Avokati shqiptaro-amerikan Joseph Dedvukaj ka refuzuar propozimin për të marrë një detyrë konsullore në Michigan, SHBA, të cilën, sipas tij, ia kishte bërë kryeministri Edi Rama gjatë një takimi në Miçigan më 20 shtator 2026. Në një letër të hapur drejtuar kreut të qeverisë Dedvukaj kërkon dorëheqjen e Ramës dhe propozon krijimin e një kabineti të ri me profesionistë jopartiakë.
Në letrën publike, avokati shprehet se e vlerëson propozimin, por ka zgjedhur të mos marrë një funksion zyrtar, duke preferuar të shprehet si qytetar për situatën politike dhe shoqërore në Shqipëri.
Dedvukaj dënon dhunën gjatë protestave dhe thekson se shkatërrimi i pronës apo sulmet ndaj policisë nuk përbëjnë mandat demokratik për largimin e një qeverie. Ai vlerëson se vota e më shumë se 856 mijë qytetarëve që mbështetën Partinë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të majit 2025 duhet respektuar.
Megjithatë, sipas tij, pretendimet për korrupsion në nivele të larta, shqetësimet e studentëve për kushtet e arsimit të lartë dhe raportimet për përdorim të paligjshëm të forcës nga policia kërkojnë hetime të pavarura dhe përgjigje konkrete nga institucionet.
Në letrën e tij, Dedvukaj i kërkon Ramës të japë dorëheqjen, duke e paraqitur këtë si një akt përgjegjësie kushtetuese dhe jo si rezultat të presionit apo dhunës. Ai propozon që procesi i kalimit të pushtetit të zhvillohet në përputhje me Kushtetutën, përmes negociatave mes shumicës parlamentare, opozitës, shoqërisë civile dhe përfaqësuesve të studentëve.
Platforma e propozuar përfshin krijimin e një kabineti me profesionistë jopartiakë, masa konkrete për përmirësimin e kushteve dhe kostove të arsimit të lartë, si dhe hetime të pavarura për dhunën gjatë protestave dhe pretendimet për abuzime nga efektivët e policisë.
Dedvukaj kërkon gjithashtu reforma kushtetuese dhe zgjedhore, përfshirë nisjen e procedurave për kufizimin e mandateve të kryeministrit, si dhe transparencë në projektet e mëdha të zhvillimit në bregdetin jugor dhe në zonat e mbrojtura.
Një tjetër pikë e platformës lidhet me politikat e migracionit dhe nevojën për standarde ligjore që, sipas tij, të marrin parasysh ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe të drejtave të shqiptarëve jashtë vendit.
Letra u është dërguar për dijeni edhe Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, Ministrit të Brendshëm, Ervin Demo, ambasadorit të Shqipërisë në SHBA dhe Komisioneres Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos.







