrit Edi Rama, i cili i konsideroi zhgënjyese deklaratat e ministres britanike Shabana Mahmood për dëbimin e 700 familjeve shqiptare që, sipas saj, vijojnë të jetojnë në Britani me fonde të taksapaguesve edhe pas refuzimit të kërkesave për azil.
Ndërkohë, nuk është hera e parë që zyrtarë të lartë britanikë kanë bërë deklarata të kontestuara për shqiptarët. Kujtohet se më herët edhe ish-sekretarja e Brendshme, Suella Braverman, kishte përdorur tone të ngjashme, të cilat nxitën reagime të forta si në Shqipëri ashtu edhe në Britani.
Takimi Lamallari–Timpson u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit institucional mes dy vendeve, duke synuar jo vetëm përmirësimin e politikave të drejtësisë, por edhe adresimin e keqkuptimeve që ndikojnë negativisht në marrëdhëniet mes dy popujve.



