Studimi: Shqiptarët në Kanada, përvojat e emigrimit, integrimit dhe përkatësisë

E martë, 17 Nëntor, 2026

Integrimi i shqiptarëve në Kanada nuk përkthehet gjithmonë në mundësi profesionale që përputhen me arsimimin dhe përvojën e tyre. Ndërkohë, ruajtja e identitetit kombëtar mbetet e rëndësishme, por pjesëmarrja në organizatat e diasporës dhe bashkëpunimi konkret me vendet e origjinës vazhdojnë të jenë të kufizuara.

Këto janë disa nga përfundimet kryesore të studimit të ri me titull “Albanians in Canada: Experiences of Migration, Integration, and Belonging” (Shqiptarët në Kanada: Përvojat e emigrimit, integrimit dhe përkatësisë), të realizuar nga Amarildo Ceka, studiues pranë School of Population and Public Health dhe Centre for Migration Studies të Universitetit të British Columbia-s.

Amarildo Ceka

Studimi, i publikuar në nëntor 2026 nga Albanian Canadian Society for Social and Economic Progress (ACSEP), sjell një analizë mbi përvojat e komunitetit shqiptar në Kanada, duke u përqendruar te profili demografik, arsimimi, punësimi, organizimi komunitar, identiteti kulturor dhe marrëdhëniet me vendet e origjinës.

Hulumtimi kombinon të dhënat e një sondazhi me 353 pjesëmarrës dhe 13 intervista të thelluara me shqiptarë që jetojnë në Kanada. Pjesëmarrësit janë me origjinë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe treva të tjera shqiptare, si dhe përfshijnë persona të lindur në Kanada me prejardhje shqiptare.

Kliko këtu për të lexuar studimin: 

Një komunitet me më shumë se 41 mijë shqiptarë

Sipas të dhënave të Censusit të Kanadasë të cituara në studim, 41.760 persona kanë deklaruar origjinë etnike ose kulturore shqiptare. Pjesa më e madhe e tyre jeton në provincën e Ontarios, me 70,8%, e ndjekur nga Québec me 9%, Alberta me 7% dhe British Columbia me 4,6%.

Emigrimi shqiptar drejt Kanadasë ka kaluar në disa faza. Gjurmët e para datojnë në fillim të shekullit XX, ndërsa zgjerimi më i madh nisi pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri në fillim të viteve 1990. Një tjetër moment i rëndësishëm ishte lufta e Kosovës në vitin 1999, kur Kanadaja priti më shumë se 7.000 refugjatë kosovarë përmes operacionit humanitar Operation Parasol.

Pas vitit 2000, emigrimi u karakterizua gjithnjë e më shumë nga kërkimi i mundësive ekonomike, arsimit të lartë, zhvillimit profesional dhe një cilësie më të mirë të jetesës.

Diplomat dhe përvoja profesionale nuk garantojnë punësim në profesion

Një nga gjetjet më domethënëse të studimit lidhet me vështirësitë e integrimit në tregun kanadez të punës.

Të dhënat tregojnë se 68,6% e të anketuarve janë të punësuar me pagë, ndërsa 15,9% janë të vetëpunësuar. Megjithatë, pjesëmarrja në tregun e punës nuk do të thotë domosdoshmërisht se emigrantët arrijnë të punojnë në profesionin për të cilin janë arsimuar.

Plot 34,2% e të anketuarve deklarojnë se kanë hasur vështirësi në njohjen e diplomave dhe kualifikimeve të fituara jashtë Kanadasë. Ndërsa 33,4% thonë se puna që kryejnë aktualisht nuk përputhet me arsimimin dhe kualifikimet e tyre.

Intervistat evidentojnë se shumë emigrantë përballen me procedura të ndërlikuara të njohjes së diplomave, kërkesa për arsimim shtesë dhe licenca profesionale, duke u detyruar në disa raste të rikthehen në shkollë për të rifilluar karrierën.

Rrjetet profesionale rezultojnë burimi më i rëndësishëm për gjetjen e punës dhe avancimin në karrierë, të identifikuara nga 42,8% e pjesëmarrësve. Burimet online renditen të dytat me 32,8%, ndërsa shërbimet formale të mbështetjes për punësim përmenden nga vetëm 11,4%.

Organizatat e diasporës: Larg nevojave të një komuniteti në ndryshim

Një tjetër çështje që del në pah është hendeku mes lidhjes së shqiptarëve me komunitetin dhe pjesëmarrjes së tyre në organizatat e diasporës.

Vetëm 20,8% e të anketuarve deklarojnë se janë të përfshirë në një organizatë shqiptare në Kanada. Ndërkohë, 41,1% thonë se nuk ndihen të mbështetur nga komuniteti shqiptar, ndërsa 52% shprehen se ndihen disi të mbështetur. Vetëm 6,9% deklarojnë se ndihen shumë të mbështetur.

Intervistat sugjerojnë se një pjesë e organizatave vazhdojnë të përqendrohen kryesisht te festat kombëtare dhe aktivitetet kulturore, ndërsa brezat e rinj dhe profesionistët kërkojnë gjithnjë e më shumë mundësi për zhvillim profesional, rrjetëzim, mentorim dhe krijimin e kontakteve të reja të punës.

Nga ana tjetër, drejtuesit e organizatave evidentojnë mungesën e burimeve financiare, vështirësitë për të siguruar fonde dhe varësinë nga kuotat e anëtarësimit, donacionet dhe puna vullnetare.

Studimi sugjeron se forcimi i kapaciteteve administrative, përgatitja e aplikimeve për grante, bashkëpunimi mes organizatave dhe partneritetet me universitetet e organizatat jofitimprurëse mund të ndihmojnë në krijimin e strukturave më të qëndrueshme të diasporës.

Identiteti shqiptar mbetet i fortë, por gjuha është një sfidë për brezat e rinj

Pavarësisht integrimit në shoqërinë kanadeze, identiteti shqiptar vazhdon të zërë një vend të rëndësishëm në jetën e pjesëmarrësve.

Sipas studimit, 65% identifikohen kryesisht si shqiptarë, ndërsa 30,5% e shohin veten njëkohësisht si shqiptarë dhe kanadezë. Në total, 95,5% ruajnë një identitet të fortë shqiptar, qoftë si identitet parësor apo të kombinuar me atë kanadez.

Po ashtu, 79,4% e të anketuarve e konsiderojnë shumë të rëndësishme ruajtjen e kulturës shqiptare, ndërsa 17,8% e vlerësojnë atë si disi të rëndësishme.

Megjithatë, transmetimi i gjuhës dhe traditave te brezat e ardhshëm mbetet një shqetësim. Prindërit e intervistuar përmendin ndikimin e mjedisit kryesisht anglishtfolës në përdorimin e shqipes nga fëmijët dhe mungesën e programeve të mjaftueshme të mësimit të gjuhës shqipe.

Studimi evidenton se Ontario është aktualisht provinca që ofron mbështetje për shkollat e gjuhëve të komuniteteve, përfshirë hapësira dhe mbështetje për mësuesit e shqipes. Autori sugjeron që organizatat shqiptare të angazhohen për zgjerimin e këtyre mundësive edhe në provincat e tjera.

Diaspora dëshiron të kontribuojë, por kërkon besim te institucionet

Një nga përfundimet me rëndësi për marrëdhëniet mes diasporës dhe vendeve të origjinës lidhet me diferencën mes dëshirës për të kontribuar dhe bashkëpunimit konkret.

Vetëm 24,2% e të anketuarve deklarojnë se kanë bashkëpunuar me vendin e origjinës përtej vizitave personale. Megjithatë, interesi për përfshirje në të ardhmen është dukshëm më i lartë.

61% shprehen të gatshëm të angazhohen në shkëmbime profesionale, 46,6% në projekte arsimore, 33,2% në investime, 31,4% në mbështetje humanitare dhe 28,9% në zhvillimin e biznesit dhe tregtisë.

Por çfarë i pengon shqiptarët e Kanadasë të investojnë apo të përfshihen më shumë në vendet e origjinës?

Përgjigjja më e qartë lidhet me besimin institucional. Plot 86,6% e pjesëmarrësve identifikojnë qeverisjen dhe institucionet si shqetësimin kryesor për bashkëpunimin me vendin e origjinës. Më pas renditen mjedisi ekonomik dhe i biznesit (42,8%), faktorët socialë dhe kulturorë (36,7%) dhe pengesat praktike apo mungesa e informacionit (25,1%).

Megjithatë, 79,8% e të anketuarve deklarojnë se do ta konsideronin investimin në vendin e origjinës nëse do të kishin përpara një mundësi të mirë dhe të sigurt.

Kjo shifër evidenton një potencial të konsiderueshëm të diasporës, i cili nuk lidhet vetëm me kapitalin financiar, por edhe me njohuritë profesionale, arsimin, përvojën dhe rrjetet ndërkombëtare.

Një diasporë që ka nevojë për më shumë ura bashkëpunimi

Në përfundimet e studimit, Amarildo Ceka thekson se integrimi i suksesshëm nuk duhet matur vetëm përmes punësimit apo gjendjes ekonomike. Ai përfshin edhe mundësitë për zhvillim profesional, pjesëmarrjen komunitare, ruajtjen e identitetit dhe krijimin e lidhjeve me vendet e origjinës.

Gjetjet evidentojnë disa prioritete për të ardhmen e komunitetit shqiptar në Kanada: forcimin e rrjeteve profesionale dhe programeve të mentorimit, rritjen e kapaciteteve të organizatave të diasporës, mbështetjen e mësimit të gjuhës shqipe dhe krijimin e mekanizmave më të besueshëm për bashkëpunim me vendet e origjinës.

Studimi nuk pretendon të përfaqësojë statistikisht të gjithë shqiptarët e Kanadasë, pasi pjesëmarrësit u përzgjodhën përmes rrjeteve komunitare dhe profesionale, pa një kampion probabilitar. Megjithatë, ai ofron një nga pasqyrat empirike të para mbi këtë komunitet dhe identifikon çështje që meritojnë vëmendje nga organizatat e diasporës dhe institucionet në të dyja anët e Atlantikut.

Në thelb, mesazhi i studimit është se diaspora shqiptare në Kanada ka arritur një nivel të rëndësishëm integrimi dhe ruan një lidhje të fortë me identitetin e saj, por potenciali i saj profesional, organizativ dhe ekonomik mund të shfrytëzohet shumë më mirë përmes bashkëpunimit, mbështetjes institucionale dhe krijimit të mundësive konkrete.

Materialet e publikuara nga “Diaspora Shqiptare” janë të mbrojtura nga të drejtat e autorit. Rishpërndarja, riprodhimi, modifikimi apo përdorimi i tyre, i pjesshëm ose i plotë, pa lejen e shprehur të redaksisë, është i ndaluar dhe shkel ligjet mbi të drejtat e pronës intelektuale.