Pluralizmi shqiptar: Shumë zëra, një mendje!

E martë, 17 Nëntor, 2026

Nga Gjergj DODAJ, Bruksel.

Kur pluralizmi i ideve zëvendësohet nga pluralizmi i mënyrave për të thënë atë që dëshiron të dëgjojë Kryetari

Pluralizmi, në kuptimin e tij të vërtetë, është një prej pasurive më të çmuara të demokracisë. Ai lind nga përplasja e ideve, nga liria për të menduar ndryshe, nga e drejta për të kundërshtuar dhe nga guximi për të thënë atë që mendon, edhe kur mendimi yt nuk i pëlqen shumicës, aq më pak Kryetarit.

Demokracia nuk ka frikë nga mendimet e ndryshme. Përkundrazi, ajo ushqehet prej tyre. Aty ku ka debat, ka mundësi për përmirësim; aty ku ka kritikë, ka shpresë për korrigjim; aty ku ekziston kundërshtimi, ekziston edhe mundësia për të mos e kthyer gabimin në normë.

Por në Shqipëri, duket se kemi zhvilluar një model krejt të veçantë pluralizmi. Kemi kaluar nga pluralizmi i ideve te pluralizmi i mënyrave për të thënë të njëjtën gjë. Pra, nuk kemi më domosdoshmërisht mendime të ndryshme, por shumë mënyra për të shprehur të vetmin mendim që lejohet të mbizotërojë: atë që dëshiron të dëgjojë Kryetari i partisë apo, në raste të caktuara, Kryetari i shtetit.

Kemi ndërtuar një sistem të admirueshëm për nga thjeshtësia e funksionimit:

Kryetari flet, të tjerët dëgjojnë.

Kryetari mendon, të tjerët miratojnë.

Kryetari vendos, të tjerët zbatojnë.

Kryetari gabon, të tjerët kërkojnë shpjegime përse gabimi i tij është, në të vërtetë, një vizion i avancuar.

Dhe, nëse ndonjëri prej tyre guxon të ketë një mendim të vetin, atëherë duhet të bëjë një përpjekje të vogël intelektuale për ta përshtatur atë me mendimin e Kryetarit. Në fund të fundit, nuk është e rëndësishme çfarë mendon ti, por si mund ta shprehësh mendimin tënd pa krijuar përshtypjen se mendon ndryshe nga Ai.

Kështu, debati është kthyer në një ceremoni miratimi, mbledhjet në seanca duartrokitjesh dhe institucionet partiake në jehonë të zërit të një njeriu të vetëm. Fjalimet mund të jenë të ndryshme, intonacionet mund të ndryshojnë, argumentet mund të vishen me fjalor modern, por përfundimi është gjithmonë i njëjtë: Kryetari ka të drejtë!

Neni 1: Kryetari ka gjithmonë të drejtë!

Për ta bërë këtë sistem edhe më funksional, duket se kemi shpikur një kod të pashkruar, por të njohur nga të gjithë. Një kod me vetëm një nen, i cili mund të vendoset në hyrje të çdo selie partie, të çdo mbledhjeje dhe, pse jo, në tryezën e çdo funksionari që aspiron të ngjitet në shkallët e hierarkisë:

NENI 1: KRYETARI KA GJITHMONË TË DREJTË!

Ky nen është themeli, kushtetuta dhe njëkohësisht filozofia e sistemit tonë të pluralizmit modern. Ai nuk njeh kufij, nuk pranon kundërshtime dhe nuk ka nevojë për interpretime juridike. Është i qartë, i prerë dhe i zbatueshëm në çdo rrethanë.

Nëse ndodh që, për një çast hutimi, të mendosh se Kryetari nuk ka të drejtë, mos u shqetëso! Nuk është ende vonë. Kujto Nenin 1, merr frymë thellë dhe reflekto. Me siguri nuk është gabim i Kryetarit, por keqkuptim i yti. Ndoshta nuk e ke kuptuar vizionin, nuk e ke kapur thellësinë e argumentit ose, thjesht, nuk ke arritur ende në nivelin e duhur të ndërgjegjësimit politik.

Nëse të shkon ndër mend ta kritikosh Kryetarin, sepse mendon se në një çështje të caktuar ka gabuar, ndalu pak! Kujto përsëri Nenin 1. Një reflektim i shpejtë mund të të shpëtojë nga një gabim i pariparueshëm: të mendosh me kokën tënde.

Nëse mendon se ke merita, kontribute apo aftësi që Kryetari nuk t’i ka njohur ende, mos nxito të kërkosh vlerësim. Kujto Nenin 1! Nëse Kryetari nuk t’i ka atribuar ato merita, ndoshta nuk janë aq të rëndësishme sa mendon ti. Sepse, në këtë sistem, nuk mjafton të jesh i aftë; duhet edhe që Kryetari të të shpallë të tillë.

Dhe nëse ndonjë ditë të lind dëshira të propozosh një alternativë, një ide të re apo një rrugë tjetër, bëj kujdes! Risia mund të interpretohet si mungesë besnikërie, ndërsa mendimi ndryshe si përpjekje për të cenuar unitetin. Mos harro: uniteti është i shenjtë, sidomos kur të gjithë mendojnë njësoj!

Demokracia e duartrokitjeve

Në këtë model organizimi, duket se kemi harruar një të vërtetë elementare: një parti politike nuk është pronë private e kryetarit të saj. Ajo është një organizatë kolektive, e ndërtuar mbi ide, bindje, programe dhe kontribute njerëzore. Kryetari është përfaqësues i një strukture politike, jo pronar i ndërgjegjes së anëtarëve të saj.

Mandati i tij nuk i jep të drejtën të kërkojë bindje të verbër, por i ngarkon përgjegjësinë të dëgjojë, të bashkërendojë dhe të udhëheqë. Ai nuk është aty për të prodhuar kopje të vetvetes, por për të krijuar hapësirë ku njerëz me formim, përvojë dhe ide të ndryshme të mund të kontribuojnë.

Por çfarë ndodh kur kjo logjikë përmbyset? Kur anëtarët nuk maten më me aftësitë e tyre, por me shkallën e besnikërisë ndaj Kryetarit? Kur ngritja në përgjegjësi nuk varet nga merita, por nga afërsia personale? Kur një pyetje kritike konsiderohet mungesë respekti dhe një propozim alternativ interpretohet si sfidë ndaj autoritetit?

Atëherë kemi një demokraci të çuditshme, ku të gjithë kanë të drejtë të flasin, por askush nuk duhet të thotë diçka që nuk është thënë më parë nga Kryetari.

Kemi fjalime, por jo debat. Kemi mbledhje, por jo diskutim. Kemi votime, por jo domosdoshmërisht zgjedhje të lira mendimi. Kemi shumë njerëz në sallë, por vetëm një mendje që përcakton drejtimin.

Dhe duartrokitjet? Ato janë gjithmonë të garantuara. Madje, ndonjëherë fillojnë përpara se Kryetari të ketë përfunduar fjalinë. Një shenjë e admirueshme e sinkronizimit politik!

Autocensura: arti i të mos menduarit ndryshe

Por problemi nuk qëndron vetëm te Kryetari. Një sistem i tillë nuk mund të funksionojë pa bashkëpunimin, të heshtur ose të zellshëm, të atyre që e rrethojnë.

Këtu shfaqet një dukuri edhe më shqetësuese: autocensura.

Nuk ka nevojë që dikush të të ndalojë të flasësh, nëse ti ke mësuar paraprakisht se çfarë nuk duhet të thuash. Nuk ka nevojë të të mbyllet goja, nëse frika se mos humbet pozicionin, privilegjin apo mundësinë e karrierës të bën të heshtësh vetë.

Kështu lind një kategori e veçantë funksionarësh: njerëz që nuk shprehin atë që mendojnë, por atë që mendojnë se Kryetari dëshiron të dëgjojë. Ata nuk kanë nevojë të njihen me vendimin për ta mbështetur atë. Mjafton të kuptojnë drejtimin e erës politike.

Disa bëhen mjeshtër të komplimentit, të tjerë të heshtjes, ndërsa më të talentuarit arrijnë të shndërrojnë çdo vendim të Kryetarit në një arritje historike. Edhe kur vendimi është i vështirë për t’u shpjeguar, gjithmonë gjendet dikush që e quan strategjik. Edhe kur rezultatet mungojnë, gjithmonë gjendet një formulë për ta paraqitur dështimin si sukses të shtyrë në kohë.

Në këtë mënyrë, Kryetari rrethohet gjithnjë e më shumë nga një rreth njerëzish që i japin të drejtë, ndërsa largohet gjithnjë e më shumë nga ata që mund t’i thonë të vërtetën.

Dhe këtu qëndron paradoksi: ata që pretendojnë se janë më besnikët ndaj Kryetarit, mund të bëhen pikërisht njerëzit që e dëmtojnë më shumë, sepse e privojnë nga mundësia për të dëgjuar kritikën dhe për të korrigjuar gabimet.

Kur partia bëhet model për shtetin

Por kjo dukuri nuk mbetet e mbyllur brenda mureve të selive partiake. Ajo bëhet veçanërisht problematike kur kjo mënyrë të menduari transferohet në institucionet shtetërore.

Në një demokraci, shteti nuk është zgjatim i vullnetit të kryetarit të partisë në pushtet. Institucionet nuk janë pronë e një individi dhe administrata nuk duhet të funksionojë si një mekanizëm miratimi i vendimeve politike.

Shteti u përket qytetarëve, jo partive. Institucionet duhet t’u shërbejnë interesave publike, jo interesave të një grupi drejtues. Funksionarët publikë kanë detyrimin të zbatojnë ligjin dhe të mbrojnë interesin e përgjithshëm, jo të konkurrojnë se kush do të tregojë më shumë bindje ndaj udhëheqësit.

Kur logjika e bindjes së verbër depërton në administratë, në institucione dhe në jetën publike, dëmi bëhet shumë më i madh. Sepse aty nuk rrezikohet vetëm cilësia e debatit politik, por edhe funksionimi i shtetit dhe besimi i qytetarëve te institucionet.

Një shtet demokratik nuk ka nevojë për zyrtarë që thonë gjithmonë «PO». Ka nevojë për profesionistë që dinë të thonë edhe «JO», kur ligji, ndërgjegjja profesionale apo interesi publik e kërkojnë këtë.

Në fund të fundit, një vend nuk qeveriset mirë nga njerëz që kanë frikë të kundërshtojnë, por nga institucione që kanë aftësinë të kontrollojnë, të korrigjojnë dhe të kufizojnë pushtetin.

Pluralizmi nuk është monolog me shumë altoparlantë.

Prandaj, më mirë të mos lodhemi me shumë nene, komisione, diskutime dhe interpretime. Kodi ynë është i përmbledhur, i qartë dhe nuk lë vend për keqkuptime:

Nuk ka nen të dytë, sepse nuk ka nevojë. Nuk ka as përjashtime, sepse Kryetari nuk mund të jetë përjashtim nga vetvetja.

Kështu, në emër të unitetit, sakrifikohet mendimi ndryshe. Në emër të disiplinës, mbyllet goja e kritikës. Në emër të besnikërisë, harrohet dinjiteti intelektual. Dhe në emër të pluralizmit, ndërtohet një monolog me shumë altoparlantë.

Por demokracia nuk është një orkestër ku të gjithë duhet të luajnë të njëjtën notë, vetëm sepse dirigjenti nuk duron muzikë tjetër. Ajo është një hapësirë ku instrumentet e ndryshme krijojnë harmoni pikërisht sepse nuk prodhojnë të njëjtin tingull.

Demokracia nuk kërkon që të gjithë të mendojnë njësoj. Kërkon që të gjithë të kenë të drejtën të mendojnë ndryshe dhe të mund ta shprehin këtë mendim pa frikë nga ndëshkimi, përjashtimi apo etiketimi.

Një kryetar që rrethohet vetëm nga njerëz që i thonë «PO», rrezikon të dëgjojë gjithnjë e më pak të vërtetën. Një parti që nuk pranon mendimin ndryshe brenda vetes, vështirë se mund të bëhet shkollë demokracie për shoqërinë. Dhe një shoqëri që mësohet të duartrokasë më shumë sesa të pyesë, rrezikon ta humbasë gradualisht aftësinë për të kërkuar llogari.

Sepse kritika nuk është tradhti. Kundërshtimi nuk është armiqësi. Mendimi ndryshe nuk është mungesë besnikërie. Përkundrazi, në një organizim demokratik, këto janë shenja të një kulture politike të shëndetshme. Por neni 1 nuk e lejon këtë.

Kryetari nuk është demokracia

Ndoshta ka ardhur koha të kuptojmë disa të vërteta të thjeshta.

Kryetari mund të ketë të drejtë, por mund edhe të gabojë, si çdo njeri tjetër. Besnikëria ndaj një ideali nuk është nënshtrim ndaj një individi. Respekti për drejtuesin nuk do të thotë heqje dorë nga gjykimi personal. Partia nuk është pronë private e Kryetarit dhe shteti nuk është zgjatim i vullnetit të tij.

Një drejtues i fortë nuk është ai që nuk lejon askënd ta kundërshtojë, por ai që ka kurajën të dëgjojë edhe mendimin që nuk i pëlqen. Një parti e fortë nuk është ajo ku të gjithë i thonë «PO» Kryetarit, por ajo ku idetë konkurrojnë lirisht dhe ku vendimet mbështeten në argumente, jo në autoritetin e një personi.

Dhe ndoshta pikërisht këtu duhet të fillojë ndryshimi: jo duke kërkuar një Kryetar tjetër që të ketë gjithmonë të drejtë, por duke ndërtuar një kulturë politike ku askush nuk është i pagabueshëm.

Sepse demokracia fillon pikërisht aty ku përfundon bindja e verbër.

Deri atëherë, le të vazhdojmë me pluralizmin tonë të veçantë: shumë zëra, shumë duar që duartrokasin, shumë gojë që përsërisin, shumë fjalime që ndryshojnë në formë, por vetëm një mendim që lejohet të mbizotërojë.

Rroftë Kryetari! Rrofshin Kryetarët!

Dhe mbi të gjitha, rroftë Neni 1, sepse pa të rrezikojmë të na rikthehet mendimi i lirë, quë krijon zallamahi!

Shumë zëra, një mendje. Shumë duartrokitje, pak mendim. Ky qenka pluralizmi ynë i ri!

Materialet e publikuara nga “Diaspora Shqiptare” janë të mbrojtura nga të drejtat e autorit. Rishpërndarja, riprodhimi, modifikimi apo përdorimi i tyre, i pjesshëm ose i plotë, pa lejen e shprehur të redaksisë, është i ndaluar dhe shkel ligjet mbi të drejtat e pronës intelektuale.