Nga Soni Memoci
Këshilltari komunal i pavarur në Evere kërkon kërkimfalje publike, transparencë për organizimin e koncertit dhe përfshirjen e Kosovës në edicionet e ardhshme të Forumit për Zgjerimin.
Këshilltari komunal i pavarur në Evere të Brukselit, Liridon Demiri, ka reaguar ndaj interpretimit të këngës serbe “Oj Kosovo, Kosovo” gjatë koncertit “Melodies of Unity”, të organizuar me rastin e hapjes së Forumit për Zgjerimin të Komisionit Evropian. Në një qëndrim publik, ai e cilëson ngjarjen si skandal dhe kërkon përgjegjësi institucionale.
Sipas Demirit, interpretimi i një kënge të lidhur me pretendimet nacionaliste serbe ndaj Kosovës është veçanërisht shqetësues në një aktivitet që synon të promovojë afrimin evropian, pajtimin dhe fqinjësinë e mirë. Ai ngre gjithashtu çështjen e mungesës së Kosovës në listën e vendeve të ftuara.
“Në Bruksel, një pretendim ndaj tokës sonë pati vendin e vet. Kosova jo”, shprehet ai.
Demiri, shqiptar nga Belgjika me prejardhje nga Maqedonia dhe Kosova, thotë se reagimi i tij lidhet edhe me historinë personale dhe përgjegjësinë si i zgjedhur në qytetin ku u zhvillua koncerti.
“Nuk mund të hesht kur një institucion që e ka selinë këtu i jep skenë një pretendimi ndaj tokës së origjinës sime”, thekson ai.
Në reagimin e tij, Demiri përmend edhe kundërshtimet e përfaqësuesve të Kosovës dhe të raportuesit të Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras. Sipas deklaratës së tij, ambasadori Agron Bajrami e ka kundërshtuar paraqitjen e këngës si shkëmbim kulturor, ndërsa kryenegociatori Jeton Zulfaj e ka cilësuar ngjarjen të papranueshme.
Duke iu referuar shpjegimit të Komisionit se kënga ishte përzgjedhur nga muzikantët pa miratimin e institucionit dhe se komisionerja Marta Kos kishte shprehur keqardhje, Demiri vlerëson se përgjigjja nuk e zgjidh çështjen e përgjegjësisë.
“Ishte forumi i tyre, skena e tyre, programi i tyre zyrtar”, deklaron ai, duke kërkuar sqarime për mënyrën se si është përgatitur dhe kontrolluar programi muzikor.
Për Demirin, fakti që kënga, sipas dëshmive të përmendura në reagimin e tij, është luajtur pa tekst, nuk e ndryshon domethënien e përzgjedhjes. Ai e lidh kundërshtimin me kujtesën e luftës në Kosovë dhe me vuajtjet e familjeve që ende presin zbardhjen e fatit të të zhdukurve.
Këshilltari komunal i drejton Komisionit Evropian tri kërkesa: kërkimfalje publike ndaj Kosovës dhe familjeve të viktimave, shpjegime publike mbi organizimin e koncertit dhe ftesë për Kosovën në edicionet e ardhshme të Forumit.
“Një keqardhje nuk është kërkim falje”, thekson ai.
Përtej kritikës ndaj ngjarjes, Demiri bën thirrje për forcimin e kapaciteteve ekonomike, arsimore dhe shkencore të Kosovës. Sipas tij, mbrojtja e sovranitetit kërkon institucione të afta, prodhim, inovacion dhe mundësi për të negociuar në kushte më të barabarta me partnerët ndërkombëtarë.
Ai nënvizon se mirënjohja ndaj aleatëve perëndimorë duhet të shoqërohet me mbrojtjen e interesave të vendit. Në këtë kuadër, propozon diversifikimin e partnerëve tregtarë dhe investitorëve, në përputhje me angazhimet ndërkombëtare dhe nevojat e sigurisë së Kosovës.
Demiri veçon edhe rolin e diasporës në investime, transferim njohurish dhe krijim lidhjesh profesionale. Ai kërkon që kërkimi shkencor, teknologjia digjitale, industria inovative dhe krijimtaria të trajtohen si prioritete kombëtare.
“Historia jonë na detyron ta mbrojmë sovranitetin tonë. E ardhmja jonë na detyron ta ndërtojmë fuqinë tonë. Respekti nuk lypet. Ndërtohet”, përfundon Demiri.



