Nga Sabri Shehu
Historia e njerëzimit është e mbushur me tragjedi që vështirë përshkruhen, dhe në çdo shekull kanë ndodhur përpjekje gjenocidale ndaj shumë popujve liridashës! Shpesh flas me ndërgjegjen time, por asnjëherë nuk arrij t’i jap vetes përgjigje për dëshirën e madhe të grupeve të caktuara në botë, që me çdo kusht duan të shkaktojnë dhimbje pa asnjë kuptim — pa kuptim, sepse të gjithë, pa dallim, një ditë do ta lëmë këtë botë! Dëshira e njerëzve për të fituar pa punuar, mendoj se është elementi kryesor që i sjell njerëzimit tragjedi! Pozita strategjike e vendndodhjes së shqiptarëve ka qenë historikisht objektiv i çdo perandorie dhe pushtuesi! Gadishulli i Ilirisë ka qenë në vazhdimësi pre e përpjekjeve për çfarosje, nga shumë plane dhe projekte të ndryshme! Në fund të shekullit të 20-të, një pjesë e kombit shqiptar u gjend përballë momentit më të vështirë ekzistencial, për shkak të tendencës së Serbisë për pastrim etnik dhe veprimeve të saj gjenocidale.
“Dy duar për një kokë”, thotë populli ynë — u organizua lufta që në historinë e kombit tonë do të mbetet kapitulli më i rëndësishëm dhe plotësimi i aspiratave shekullore të kombit tonë! Duhet theksuar me forcën e argumentit se fajtorë kryesorë për copëtimin e trupit të shqiptarëve janë kancelaritë evropiane, që fatkeqësisht ende mbajnë një qëndrim të pakuptueshëm!
Ne shqiptarët nuk jemi faktor vendimmarrës i problemeve të mëdha botërore, por një gjë është e sigurt: gjithmonë kemi qenë në krah të përpjekjeve të çdo populli për lirinë e vet, pa marrë parasysh ngjyrën, fenë dhe vendndodhjen!
Pas përfundimit të luftës, forcat që kishin përpiluar dhe projektuar zhdukjen tonë, të zhgënjyera nga suksesi i madh që arritëm, lëvizën çdo gur për të krijuar një opinion tjetër ndërkombëtar, sikur gjatë luftës sonë të kishte ndodhur transplantim organesh! Dorën në zemër, përpjekja e tyre nuk ishte e drejtuar kundër nesh, por kryesisht kundër NATO-s, me qëllim njollosjen e saj!
Do të ishte katastrofike për një aleancë kryesore ushtarake të kishte ndihmuar një luftë që paskësh arritur deri në atë shkallë sa të përfshinte edhe transplantim organesh — kjo do të ishte akuza më e rëndë që mund t’i bëhej NATO-s.
Fatkeqësisht, një rezolutë e tillë, e përgatitur nga antiamerikani Dick Marty, u votua nga Parlamenti Evropian (u votua edhe nga përfaqësues të shtetit shqiptar, të qeverisë Berisha), për t’i hapur rrugë krijimit të një gjykate speciale të paprecedent në historinë e njerëzimit! Prokurorët që kishin marrë përsipër hetimin e këtij rasti dështuan me turp, sepse nuk kishte asgjë të vërtetë nga kjo përrallë e përpiluar nga pushteti në Serbi dhe Rusi. Por, pavarësisht dështimit të argumentimit të kësaj akuze të paskrupullt, drejtuesit kryesorë të saj u morën në paraburgim — përkundër garancive të shumta, që erdhën edhe nga shtete mike të luftës sonë! Për të mos dështuar me turp, projektuesit e kësaj gjykate lëvizën çdo gur, paguan dëshmitarë (fatkeqësisht edhe shqiptarë) për të ndërtuar një akuzë tjetër, dhe shkuan aq larg sa e emërtuan këtë grup si “grup i strukturuar kriminal”!!!!
Kjo akuzë, kështu e përpiluar, është fyerja më e madhe që i bëhet një grupacioni heroik, i cili mori përsipër — në bashkëpunim me NATO-n — të drejtonte luftën më të drejtë dhe më të lavdishme të historisë sonë! Sot, në emër të popullit tonë liridashës, por i bindur se përfaqësoj edhe dëshirën e gjithë popujve liridashës të botës, kërkoj me forcë që të hidhen poshtë këto akuza të turpshme dhe të paqena! Fyerja ka ndodhur prej 6 vitesh, ditë për ditë, duke parë fytyrat më të ndritura të arritjes së popullit tonë të maltretuara në formën më të ulët nga prokurorë të pandershëm. Por, për të mbuluar këtë njollë të zezë të drejtësisë, ata duhet të shpallen të lirë dhe heroikë. Ata nuk shpallen të pafajshëm — ata janë të pafajshëm. Ata duhet të lirohen, si mbrojtje ndaj një sulmi të paprecedent në historinë botërore! Liri për Çlirimtarët! Rroftë lufta heroike e popullit liridashës shqiptar! Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!