Platforma për mbështetje psikologjike “Mendje”, e themeluar në Kosovë, është vlerësuar me Çmimin e Inovacionit nga Komisioni Evropian, gjatë një takimi të nivelit të lartë në Bruksel.
Çmimi iu dorëzua themelueses së platformës, Arbnora Kllokoqi, nga Komisionerja Evropiane për Startup-et, Kërkimin dhe Inovacionin, Ekaterina Zaharieva, më 22 tetor 2026.
Vlerësimi u bë gjatë Takimit Ministror të Platformës Drejtuese të Ballkanit Perëndimor për Kërkim dhe Inovacion, ku morën pjesë ministra nga Ballkani Perëndimor, përfaqësues të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe drejtues të institucioneve evropiane.
Kllokoqi përfaqësoi Kosovën në këtë takim, ku prezantoi platformën “Mendje” përpara ministrave dhe përfaqësuesve të institucioneve e partnerëve nga rajoni dhe Evropa.
“Mendje” ishte kompania e përzgjedhur nga Kosova dhe një nga gjashtë kompanitë inovative të Ballkanit Perëndimor të vlerësuara këtë vit. Në garë morën pjesë 18 ndërmarrje inovative, nga tri për secilën ekonomi të rajonit, në kuadër të iniciativës “Ready4EIC” të Komisionit Evropian dhe “Innovation Advisers’ Scheme”.
Përzgjedhja u bë nga gjashtë qendrat e inovacionit të rajonit, së bashku me një juri ndërkombëtare, ndërsa në Kosovë procesi u mbështet nga Innovation & Training Park Prizren.
Komisionerja Zaharieva theksoi se ekosistemi evropian i inovacionit mund të zhvillohet plotësisht vetëm kur përfshin talentet nga i gjithë kontinenti.
Një platformë për mbështetjen psikologjike në shqip
“Mendje” është krijuar si një platformë për mbështetje psikologjike dhe synon t’u ofrojë përdoruesve qasje më të lehtë në shërbime dhe informacion për shëndetin mendor.
Përmes aplikacionit ofrohen këshilla dhe materiale të përgatitura nga psikologë dhe ekspertë të shëndetit mendor, si dhe shërbime këshillimi online nga më shumë se 40 psikologë të pavarur.
Përdoruesit mund të zgjedhin vetë psikologun me të cilin dëshirojnë të zhvillojnë seancat. Ndër temat më të shpeshta janë stresi, lodhja nga puna, marrëdhëniet, familja, prindërimi, vetmia, malli për vendlindjen dhe sfidat e jetës në emigracion.
Platforma ofron gjithashtu meditime të udhëhequra në gjuhën shqipe, ushtrime të frymëmarrjes dhe këshilla nga psikologë.
“Mendje” bashkëpunon me partnerë të ndryshëm strategjikë, ndër ta Ambasada e Kosovës në Gjermani, Fondacioni Jahjaga, Trust Circle Foundation dhe Komisioni Evropian.
“Një ide e vogël që theu kufijtë”
Për themeluesen Arbnora Kllokoqi, çmimi është një vlerësim jo vetëm për platformën, por edhe për ekipin dhe psikologët që punojnë me të.
“Dhimbja nuk përkthehet në asnjë gjuhë. Shumë shqiptarë jashtë vendit e mbajnë peshën e emigrimit në heshtje dhe sot Evropa vlerësoi një nismë që e thyen këtë heshtje. Mendje filloi nga një ide e vogël, e cila erdhi nga një nevojë shumë e madhe. Kur Komisioni Evropian e njohu Mendje si startup-in më inovativ nga Kosova, ndjeva sikur ajo ide e vogël nga Kosova theu kufijtë”, tha Kllokoqi për Gazetën Diaspora Shqiptare.
Sipas saj, çmimi është një konfirmim se edhe një ekip i vogël nga Kosova mund të krijojë një platformë me vlerë përtej kufijve të vendit.
“Ky çmim nuk është vetëm një trofe. Është një konfirmim që një ekip i vogël nga Kosova mund të ndërtojë diçka që ka vlerë për gjithë Evropën. Ky çmim është për ekipin tonë, që punon me zemër edhe kur askush nuk e sheh, për psikologët në Mendje, që çdo ditë dëgjojnë dhe mbështesin njerëzit tanë kudo që janë. Dhe për ty, që na beson çdo ditë. Mendje u krijua për ty dhe do të jemi gjithmonë këtu kur ti ke nevojë”, u shpreh themeluesja e platformës.
Platforma “Mendje” mund të gjendet në mendje.com, ndërsa aplikacioni është i disponueshëm për shkarkim në telefon.




