Nga Sabri Shehu, Gjermani
Si një person që tërë jetën e kam projektuar që të jem në shërbim të atdheut dhe njerëzve të tij, më lejoni që, në prag të festës së madhe të 28 Nëntorit, të them disa fjalë, me bindjen se ato do të përcjellin te të gjithë ju një energji dhe një mendësi deri tani të paprovuar!
Historia njerëzore ka kaluar nëpër sfida të ndryshme, por në të kaluarën e popullit shqiptar kemi një dallim të madh, të cilin fatkeqësisht vazhdojmë ta përjetojmë edhe sot. Festa e madhe e Flamurit sikur na e ndez edhe më shumë krenarinë dhe dashurinë ndaj atdheut. Kjo festë na bën që këtë dashuri ta përjetojmë më thellë dhe më gjerësisht! Po jetojmë në një kohë kur bota, në përgjithësi, ka bërë ndryshime të mëdha dhe hapa radikalë në zhvillimin teknik dhe teknologjik.
Ku jemi ne?!
Shqiptarët vazhdojnë të jenë të diskriminuar dhe të nëpërkëmbur nga shumë anë! Vazhdojmë të jemi të ndarë në territor dhe në bindje! Vazhdojmë ta ruajmë të njëjtin kurs të veprimit tonë politik! Meqenëse jemi në muajin e dashurisë dhe të përjetimit të një vrulli më të guximshëm të kërkesave tona për të ecur më shpejt drejt realizimit të qëllimeve kombëtare, besoj se duhet urgjentisht ta ndërrojmë kursin e ecjes sonë!
1. Mospajtimet tona politike t’i shprehim me fakte dhe argumente konkrete.
2. Dëshirat tona t’i shndërrojmë në një metodë induktive ndikimi te masat, duke krijuar frymën e ndryshimit.
3. Formën e protestimit ta ndryshojmë rrënjësisht.
4. Demokracinë, si pushtet të popullit, ta përdorim për të krijuar vlera drejtuese dhe jo mundësi për gllabërim.
5. Forcën e mosbindjes ndaj padrejtësive ta kthejmë në aksion ndërtimi dhe jo shkatërrimi.
Shumë bashkëkombës kanë menduar që festën e Nëntorit ta përdorin për të shkaktuar tërmete të rrezikshme në shtet. Bindja ime është se këtë ditë të madhe duhet ta shfrytëzojmë për të përcjellë mesazhe kthjellimi në ndërgjegjen tonë! Të mobilizohemi dhe ta orientojmë protestën tonë drejt një aksioni vullnetar për të rregulluar gjithçka aty ku shteti nuk e ka zgjatur dorën e vet!
Demokracia është të fitosh besimin përmes bindjes se unë mund ta bëj më mirë, duke shpërfaqur vlerat e mia. Po, pra, të dalim dhe t’i pastrojmë kanalizimet, që të mos na vërshojnë ujërat në pronat tona, siç na ka ndodhur! Ne sot kemi nevojë për protesta ndërtimi dhe jo shkatërrimi! T’i mbjellim malet tona me fidane të reja, që ta bëjmë atdheun tonë edhe më të bukur dhe më joshës! Të hartojmë një plan të studiuar për nevojat emergjente që ka vendi! Të themi me zë të lartë se atdheun duhet ta ndërtojmë dhe jo ta shkatërrojmë.
Se aty ku kemi arritur, atë sukses duhet ta avancojmë edhe më tej, duke krijuar frymën e përgjegjësisë, bashkëpunimit dhe veprimit qytetar. Sepse atdheu nuk është vetëm kujtesa e së kaluarës, por mbi të gjitha përgjegjësia jonë për të ardhmen! Nuk mjafton të jemi krenarë për historinë tonë, nëse nuk dimë të krijojmë histori të reja me punën, dijen dhe veprat tona.
Nuk mjafton ta valëvitim flamurin, nëse nuk jemi të gatshëm të mbajmë mbi supe përgjegjësinë që ai simbolizon. Nuk mjafton të kërkojmë nga shteti të bëjë gjithçka, nëse ne vetë nuk jemi të gatshëm të bëhemi pjesë e zgjidhjes. Shqiptarët kanë dëshmuar ndër shekuj se dinë të sakrifikojnë për liri. Sot koha kërkon të dëshmojmë se dimë edhe të ndërtojmë, të organizohemi, të bashkëpunojmë dhe të krijojmë mirëqenie. Le ta kuptojmë se forca e një kombi nuk matet vetëm me historinë e lavdishme, por edhe me aftësinë për të ndërtuar të ardhmen.
Le ta kthejmë 28 Nëntorin në një ditë të zotimit qytetar: secili prej nesh të bëjë diçka konkrete për vendin, për qytetin, për fshatin, për natyrën dhe për njeriun që ka pranë. PATRIOTIZMI NUK ËSHTË VETËM AJO QË NDIJEMË PËR ATDHEUN, POR MBI TË GJITHA AJO QË BËJMË PËR TË!
Gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë! Ditën e daljes publike të UÇK-së Ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari Qoftë kjo festë një fillim i ri i mendësisë sonë kombëtare: nga ndarja drejt bashkimit, nga fjalët drejt veprave, nga protestat shkatërruese drejt aksioneve ndërtuese!
RROFTË SHQIPËRIA! RROFTË Dardania ! RROFTË KOMBI SHQIPTAR!