Ministri i Migracionit dhe Azilit, Thanos Plevris, prezantoi në Parlament rezultatet e para të kuadrit të ri ligjor për emigracionin e ligjshëm në Greqi ku ndër të tjera përfshihet edhe përforcimi i Departamentit të Lejeve të Qëndrimit në Evia.
Në fjalën e tij Plevris foli për rritjen e numrit të miratimeve për transferimin e punonjësve, shqyrtimin e kërkesave të mbartura për rinovimin e lejeve të qëndrimit dhe masat e marra për përshpejtimin e procedurave dhe uljen e burokracisë.
Sipas të dhënave të paraqitura prej tij, miratimet për transferimin e punonjësve janë rritur nga 41 mijë në nëntë muajt e parë të vitit 2025, në 68 mijë në të njëjtën periudhë të vitit 2026. Bëhet fjalë për 27 mijë miratime më shumë.
Ministri tha se sistemi i ri tashmë ka nisur të funksionojë dhe se ai është i ndërlidhur me MIS-in e emigracionit të ligjshëm. Sistemi mundëson edhe kontrollin e të dhënave financiare të punëdhënësit, për të verifikuar nëse ai ka kapacitetin financiar për punësimin e punonjësit.
65 mijë kërkesa për rinovim janë shqyrtuar
Një tjetër rezultat i rëndësishëm lidhet me kërkesat e mbartura për rinovimin e lejeve të qëndrimit.
Nga 85 mijë aplikime që ishin në pritje në momentin e miratimit të ligjit në shkurt, deri në fillim të nëntorit janë shqyrtuar 65 mijë.
Sipas Plevris, ndryshimet kanë synuar shmangien e vonesave dhe përshpejtimin e procedurave, në mënyrë që emigrantët me qëndrim të ligjshëm të marrin lejet e tyre më shpejt.
Një nga rregullimet e reja parashikon që lejet e rinovuara të jenë të vlefshme për të paktën dy vjet nga momenti i lëshimit. Kjo synon të shmangë rastet kur, për shkak të vonesave administrative, një emigrant merr një leje që tashmë ka skaduar dhe detyrohet të nisë menjëherë një tjetër procedurë rinovimi.
Ndër masat e tjera të përmendura nga ministri është mundësia e ndryshimit të punëdhënësit pas gjashtë muajsh, brenda të njëjtit sektor të punësimit, si dhe procedurat e përshpejtuara për ardhjen e deri në 500 punëtorëve për projekt.
Po punohet gjithashtu për ndërlidhjen e sistemit me lëshimin automatik të numrit tatimor (TIN/AFM) në momentin e transferimit. Sipas ministrit, kjo procedurë synohet të përfundojë brenda vitit ose në muajt e parë të vitit 2027. Në një fazë të mëvonshme parashikohet edhe mundësia për lëshimin e AMKA-s.
Ndërkohë, po promovohet edhe përdorimi nga Ministria e Jashtme i dokumenteve që disponon Ministria e Migracionit dhe Azilit, me synim përshpejtimin e procedurave në konsullata.
Aplikimet do të shpërndahen sipas ngarkesës së shërbimeve
Një tjetër ndryshim lidhet me mënyrën e shpërndarjes së aplikimeve për leje qëndrimi.
Sistemi informatik MIS “Immigration” do të mundësojë që aplikimet, si për lejet e para ashtu edhe për rinovimet, të shpërndahen te shërbimet kompetente një sportel në të gjithë vendin, pavarësisht vendbanimit të aplikantit.
Qëllimi është shpërndarja më e balancuar e ngarkesës dhe përpunimi më i shpejtë i kërkesave. Sipas rregullimit, sistemi do të mund të identifikojë shërbimin që ka numrin më të ulët të aplikimeve në pritje dhe të drejtojë aty rastet që mund të trajtohen në mënyrë automatike.
Përforcohet Departamenti i Lejeve të Qëndrimit në Evia
Në kuadër të këtyre masave në nivel kombëtar, ministri Plevris iu referua edhe një zhvillimi konkret në Evia.
Ai bëri të ditur se, pas kërkesës së Administratës së Decentralizuar të Thesalisë – Greqisë Qendrore, është nxjerrë vendimi i parë ministror me synim përforcimin e Departamentit të Lejeve të Qëndrimit të Prefekturës së Evias.
Ky është një zhvillim me interes të drejtpërdrejtë për emigrantët që jetojnë në Evia, përfshirë komunitetin e konsiderueshëm shqiptar.
Kryetarja e Shoqatës Shqiptare të Emigrantëve të Evias, Shpresa Rajta Biba, e ka vlerësuar këtë zhvillim si një tregues se problematikat e ngritura nga emigrantët në këtë prefekturë kanë marrë vëmendje institucionale.
Biba thekson se Shoqata Shqiptare e Emigrantëve të Evias ka ngritur në mënyrë të vazhdueshme problematikat e komunitetit pranë institucioneve kompetente dhe ka paraqitur kërkesa në disa drejtime, edhe në bashkëpunim me avokatë.
“Nuk pretendojmë se të gjitha problemet janë zgjidhur, por ky zhvillim tregon se çështjet e ngritura për Evian janë tashmë pjesë e vëmendjes institucionale”, shprehet Rajta Biba.
Ajo thekson se shoqata synon që informacioni t’u përcillet të gjithë emigrantëve shqiptarë, edhe atyre që nuk e njohin gjuhën greke, në mënyrë që të jenë të informuar për ndryshimet dhe zhvillimet që lidhen me shërbimet e emigracionit.
“Një shoqatë nuk duhet të jetë vetëm e pranishme në aktivitete, por mbi të gjitha duhet të jetë zëri, përfaqësuesja dhe mbështetja e komunitetit që përfaqëson”, deklaron kryetarja e Shoqatës Shqiptare të Emigrantëve të Evias.
Sipas saj, puna e shoqatës do të vijojë me synimin për përmirësimin e shërbimeve dhe adresimin e problematikave që shqetësojnë emigrantët në Evia.



