Katër kandidatë me origjinë shqiptare janë pjesë e garës politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të njohura ndrysshe si Midterm Elections, që do të zhvillohen më 3 nëntor 2026.
Diamant Hysenaj, Peter Lumaj, Shpëtim (Tim) Qorraj dhe Joe Hoxha synojnë të marrin ose të ruajnë poste në institucionet përfaqësuese amerikane, duke garuar për pozicione të ndryshme në nivel federal dhe shtetëror.
Kandidatët kanë histori të ndryshme emigrimi dhe angazhimi në jetën publike amerikane. Dy prej tyre kanë lindur në Kosovë dhe dy në Shqipëri. Përfaqësojnë të dyja partitë kryesore amerikane, Republikane dhe Demokrate, ndërsa kandidaturat e tyre janë pasqyruar edhe në mediat lokale amerikane.
Diamant Hysenaj, sfidon Alexandria Ocasio-Cortez për Kongresin amerikan
I lindur në Kosovë, Diamant Hysenaj është kandidati republikan për Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së në Distriktin e 14-të të New York-ut. Ai përballet me kongresisten demokrate Alexandria Ocasio-Cortez, e cila përfaqëson këtë zonë që prej vitit 2019.
Hysenaj mbërriti në Shtetet e Bashkuara në moshën nëntëvjeçare dhe u rrit në South Bronx. Ai është sipërmarrës dhe pronar biznesi, ndërsa në fushatën e tij ka vendosur në fokus çështje si strehimi i përballueshëm, siguria publike dhe mbështetja për bizneset e vogla.
Në një intervistë për median amerikane Bronx Times, publikuar më 21 tetor, Hysenaj ka kritikuar përfaqësimin e distriktit nga kundërshtarja e tij, duke deklaruar se synon të jetë më i pranishëm në komunitet dhe më pranë shqetësimeve të banorëve.
Distrikti i 14-të përfshin zona të Bronx-it dhe Queens-it dhe ka më shumë se 700 mijë banorë.
Peter Lumaj, kandidon për Sekretar të Shtetit në Connecticut
Një tjetër kandidat me origjinë shqiptare është Peter Lumaj, i cili garon për postin e Sekretarit të Shtetit (Secretary of the State) në Connecticut, si përfaqësues i Partisë Republikane.
I lindur në Shqipëri, Lumaj është avokat, investitor në pasuri të paluajtshme dhe ish-këshilltar ligjor në fushën e emigracionit. Ai ka një histori të gjatë angazhimi në politikën amerikane, duke kandiduar më parë për Senatin amerikan, për guvernator dhe për të njëjtin post në Connecticut në vitin 2014.
Në zgjedhjet e 3 nëntorit, ai përballet me demokratën Stephanie Thomas, e cila mban aktualisht detyrën.
Posti për të cilin kandidon ka një rol të rëndësishëm në administrimin e zgjedhjeve në Connecticut, si dhe në regjistrimin e bizneseve dhe administrimin e dokumentacionit përkatës.
Media Connecticut Mirror, në guidën e saj për zgjedhjet e vitit 2026, e prezanton Lumajn si kandidatin republikan për këtë funksion dhe evidenton origjinën e tij shqiptare. Edhe CT Post ka ndjekur kandidaturën dhe rrugëtimin e tij politik.
Shpëtim (Tim) Qorraj, në garën për Asamblenë e Shtetit të New York-ut
Shpëtim, i njohur gjithashtu si Tim Qorraj, është kandidati demokrat për Asamblenë e Shtetit të New York-ut në Distriktin e 64-t, që përfshin zonën e Staten Island.
I lindur në Kosovë, Qorraj është sipërmarrës, profesionist në fushën e pasurive të paluajtshme dhe drejtues i një organizate komunitare shqiptaro-amerikane. Ai ka qenë i angazhuar në veprimtari që synojnë forcimin e lidhjeve mes komunitetit shqiptar dhe institucioneve amerikane.
Në këtë garë, ai përballet me republikanin Michael Tannousis, përfaqësuesin aktual të distriktit.
Media amerikane Staten Island Advance, përmes platformës së saj SILive.com, i ka kushtuar një reportazh të veçantë historisë së Qorrajt dhe lidhjes së tij familjare me Kosovën. Në artikullin e publikuar në shtator 2026, media ndalet te ndikimi i historisë së të atit, i cili humbi jetën gjatë luftës në Kosovë, në formimin e tij dhe në angazhimin e mëvonshëm në jetën komunitare amerikane.
Qorraj e ka paraqitur kandidaturën e tij si një mundësi për të përfaqësuar më drejtpërdrejt interesat e banorëve të distriktit, me vëmendje te strehimi, infrastruktura, siguria dhe mbështetja për bizneset e vogla.
Joe Hoxha, synon mandatin e tretë në Connecticut
Kandidati i katërt shqiptar është Joe Hoxha, i lindur në Shqipëri dhe i rritur në Shtetet e Bashkuara. Ai është aktualisht përfaqësues republikan në Dhomën e Përfaqësuesve të Connecticut-it dhe kandidon për një mandat të tretë në Distriktin e 78-të.
Hoxha përfaqëson zonën e Plymouth-it dhe një pjesë të qytetit të Bristol-it. Në zgjedhjet e këtij viti, ai përballet me demokratin Nate Brown.
Përpara se të bëhej përfaqësues në parlamentin e shtetit, Hoxha ishte angazhuar në fushata politike republikane dhe në strukturat drejtuese të Partisë Republikane në Connecticut.
Media CT Insider, në guidën e saj për zgjedhjet e 3 nëntorit, e përfshin Hoxhën mes kandidatëve që kërkojnë votën e qytetarëve në këtë distrikt, duke evidentuar se ai synon të vazhdojë përfaqësimin e zonës për një mandat të tretë.
Përfaqësimi shqiptar përtej kufijve të komunitetit
Katër kandidaturat përfaqësojnë nivele të ndryshme të angazhimit politik, nga Kongresi amerikan te institucionet përfaqësuese të shteteve. Ato tregojnë gjithashtu se pjesëmarrja e shqiptarëve në jetën publike amerikane nuk kufizohet vetëm në veprimtarinë ekonomike, kulturore dhe komunitare, por shtrihet edhe në institucionet ku merren vendime që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
Për komunitetin shqiptar në SHBA, këto kandidatura kanë një rëndësi të veçantë, pasi përfaqësimi në institucionet amerikane krijon mundësi për një zë më të drejtpërdrejtë në jetën politike dhe publike të vendit.
Më 3 nëntor, votuesit amerikanë do të vendosin për përfaqësuesit e tyre, ndërsa komuniteti shqiptar do të ndjekë me interes rezultatin e këtyre katër garave.



