Nga Nizami Rexhepi – Australi
Grupi artistik “Eagle Folk Dance” vazhdon të prezantojë me krenari kulturën, traditat dhe identitetin shqiptar në skenat multikulturore të Melburnit. Këtë herë, artistët e rinj shqiptarë u prezantuan në Festivalin Multikulturor OASIS, i cili u mbajt më 14 nëntor, në Alexandra Gardens, pranë lumit Yarra, në zemër të Melburnit.
Pas paraqitjes spektakolare më 1 nëntor në Kupën e Shqipërisë, Eagle Folk Dance u rikthye në skenë me një performancë mbresëlënëse, ku morën pjesë rreth 70 valltarë, të cilët sollën para publikut një mozaik të pasur vallesh, kostumesh kombëtare dhe traditash nga trevat shqiptare.
Ritmet e gjalla të muzikës, larmia e veshjeve tradicionale dhe energjia e jashtëzakonshme e valltarëve krijuan një atmosferë të veçantë, duke tërhequr vëmendjen dhe admirimin e qindra të pranishmëve. Përmes çdo valleje, grupi përcolli jo vetëm bukurinë e folklorit shqiptar, por edhe historinë, traditat dhe shpirtin e një kombi.
Performanca ngjalli kureshtje të madhe te publiku ndërkombëtar. Shumë prej të pranishmëve kërkuan të dinin më shumë rreth origjinës së grupit, ndërsa disa prej tyre u shprehën se kjo ishte një paraqitje e veçantë dhe e pabesueshme. Madje, pati edhe nga ata që filluan të kërkonin Shqipërinë në hartë, të interesuar për të mësuar më shumë rreth vendit dhe kulturës shqiptare.
Një nga komentet që ra veçanërisht në sy ishte ai i një spektatori, i cili u shpreh: “Nuk kam parë një performancë më të bukur deri më sot. Fëmijët shkëlqyen!”
Sipas drejtuesve të Eagle Folk Dance, synimi i radhës i grupit është pjesëmarrja në Moomba Festival, festivalin e njohur vjetor të Melburnit, ku marrin pjesë rreth 35–40 grupe artistike nga komunitete të ndryshme kulturore. Një tjetër mundësi e rëndësishme për të prezantuar folklorin shqiptar para një publiku edhe më të gjerë.
Ndërkohë, paraqitja e radhës e Eagle Folk Dance pritet të jetë në aktivitetet festive me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, të organizuara nga komuniteti shqiptar në Melbourne.
Eagle Folk Dance po dëshmon se vallja është shumë më tepër sesa art dhe argëtim. Ajo është një mënyrë për të ruajtur identitetin, për të përcjellë trashëgiminë kulturore te brezat e rinj dhe për t’ua prezantuar kulturën shqiptare edhe komuniteteve të tjera.
Kur 70 valltarë ngjiten në skenë, nuk flasin vetëm përmes valles – ata tregojnë historinë, krenarinë dhe shpirtin shqiptar!











