Dirigjenti shqiptar Olsi Qinami do të jetë pjesë e një mbrëmjeje të veçantë të muzikës klasike në Carnegie Hall të Nju Jorkut, një prej sallave më prestigjioze të koncerteve në botë, ku do të marrë rolin e dirigjentit të ftuar në premierën botërore të veprës “Rachmaninoff: The Lost Suite in D Minor”, kushtuar kompozitorit të njohur rus Sergei Rachmaninoff.
Koncerti do të mbahet më 12 nëntor 2026, në orën 19:30, në sallën Zankel Hall, nën organizimin e Renaissance-21, me pjesëmarrjen e orkestrës MidAtlantic Philharmonic Orchestra.
Olsi Qinami do të jetë dirigjenti i ftuar i koncertit, ndërsa Jason Tramm do të mbajë rolin e dirigjentit kryesor. Në këtë produksion marrin pjesë gjithashtu Teodor Doré, në piano dhe si kompozitor, si dhe pianistja Yuemeng Li, violinisti dhe kompozitori Yury Revich dhe solistet Anastasiya Roytman dhe Alisa Medvedeva.
Koncerti sjell së bashku artistë dhe interpretues nga vende të ndryshme, në një produksion që synon të prezantojë për herë të parë para publikut një vepër të lidhur me trashëgiminë muzikore të Rachmaninoff-it.
Ky koncert do të jetë gjithashtu një mundësi për komunitetin shqiptar në Nju Jork dhe më gjerë në SHBA që të ndjekë nga afër interpretimin e dirigjentit shqiptar Olsi Qinami në një prej skenave më të njohura ndërkombëtare të muzikës klasike.

Kush është Olsi Qinami
Olsi Qinami dirigjent shqiptar me karrierë ndërkombëtare, i cili mban disa pozicione të rëndësishme në botën e muzikës klasike. Ai është Drejtor Artistik dhe Dirigjent Kryesor i London City Philharmonic, dirigjent pranë Orkestrës Simfonike të Radios Kombëtare Shqiptare dhe profesor i dirigjimit në Universitetin e Arteve në Tiranë.
Gjatë karrierës së tij, Qinami ka bashkëpunuar me disa prej orkestrave dhe institucioneve më të njohura muzikore në botë, përfshirë BBC Symphony Orchestra, Hong Kong Philharmonic, Norwegian Radio Orchestra, National Opera of Slovenia, National Opera of Albania, Macedonian Philharmonic Orchestra dhe Opera Hong Kong, si dhe me formacione të tjera prestigjioze në Evropë dhe Azi.
Në vitin 2024, ai drejtoi orkestrën CEMAN – Central European Music Academies Network Orchestra, në një tur koncertesh në Itali, Hungari, Çeki, Slloveni, Sllovaki dhe Kroaci. Ka interpretuar në salla të njohura koncertesh, ndër të cilat Queen Elizabeth Hall dhe St John’s Smith Square në Londër, Shanghai Symphony Hall, Hong Kong City Hall dhe Teatro Verdi në Trieste.
Në vitin 2015, Qinami u vlerësua me çmimin e dytë në Konkursin Ndërkombëtar të Dirigjimit me London Classical Soloists.
Formimin muzikor e nisi që në moshën gjashtëvjeçare, me studimet e pianos në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Më pas, u specializua në dirigjim orkestral në Royal Birmingham Conservatoire, ku përfundoi studimet Master, si dhe mori diplomë të avancuar në dirigjim në École Normale de Musique de Paris. Studimet universitare i përfundoi në Akademinë e Arteve në Shqipëri.
Formimi i tij artistik është pasuruar gjithashtu përmes masterclass-eve dhe akademive ndërkombëtare të dirigjimit, ku ka studiuar me emra të njohur të këtij profesioni, si Paavo Järvi, Riccardo Muti dhe Jorma Panula.
Përmes bashkëpunimeve me orkestra dhe institucione të rëndësishme ndërkombëtare, Olsi Qinami është afirmuar si një nga dirigjentët shqiptarë me aktivitet të spikatur në skenën ndërkombëtare të muzikës klasike.




