Një përvjetor që duhet të na bashkojë, jo të na ndajë në parcela politike!
Nga : Gjergj DODAJ, Bruksel, Belgjikë
Shtatëdhjetë vjet histori, sakrifica, përpjekje, integrim dhe kontribut në shoqërinë belge. Shtatëdhjetë vjet jetë e një komuniteti që, duke kapërcyer vështirësitë e mërgimit, ka arritur të ndërtojë identitetin e vet, të afirmohet në vendin mikpritës dhe të bëhet pjesë e pandashme e mozaikut shoqëror, kulturor dhe ekonomik të Belgjikës.
Me rastin e 70-vjetorit të pranisë së komunitetit shqiptar në Belgjikë, janë organizuar dhe vijojnë të organizohen një sërë aktivitetesh kulturore, artistike dhe përkujtimore, përmes të cilave vihet në pah historia, kontributi, vlerat dhe arritjet e shqiptarëve në këtë vend.
Madje, muaji nëntor duket sikur është shndërruar në muajin e shqiptarëve në Bruksel. Dhe kjo është një gjë për t’u përshëndetur pa asnjë rezervë!
Aktivitete të tilla i shërbejnë jo vetëm imazhit të komunitetit shqiptar në Belgjikë, por edhe imazhit të Shqipërisë, Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë. Ato dëshmojnë se mërgimi nuk është vetëm histori largimi, por edhe histori ndërtimi, pune, integrimi dhe suksesi.
Por… Po, ka edhe një POR!
Me keqardhje vërej se përfaqësuesit e politikës belge me prejardhje shqiptare, të zgjedhur në institucione të ndryshme falë edhe besimit dhe votës së komunitetit tonë, nuk po arrijnë të jenë bashkë në këtë përvjetor historik.
Në njërin aktivitet shohim përfaqësuesit socialistë, në tjetrin liberalët. Në njërin organizim mungojnë disa, në tjetrin mungojnë të tjerët. Sikur 70-vjetori i komunitetit shqiptar të ishte një aktivitet partiak dhe jo një ngjarje që u përket të gjithëve!
E çuditshme, apo jo?
Çfarë mesazhi përcjellin këta përfaqësues te komuniteti që i ka votuar? Çfarë shembulli japin për brezat e rinj shqiptarë, kur edhe në një përvjetor të tillë nuk arrijnë të ulen në të njëjtën tryezë, të shtrëngojnë duart dhe të nderojnë së bashku historinë e komunitetit të tyre?
A i pengon përkatësia partiake të jenë bashkë përtej dallimeve politike? A është kaq e vështirë të kuptohet se një aktivitet përkujtimor nuk është tubim elektoral, se një përvjetor komunitar nuk është pronë e asnjë partie dhe se historia e shqiptarëve në Belgjikë nuk mund të ndahet sipas ngjyrave politike?
Apo mos vallë kemi marrë me vete edhe në mërgim atë vesin e vjetër të bajraktarizmit alla-shqiptar, ku secili kërkon të ngrejë flamurin e vet, të mbajë nën kontroll një grup njerëzish dhe ta shndërrojë çdo ngjarje në një mundësi për protagonizëm personal apo partiak?
Më shumë se një shekull më parë, një prej rilindasve tanë të mëdhenj na la një porosi që mbetet aktuale:
«Mos shikoni kisha e xhamia, se feja e shqiptarit është shqiptaria!»
Sot, nëse ky rilindas do të ngjallej dhe do të shihte se si disa prej përfaqësuesve tanë politikë, të zgjedhur në një shoqëri demokratike dhe pluraliste, nuk arrijnë të kapërcejnë kufijtë e partive të tyre as për të nderuar 70-vjetorin e komunitetit, çfarë do të mendonte? Çfarë do t’u thoshte atyre që, në vend të bashkimit, rrezikojnë ta ndajnë komunitetin në parcela politike?
Askush nuk u kërkon të heqin dorë nga bindjet e tyre politike. Përkundrazi, pluralizmi është një vlerë e demokracisë dhe dallimet politike janë të natyrshme. Por ka momente kur interesi i përbashkët duhet të qëndrojë mbi interesin partiak. Ka ngjarje që nuk kanë ngjyrë politike, sepse u përkasin të gjithëve. Dhe 70-vjetori i komunitetit shqiptar në Belgjikë është pikërisht një prej tyre.
Të jesh socialist, liberal, demokrat apo të mos kesh asnjë përkatësi partiake, nuk të bën më pak apo më shumë shqiptar. Por të mos jesh në gjendje të nderosh së bashku historinë e komunitetit tënd, vetëm sepse në krah ke njerëz me bindje të tjera politike, ngre pikëpyetje që meritojnë një përgjigje.
«O tempora, o mores!» – «Oh, çfarë kohësh! Oh, çfarë zakonesh!», thërriste Ciceroni në Romën e lashtë, në vitin 63 para Krishtit.
Më shumë se dy mijë vjet më vonë, kjo shprehje tingëllon ende aktuale. Jo sepse shqiptarët në Belgjikë nuk kanë arritur të ndërtojnë diçka të bukur e të qëndrueshme, por sepse, edhe kur kanë një arsye të madhe për t’u bashkuar, vazhdojnë të shfaqin të njëjtat ndarje që i kanë shoqëruar shpesh edhe në atdhe.
Shtatëdhjetë vjetori nuk është pronë e politikanëve, as e partive, as e ndonjë organizate të veçantë. Është histori e atyre që erdhën të parët, e atyre që punuan e sakrifikuan, e familjeve që ndërtuan jetën në Belgjikë, e intelektualëve, punëtorëve, artistëve, sipërmarrësve dhe të gjithë atyre që, me dinjitet, kontribuan për ta bërë komunitetin shqiptar atë që është sot.
Prandaj, ky përvjetor duhet të jetë një rast reflektimi, jo një garë për protagonizëm. Një rast për të nderuar të kaluarën, për të vlerësuar të tashmen dhe për të menduar për të ardhmen e brezave që vijnë.
Sepse komuniteti nuk ka nevojë për përfaqësues që e ndajnë, por për njerëz që dinë ta bashkojnë. Nuk ka nevojë për fotografi të veçuara partiake, por për një fotografi të përbashkët, ku të gjithë të mund të qëndrojnë krah për krah, pa pyetur se kush i përket cilës parti.
Dhe, duke huazuar një thirrje migjeniane, pyetja që shtrohet është e thjeshtë, por therëse:
Deri kur kështu, ma?!
Shtatëdhjetë vjet histori meritojnë më shumë se kaq. Meritojnë respekt, dinjitet dhe, mbi të gjitha, bashkim!
Sepse partitë vijnë e ikin, mandatet përfundojnë, karrierat politike ndryshojnë, por komuniteti mbetet.
Titulli origjinal: 70-VJETORI I KOMUNITETIT SHQIPTAR NË BELGJIKË: FESTË E PËRBASHKËT APO FESTIVITETE PARTIAKE?



