Nga Keze Kozeta Zylo
Një ditë e veçantë, e mbushur me emocione, respekt dhe krenari kombëtare, ishte vizita jonë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Washington, D.C.
U mirëpritëm ngrohtësisht dhe plot kulturë nga Sekretarja e Parë e Ambasadës, znj. Shtrojera Zogaj, dhe Sekretarja e Dytë, diplomatja për Kulturën, znj. Vlora Ademi të cilat na rezervuan një mikpritje të përzemërt.
Në këtë takim ishte e ftuar Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, me presidentin e saj, z. Adi Memeti, i cili foli me elekuence dhe atdhetari në emër të shoqatës dhe prezantoi veprimtarinë e saj. Me këtë rast, ai dhuroi edhe disa botime me vlera letrare e kulturore, ndër të cilat “Si pena shqiptare”, “Fan Noli”, “Pena e gruas” etj.
Pjesë e këtij takimi ishin edhe shkrimtarët Mhill Vela, ish kryetar, gazetaret Ibadete dhe Shkumbin Tetaj, Prof. Bexhet Asani, sekretar, Luiz Thaqi, Vilma Tafaj, gazetari Valon Gerbeshi dhe Kozeta Zylo, Qemal Zylo themelues dhe Drejtor i TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life”, New York.
Bashkëbisedimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe konstruktive. U ndanë përvoja nga krijimtaria letrare, veprimtaritë kulturore dhe angazhimi i shqiptarëve në diasporë. Vëmendje e veçantë iu kushtua regjistrimit te Diaspores, ruajtjes së gjuhës shqipe, promovimit të letërsisë dhe forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve diplomatike dhe organizimeve shqiptare në Amerikë.
Një vlerësim të veçantë shprehëm për godinën e Ambasadës, arkitekturën moderne dhe mjediset e saj elegante e mikpritëse. Çdo hapësirë përcillte ndjesinë e një institucioni dinjitoz, që përfaqëson shtetin e Kosovës në zemër të kryeqytetit amerikan. Mjediset e bukura, të organizuara me kujdes dhe me një frymë përfaqësimi kombëtar, e bëjnë këtë ambasadë një vatër të rëndësishme takimi për shqiptarët.
Vizita u përjetësua edhe përmes fotografive të përbashkëta, nga Valon Gerbeshi të cilat do të mbeten kujtime të bukura të këtij takimi dhe të çasteve të ndara mes miqsh e bashkëkombësish.
Gjatë kësaj vizite pata kënaqësinë dhe nderin të dhuroja librin tim “Diaspora si krah shqiponje”, një botim që i kushtohet jetës, përkushtimit dhe identitetit të shqiptarëve në diasporë. E dhurova me dëshirën që edhe ky libër të jetë një dëshmi e lidhjes sonë të pashkëputur me gjuhën, kulturën dhe atdheun. Ky liber ndodhet ne Librarine e Komgresit Amerikan.
Falënderime të përzemërta Ambasadës së Republikës së Kosovës, znj. Era Zogaj dhe znj. Vlora për mikpritjen, respektin dhe atmosferën e krijuar.
Ambasadat tona nuk janë vetëm përfaqësi diplomatike, ato janë ura që lidhin shqiptarët, hapësira ku takohen fjala shqipe, libri, kultura dhe dashuria për kombin. Ato janë shtëpitë e dyta të shqiptarëve në Diasporë.
30 Tetor, 2026
Washington D.C.








