Shqipëria humbi sot një nga figurat më të shquara të artit të saj. Regjisori i madh, Dhimitër Anagnosti, është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë. Lajmin e trishtë e bëri të ditur vajza e tij, Juna Anagnosti, përmes një postimi në rrjete sociale, ku shkroi:
“Lamtumirë Dhimitër Anagnosti, regjisori i jetës sonë! Pas një lëngimi të gjatë ju binde ligjit të jetës! Lamtumirë babush!”.
Ndërsa dhimbja për humbjen e një prej ikonave të kinemasë shqiptare përshkoi botën e artit, nuk munguan reagimet edhe nga politika. Kryeministri Edi Rama e quajti Anagnostin “babai i kinemasë shqiptare”, autor i skenareve që shënuan rrugëtimin e shtatëmbëdhjetë kinematografisë kombëtare. Presidenti Bajram Begaj u shpreh se “plejadës së artistëve të mëdhenj shqiptarë iu shkëput sot një tjetër yll”, ndërsa ish-presidenti Ilir Meta e përshkroi trashëgiminë e tij si “një monument të pavdekshëm”.
Me një karrierë mbi 40-vjeçare, Anagnosti u shqua si një nga regjisorët më të mëdhenj të historisë së kinemasë shqiptare. Ai realizoi 14 filma artistikë dhe 10 dokumentarë, duke fituar çmime të shumta kombëtare e ndërkombëtare. Ishte gjithashtu autor i 15 skenarëve, shumicën e të cilëve i realizoi vetë në ekran.
Anagnosti kishte pasion edhe letërsinë. Ai botoi dy libra, romanin “Koburja nga Europa” (2017) dhe “Ulliri pema e dhembjes” (2019), në të cilin, i cili zbulon dy jetët e tij, atë të shkrimtarit dhe kineastit.
Për cilësitë e tij të rralla artistike, qëndrimin qytetar si dhe për veprat e tij dinjitoze është nderuar me titullin “Artist i Popullit” dhe është vlerësuar me dekoratat “Nderi i Kombit” dhe “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Përveç artit, ai ka dhënë kontribut edhe në politikë. Ka shërbyer si deputet i PD-së (1991-1996). Në 12 prill 1992, u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri në 4 dhjetor 1994, ku dha dorëheqjen
Anagnosti ishte i martuar me aktoren e mirënjohur të skenës dhe ekranit shqiptar, “Artisten e Merituar” Roza Anagnosti.
Jeta pas Ciak-ut
Së bashku me Viktor Gjikën xhiruan si punë diplome filmin “Njeriu kurrë nuk vdes”, një ekranizim i tregimit të Ernest Heminguejt, i cili u vlerësua me Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike, që u zhvillua në Holandë më 1961.
Filloi punë si operator në Kinostudion “Shqipëria e re” në 1961, me filmin “Debatik” (1961) e më pas me filmin “Toka jonë” (1964). Xhiroi edhe të parin film dokumentar me ngjyra “Gurët dekorativë”.
Filmin e parë si regjisor e realizoi në vitin 1966, së bashku me Viktor Gjikën, “Komisari i dritës” dhe një vit më vonë i vetëm si regjisor filmin “Dueli i heshtur”.
Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze është nderuar me titullin “Artist i Popullit”, 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10-të Filmit Shqiptar.
Në vitin 2001 shkroi, dhe vuri në skenë në Teatrin Kombëtar dramën e vetme “Nata e trokitjeve në xham”.
Ndërsa në vitin 2005 korri sukses me filmin e tij më të fundit “Gjoleka, djali i Abazit”, film i cili rrëmbeu dy çmime ndërkombëtare në Itali.
Anagnosti ishte ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”, duke mbështetur intelektualët më aktivë, duke u impenjuar në forcimin e kulturës shqiptare në vend e në botë.
Filmat më të njohur nga Dhimitër Anagnosti:
* Gjoleka, djali i Abazit (2006)
* Kthimi i ushtrisë së vdekur (1989)
* Përrallë nga e kaluara (1987)
* Gurët e shtëpisë sime (1985)
* Kujtime nga Gjirokastra (1983)
* Vëllezër dhe shokë (1982)
* Në shtëpinë tonë (1979)
* Monumenti (1977)
* Lulëkuqet mbi mure (1976)
* Kur hiqen maskat (1975)
* Cuca e maleve (1974)
* Përjetësi (1974)
* Motive nga dita e diel (1973)
* Malet me blerim mbuluar (1971)
* Parafabrikatet (1970)
* Plagë të vjetra (1968)
* Duel i heshtur (1967)
* Komisari i dritës (1966)
* Njeriu kurrë nuk vdes (1961).




