Nga Soni Memoci
Më 26 nëntor 2026, Parlamenti i Brukselit do të presë konferencën “Shqiptarët, 70 vjet më pas?”. Veprimtaria do të bashkojë përfaqësues të shoqatave shqiptare, sipërmarrës, artistë dhe pasardhës të emigrantëve të vitit 1956.
Konferenca zhvillohet me nismën e Grupit Socialist në Parlamentin e Brukselit, ndërsa në agjendën e “Visit Brussels”, shkruhet se organizatore është edhe administrata komunale e Koekelbergut. Në qendër të programit janë historia e emigracionit shqiptar dhe kontributi i diasporës në jetën shoqërore, ekonomike dhe kulturore të Belgjikës.
Mbërritja në Andenne dhe kujtesa familjare
Më 1 gusht 1956, një tren nga kampi i Gerovos, në ish-Jugosllavi, mbërriti në stacionin Andenne-Seilles. Sipas Bashkisë së Andenne-s, mes rreth 700 refugjatëve që udhëtonin me atë tren ishin rreth 350 shqiptarë. Belgjika i priti si refugjatë politikë dhe i strehoi përkohësisht në Seilles. Kjo mbërritje është ngjarja që përkujton 70-vjetori.
Sipas programit, konferencën nis në orën 09:00 me fjalën e Ornela Priftit, zëvendëssekretare politike e Grupit Socialist dhe anëtare e ekzekutivit komunal të Koekelbergut, dhe Kolë Gjeloshaj, bashkëpunëtor shkencor në Cevipol, pranë Universitetit të Lirë të Brukselit. Pas hapjes do të shfaqet një material mbi mbërritjen e trenit në Andenne. Në seancën e orës 12:45 do të flasë edhe Léah Beca, studente dhe mbesë e një emigranti të vitit 1956, Hyra Laci, Ahmed Laaouej dhe ambasadori i Shqipërisë në Belgjikë Gazmend Barbullushi.
Shoqatat e diasporës dhe angazhimi i studentëve
Paneli i parë, në orën 09:20, do të trajtojë rolin e shoqatave dhe përfaqësimin e komunitetit shqiptar në institucione. Diskutimin do ta moderojë Uliks Polloshka, student dhe nënkryetar i Vlerës, shoqatë e studentëve shqiptarë. Në panel do të marrin pjesë Fatmir Leci, Ismet Ademi nga Iliriada, Genti Metaj nga Konitza, Hamide Canolli nga Dora Dorës dhe Liridon Lika nga Universiteti i Lièges.
Pasditja përfshin një hapësirë ku publiku do të mund të njihet me veprimtarinë e Konitza-s, Iliriadës, Vlerës, Albelges dhe Dora Dorës. Lola Kaçiu do të përfaqësojë Albelges, ndërsa Vlera sjell në program përvojën dhe angazhimin e studentëve shqiptarë.
Sipërmarrja, kultura dhe sporti
Në orën 10:20, paneli i moderuar nga Enida Rrapaj do të trajtojë kontributin ekonomik të diasporës përmes përvojave të sipërmarrësve dhe profesionistëve. Në orën 11:20, Safet Kryemadhi do të drejtojë diskutimin mbi kontributin në kulturë dhe sport. Në orën 12:20, fjala i kalon publikut.
Nga ora 13:30, programi artistik përfshin valle tradicionale nga Shqiponjat e Brukselit, këngë nga Iliriada dhe interpretime muzikore. Publiku do të mund të shohë vepra të krijuara për përvjetorin nga Dastid Miluka, Vilson Bicaku, Vjola Leskaj dhe Skender Hyseni, si dhe të njihet me autorët Safet Kryemadhi, Kimete Mitrovica Basha dhe Deniza Miftari. Programi parashikon gjithashtu një transmetim të drejtpërdrejtë nga Radio Jehona e Shqipes dhe degustim të kuzhinës shqiptare.







