Nga Beqir Sina
Të shtunën, 28 nëntor 2026, Dita e Flamurit dhe 114-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë u shënuan me solemnitet të thellë në Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale të Nju Jorkut.
Ceremonia tradicionale e ngritjes së flamurit kuqezi mbi kambanoren e kishës, e shoqëruar me Meshën e Shenjtë, solli bashkë komunitetin shqiptar të diasporës në një akt të dyfishtë krenarie fetare dhe kombëtare.
Në mesditë, meshtari Dom Pjetër Popaj ngriti flamurin kombëtar mbi kambanore, i shoqëruar nga fëmijët dhe të rinjtë e famullisë, të veshur me kostume tradicionale popullore.
Kjo traditë, e kishës katolike, thekson Dom Popaj, vazhdon pa ndërprerje prej më shumë se tre dekadash, dhe mbetet një nga momentet më të forta të identitetit shqiptar në Nju Jork.
Flamuri valoi lart në kumbanore në “krah” të shtatores gjigande të Skëndërbeut dhe Nëna Terezes, ndërsa të pranishmit e ndiqnin me nderim dhe emocion.
Mesha festive Ditës së Flamurit kuq e zi u kushtua Ditës së Pavarësisë dhe u shoqërua me lutje të veçanta për dëshmorët dhe martirët e kombit shqiptar. Fjalimet theksuan rëndësinë e 28 nëntorit si ditë që bashkon kujtesën historike me besimin e gjallë.
Komuniteti shqiptar i zonës mbushi oborrin e kishës dhe mjediset e brendshme, ku fëmijët me veshje kombëtare, prindërit dhe veteranët e diasporës qëndruan krah për krah.
Atmosfera ishte e bukur, e denjë dhe e mbushur me krenari të thellë kombëtare.
Pas ceremonisë liturgjike, aktiviteti vazhdoi me program kulturor. Grupi i rinjve dhe fëmijëve interpretuan valle popullore në sallën e kishës, Qendrën Kulturore “Nëna Tereze”, duke sjellë gjallëri dhe vazhdimësi të traditës.
Më pas, pjesëmarrësit u mblodhën rreth tryezave për një darkë bashkësie, ku u shkëmbyen përshëndetje dhe u përsërit mesazhi i unitetit. Në të njëjtën ditë, shumë prej tyre vizituan edhe monumentin e Skënderbeut, duke lidhur simbolikën e heroit kombëtar me aktin e ngritjes së flamurit në kambanore.
Kisha “Zoja e Shkodrës” mbetet pikë referimi për shqiptarët e Nju Jorkut.
Ngritja e flamurit çdo 28 nëntor nuk është thjesht ritual, por ripërtëritje e besimit se kombi dhe feja qëndrojnë së bashku. Në një kohë kur diaspora kërkon vazhdimisht mënyra për të ruajtur identitetin, kjo ceremoni dëshmon se rrënjët mbeten të forta.
Dom Pjetër Popaj dhe famullia kanë krijuar një model që kalon nga një brez te tjetri. Fëmijët që sot ngrenë flamurin do të jenë nesër ata që do ta mbrojnë këtë traditë.
Në këtë kuptim, 28 nëntori në Hartsdale nuk është vetëm përkujtim i së kaluarës, por edhe angazhim për të ardhmen.
Me këtë meshë dhe ceremoni për ngritjen e flamurit në kumbanoren e kishës – flamurit që valon mbi kambanoren e Zojës së Shkodrës – diaspora shqiptare e Nju Jorkut dëshmoi edhe një herë se krenaria kombëtare dhe besimi fetar nuk ndahen.
Ato qëndrojnë së bashku, të forta dhe të gjalla.