Kur fjalia “Amerika ka folur” zëvendësoi analizën politike shqiptare
Nga Rafael Floqi
Për pesë vjet politika shqiptare jetoi nën hijen e dy fjalëve latine: “non grata”. Ato u shqiptuan si vendim gjykate, si dënim moral, si fund karriere dhe, herë-herë, pothuajse si mallkim politik. Mjaftonte të thuhej “Amerika e ka shpallur non grata” dhe diskutimi konsiderohej i mbyllur. Një pjesë e analistëve ndërtoi mbi këtë premisë teori të tëra për fundin politik të Sali Berishës; kundërshtarët e përdorën si provë përfundimtare të fajësisë së tij, ndërsa studio televizive të tëra u shndërruan në dhoma jehone ku përsëritej i njëjti përfundim: Washingtoni ka folur, çështja është mbyllur.
Por çfarë ndodh kur “non grata” nuk është më aq “non grata”? Çfarë mbetet nga gjithë ajo teologji politike kur politikani që u paraqit si i përjashtuar përgjithmonë nga Amerika merr vizë, kalon kontrollin kufitar dhe shkel përsëri në territorin amerikan? Dhe, mbi të gjitha, çfarë bëjmë me kilometra komente televizive, editoriale, deklarata dhe profeci që na siguruan se një vendim i një administrate amerikane ishte praktikisht i përjetshëm?
Këtu duhet të kthehemi te pyetja që shumë analistë shqiptarë çuditërisht nuk e bënë kur duhej: çfarë ishte juridikisht “non grata” e Sali Berishës?
Në kuptimin klasik diplomatik, persona non grata është një koncept i së drejtës diplomatike, i lidhur kryesisht me përfaqësuesit diplomatikë. Sali Berisha nuk ishte diplomat shqiptar në Washington që Shtetet e Bashkuara e shpallën persona non grata. Më 19 maj 2021, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken njoftoi designimin publik të Berishës dhe familjarëve të tij të afërt sipas Section 7031(c), duke deklaruar përfshirjen e ish-kryeministrit në “significant corruption”. Ishte një masë serioze e ekzekutivit amerikan, me pasoja konkrete, por nuk ishte vendim i një gjykate penale amerikane dhe aq më pak një dënim penal i formës së prerë.
Në Shqipëri, megjithatë, gjithë ky formulim juridiko-administrativ u përkthye në dy fjalë shumë më të fuqishme: NON GRATA. Dhe pikërisht këtu nisi mistifikimi.
Berisha nuk ishte shqiptari i parë ndaj të cilit Washingtoni kishte përdorur instrumente të tilla. Ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe deputeti Tom Doshi ishin designuar publikisht më 2018, ndërsa ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako në vitin 2019. Ka pasur gjithashtu figura shqiptare të prekura nga mekanizma të tjerë amerikanë sanksionesh, përfshirë masa të Departamentit të Thesarit, të cilat juridikisht nuk janë e njëjta gjë me një designim të Departamentit të Shtetit.
Fetishizimi shqiptar i Amerikës
Këtu problemi nuk është më vetëm Sali Berisha. Është mënyra si një pjesë e politikës, gazetarisë dhe analizës shqiptare e koncepton Amerikën.
Shqipëria është me arsye një nga vendet më proamerikane të Evropës. Nga Woodrow Wilsoni te Kosova, SHBA-ja lidhet në kujtesën shqiptare me momente vendimtare të historisë kombëtare. Por mirënjohja historike dhe aleanca strategjike nuk kërkojnë abdikimin e arsyes kritike. Pikërisht këtu një pjesë e analistëve shqiptarë dështoi. Në vend që të shpjegonin Amerikën, ata filluan ta predikonin Amerikën. Në vend që të analizonin një vendim të Washingtonit, e kthyen atë në dogmë.
Në studiot televizive nuk pyetej mjaftueshëm: cili ishte standardi juridik? Cilat ishin pasojat konkrete të designimit? Çfarë ndryshimi kishte mes tij dhe një vendimi gjykate? A mund të rishikohej? Çfarë ndodh kur ndryshojnë administratat dhe prioritetet? Në vend të këtyre pyetjeve ekzistonte një argument që mund të përmblidhej në pesë fjalë: “E ka thënë Amerika.”
Kjo ishte forma më komode e analizës, sepse nuk kërkonte analizë.
Ironia është se edhe Sali Berisha vetë kontribuoi në këtë mistifikim. Ai e personalizoi konfliktin me ambasadoren Yuri Kim dhe Sekretarin Antony Blinken dhe e ngriti designimin në nivelin e një beteje ekzistenciale. Berisha shkoi edhe në gjykatë. Politikisht, ky mund të ketë qenë një nga gabimet e tij më të mëdha në fazën e parë: duke kërkuar ta rrëzonte publikisht dhe juridikisht aktin, ai i dha atij edhe më shumë peshë. Në vend që ta çmistifikonte, e monumentalizoi “non gratën”.
Milionat dhe “certifikata e virgjërisë”
Pastaj erdhi lobimi. Kundërshtarët e Berishës kanë folur për rreth 6 milionë dollarë të shpenzuar apo angazhuar për të ndryshuar klimën politike në Washington dhe për të rehabilituar marrëdhënien e tij me SHBA-në. Shifra konkrete duhet verifikuar në kontratat dhe deklarimet amerikane përpara se të trajtohet si fakt i padiskutueshëm. Por akuza prodhoi një metaforë që përmbledh absurditetin e situatës: Berisha po kërkonte nga Amerika një lloj “certifikate virgjërie” politike.
Paradoksi është i dukshëm. Nëse Washingtoni duhej për ta dënuar përfundimisht, atëherë Washingtoni duhej edhe për ta rehabilituar përfundimisht. Në të dyja rastet, votuesi shqiptar mbetej spektator.
Nga “non grata” te “Welcome”: si u prit Berisha në Amerikë
Por këtë herë debati nuk mbeti teorik. Më 5 shtator Berisha mbërriti në Shtetet e Bashkuara dhe pamjet nga aeroporti treguan shqiptarë të diasporës që kishin dalë për ta pritur, ndërsa ai vetë e përshkroi momentin si “një pritje shqiptare, një moment mirënjohjeje”. Një ditë më vonë, në takimin me komunitetin shqiptar në New Jersey, pritja u bë më politike: ovacione, duartrokitje dhe entuziazëm nga mbështetësit e tij. Por fotografia nuk ishte uniforme. Jashtë aktivitetit u shfaqën edhe kundërshtarë me pankarta kundër tij, duke rikthyer akuzat e vjetra dhe polemikën mbi lobimin. Pra Amerika që Berisha gjeti nuk ishte as Amerika triumfale që mund të dëshirojnë mbështetësit e tij, as Amerika e derës së mbyllur që kishin parashikuar kundërshtarët. Ishte diçka shumë më normale për një demokraci: një vend ku ai mund të hyjë, të takohet me mbështetësit dhe njëkohësisht të protestohet kundër tij.
Dhe media? Heshtja amerikane flet po aq sa zhurma shqiptare
Edhe reagimi mediatik kërkon të lexohet pa propagandë. Në Shqipëri, rikthimi i Berishës në SHBA u shndërrua menjëherë në lajm të madh: aeroporti, viza, pritja, duartrokitjet, protestuesit dhe çdo takim u transmetuan pothuajse si pjesë të një referendumi të ri mbi “non gratën”. Por deri në këtë fazë të vizitës nuk shohim një jehonë të krahasueshme në mediat e mëdha kombëtare amerikane. Kjo është e rëndësishme. CNN, The New York Times, The Washington Post, NBC, CBS, ABC apo Fox News nuk e kanë shndërruar kthimin e Berishës në Amerikë në ngjarjen që është bërë në Tiranë. Kjo nuk e zvogëlon rëndësinë politike të vizitës për Shqipërinë, por vendos përmasën e saj reale. Për amerikanin mesatar, Berisha nuk është çështje qendrore; për politikën shqiptare, një vizë amerikane mund të prodhojë krizë ekzistenciale. Pikërisht ky kontrast tregon se sa shumë prej mitologjisë së “non gratës” është prodhuar jo në Washington, por në Tiranë.
Nëse sot Berisha pajiset me vizë dhe udhëton përsëri drejt Shteteve të Bashkuara, kjo natyrisht nuk e shpall automatikisht të pafajshëm nga akuzat e bëra më parë. Viza nuk është vendim gjykate, ashtu si designimi administrativ nuk ishte vendim penal. Por pikërisht këtu duhet të zbatohet i njëjti standard. Nëse dje ndalimi për të hyrë në Amerikë paraqitej si prova supreme e dënimit politik, atëherë si do ta shpjegojnë sot të njëjtët komentatorë hyrjen e tij?
Po nëse DASH nuk e takon?
Këtu qëndron prova tjetër. Berisha është në Amerikë. Por hyrja në Amerikë dhe hyrja në Departamentin e Shtetit nuk janë e njëjta gjë.
Nëse gjatë vizitës së tij nuk zhvillohet një takim zyrtar me Departamentin e Shtetit, kjo mund të tregojë ruajtje distance politike. Mund të jetë dëshirë për të mos zhvlerësuar plotësisht qëndrimin e mëparshëm. Mund të jetë edhe mënyrë për të normalizuar gradualisht marrëdhënien pa i dhënë vizitës simbolikën e një rehabilitimi zyrtar.
Po kështu, një fotografi me një kongresmen apo senator nuk duhet të shitet si provë se “Amerika rehabilitoi Berishën”. Sipas deklarimeve të Fatmir Mediut, gjatë pjesëmarrjes në aktivitetet republikane në Teksas priten kontakte me përfaqësues të Kongresit, Senatit dhe Partisë Republikane. Pesha politike e këtyre kontakteve duhet gjykuar pasi të dimë kush e takoi, në çfarë cilësie, ku dhe për çfarë.
Sa të cekëta duken tani profecitë?
Këtu vjen fatura për analistët.
Për vite na thanë se Berisha kishte marrë fund. Se nuk mund të drejtonte më PD-në. Se Washingtoni nuk do ta lejonte. Se askush nuk mund t’i rezistonte një designimi amerikan. Se “non grata” ishte praktikisht fundi politik i një njeriu. Dhe këto nuk paraqiteshin si hipoteza. Paraqiteshin si të vërteta të padiskutueshme.
Shumë prej atyre që duhej të analizonin politikën u sollën si noterë të ambasadës. Disa e ngatërruan njohjen e Amerikës me përsëritjen e Amerikës; të tjerë afërsinë me diplomatë amerikanë me ekspertizën mbi sistemin amerikan. Një darkë, një takim, një burim diplomatik apo një fjali e dëgjuar në korridoret e ambasadës shitej në ekran si njohuri mbi atë që “Washingtoni kishte vendosur”.
Por Washingtoni nuk është një person. Nuk është as një ambasador dhe as një sekretar Shteti. Është një sistem politik ku ndryshojnë presidentët, administratat, Kongresi, prioritetet dhe interesat.
Sot nuk kanë pse të kërkojnë falje që nuk parashikuan të ardhmen. Askush nuk e parashikon dot politikën me siguri. Por do të ishte e shëndetshme të pranonin diçka shumë më të thjeshtë: nuk duhej ta kishin paraqitur hamendësimin si siguri, interpretimin si fakt dhe dëshirën politike si vendim të përjetshëm të Shteteve të Bashkuara.
Prandaj pyetja nuk është vetëm: çfarë vjen pas “non gratës”? Pyetja është çfarë mësoi politika dhe media shqiptare prej saj.
Nëse mësimi është se dje duhet t’i bindesh verbërisht një deklarate amerikane dhe sot duhet të festosh verbërisht një vizë amerikane, nuk kemi mësuar asgjë. Nëse kuptojmë se Shtetet e Bashkuara janë aleati strategjik më i rëndësishëm i Shqipërisë, por shqiptarët duhet t’i gjykojnë politikanët e tyre me institucione, prova, zgjedhje dhe drejtësi shqiptare, atëherë gjithë kjo histori mund të ketë pasur të paktën një dobi.
Sepse demokracia nuk mund të funksionojë me pyetjen: “Çfarë tha ambasadori?”
As me pyetjen: “A i dhanë vizë?”
Dhe aq më pak me formulën: “E tha Amerika, prandaj diskutimi mbaroi.”
Ndoshta pikërisht tani, kur Sali Berisha ka kaluar përsëri Atlantikun dhe debati është zhvendosur nga pyetja “a do ta lënë të hyjë?” te pyetja “kë do të takojë?”, kuptojmë sa e ekzagjeruar ishte mitologjia që ndërtuam rreth një vule administrative.
Grata apo non grata, në fund të fundit, do shihet mbrapa.



