Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar emërimin e Esmeralda Hasanit në detyrën e Drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH).
Vendimi është marrë paraditen e sotme më 12 nëntor 2026, me dekretin nr. 595, me propozim të Kryeministrit. Sipas njoftimit të Presidencës, përpara emërimit janë përfunduar procedurat ligjore të verifikimit, të parashikuara për emërimin e zyrtarëve në poste të larta shtetërore.
Hasani merr drejtimin e institucionit kryesor të inteligjencës në vend, duke pasur një profil profesional të lidhur kryesisht me drejtësinë, akademinë, administratën publike dhe menaxhimin e projekteve europiane.
Ajo ka studiuar të drejtën ndërkombëtare në Universitetin e Milanos dhe ka ndjekur studime pasuniversitare në planifikimin dhe menaxhimin e projekteve europiane në Bruksel. Formimi i saj akademik përfshin gjithashtu studime doktorale. Hasani është angazhuar edhe si pedagoge e së drejtës europiane.
Në karrierën profesionale, gjatë periudhës 2015–2019, ajo ka drejtuar Institutin për Kërkim dhe Zhvillim Barleti. Në vitet 2017–2018 ka qenë këshilltare dhe shefe kabineti pranë Ministrit të Shtetit për Diasporën, ndërsa në vitin 2018 është përfshirë edhe në strukturat drejtuese të Agjencisë Kombëtare të Diasporës, si përfaqësuese e ministrit.
Hasani është prezantuar gjithashtu si konsulente e lartë pranë Kryeministrisë, ku është angazhuar në planifikimin e projekteve dhe sigurimin e financimeve.
Ka dhënë edhe kontrubute të tjera si, autore e projektit “Angazhimi i Diasporës Shqiptare në Zhvillimin Social dhe Ekonomik të Shqipërisë”.
Që nga shtatori 2019, ajo drejton Institutin Adriapol – Rritje e Mençur dhe Kreative (Smart and Creative Growth). Hasani është përzgjedhur së fundmi nga Misioni i Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) në Shqipëri si Konsulente Ndërkombëtare për Zhvillimin e Projekteve.
Në vitin 2023, ajo ka qenë bashkautore e një studimi mbi kuadrin ligjor dhe institucional të Shqipërisë në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm në hapësirën kibernetike.
Përpara emërimit në krye të SHISH-it, Hasani ka mbajtur edhe pozicionin e shefes së Departamentit Mbështetës në këtë institucion, gjatë periudhës kur ai drejtohej nga Vlora Hyseni.




