Nga KKAD (Këshilli Koordinues i Arsimtarëve të Diasporës)
Është e vështirë që jeta e një njeriu të madh të përmblidhet në një shkrim. Aq më e vështirë është të pranosh se një njeri me të cilin ke ndarë punë, ide, projekte, debate, të qeshura e orë të tëra bashkëpunimi, nuk do të jetë më fizikisht mes teje. Për ne, në Këshillin Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë (KKAD), kjo dhimbje është edhe më e madhe, sepse humbëm kryetarin tonë, bashkëpunëtorin dhe mikun tonë, Mustafë Krasniqin.
Këto ditë, në mediat shqiptare dhe në hapësirat e komunitetit, janë shkruar shumë fjalë për Mustafën. Publikimet e fundit e kanë përshkruar atë si veprimtar të hershëm të çështjes kombëtare, mësues të gjuhës shqipe, poet, shkrimtar dhe një njeri që gjithë jetën e tij ia kushtoi atdheut, gjuhës shqipe dhe bashkatdhetarëve. Lajmi për ndarjen e tij nga jeta më 1 shtator u përcoll me dhimbje të madhe, ndërsa për të u organizuan edhe homazhe përkujtimore dhe shkrime e ngushëllime nga KKAD dhe kolegët, vendet mëmë e bashkëatdhetarë me të cilët Mustafa bashkëpunoi.
Por për ne, Mustafë Krasniqi nuk ishte vetëm emri që këto ditë u shfaq në gazeta, televizione e portale. Ai ishte njeriu që e kishim çdo ditë pranë punës sonë. Ishte zëri që sillte ide, diskutonte, propozonte dhe, mbi të gjitha, kërkonte gjithmonë të ecte përpara. Vetëm pak kohë para ndarjes së tij nga jeta, në publikimin e KKAD-së për takimin e përmbyllës të vitit shkollor 2025-2026, Mustafë Krasniqi figuron ende në detyrën e tij si kryetar, duke marrë pjesë në diskutimet për të ardhmen e punës sonë, për mësimin plotësues në diasporë, për seminarin dhe për projektet që duhej të vazhdonin.
Edhe më domethënës është fakti se vetëm disa ditë para lajmit për ndarjen e tij nga jeta, KKAD publikoi mirënjohjen që Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj, i kishte përcjellë Mustafës për veprimtarinë e tij patriotike, gjuhësore-letrare dhe njerëzore. Ishte një vlerësim që erdhi pas një jete të tërë pune dhe përkushtimi.
Mustafa ishte njeri i penës dhe i mendjes, por edhe njeri i veprimit dhe i bindjeve. Jeta e tij ishte e lidhur ngushtë me çështjen kombëtare, me arsimin shqip dhe me përpjekjen për ta ruajtur gjuhën e identitetin shqiptar në mërgatë. Në vitet e fundit, një pjesë e rëndësishme e energjisë së tij iu kushtua pikërisht kësaj pune. Ai ishte ndër njerëzit që e panë shkollën shqipe jo thjesht si një institucion arsimor, por si një domosdoshmëri për ruajtjen e lidhjes së brezave të rinj me gjuhën, kulturën dhe rrënjët e tyre.
Kjo ishte edhe arsyeja pse Mustafë Krasniqi nuk dinte të rrinte indiferent. Ai gjithmonë kërkonte më shumë, gjithmonë shihte përpara dhe gjithmonë besonte se mund të bëhej diçka më mirë. Optimizmi, dëshira për të punuar, këmbëngulja për të çuar përpara një ide dhe besimi se puna e përbashkët sjell rezultate ishin pjesë e pandashme e karakterit të tij, sa edhe ndikoi tek shumë prej nesh duke rritur pritshmëritë tek secili dhe duke punuar ditë e natë për misionin tonë.
Sot, ajo që na dhemb më shumë është boshllëku që lë pas. KKAD nuk do ta ketë më kryetarin në mesin tonë në takimet, projektet dhe punët që do të bëjmë. Nuk do ta dëgjojmë më zërin e tij në diskutimet tona, nuk do të marrim më mesazhet dhe e-mailet e tij, nuk do të debatojmë më për një ide apo projekt të ri. Por një gjë është e sigurt: zëri i Mustafës do të jetë në çdo takim tonin.
Sepse ne jemi ekipi me të cilin ai ndau orë e orë pune. Jemi njerëzit me të cilët ndërtoi ide, projekte, diskutime dhe miqësi. Dhe pikërisht për këtë arsye, humbja e tij nuk është vetëm humbje e një kryetari. Është humbje e një bashkëpunëtori, e një miku dhe e një njeriu që dinte të sillte energji edhe atëherë kur puna dukej e vështirë.
Sot më 5 shtator 2026, anëtarët e KKAD-së u mblodhën për ta kujtuar dhe nderuar për herë të fundit Mustafën. U mblodhëm për t’i dhënë simbolikisht lamtumirën tonë, për të ndarë dhimbjen me njëri-tjetrin dhe, mbi të gjitha, për t’i thënë familjes së tij se nuk është vetëm. “Ne jemi këtu për ju. Ne jemi ekipi i Mustafës.”
Do t’i mungojë familjes së tij mbi të gjitha. Do t’u mungojë kolegëve, miqve, bashkëpunëtorëve, komunitetit shqiptar në diasporë dhe të gjithë atyre që e njohën. Do t’i mungojë edhe hapësirës së gjuhës shqipe, së cilës ai i shërbeu me aq përkushtim. Por njerëzit që jetojnë me një qëllim nuk largohen plotësisht. Ata mbeten në punën që kanë bërë, në njerëzit që kanë frymëzuar, në librat që kanë shkruar, në nxënësit që kanë mësuar prej tyre dhe në projektet që kanë ndihmuar të ndërtohen.
Mustafë Krasniqi do të mbetet në kujtesën tonë pikërisht kështu: si njeriu që kërkonte gjithmonë të bënte diçka të vlefshme, si mësuesi dhe veprimtari që nuk u lodh së punuari për gjuhën shqipe, si kryetari që na shtynte përpara dhe si miku që na la pas jo vetëm kujtime, por edhe një përgjegjësi: ta vazhdojmë punën.
Sepse puna që nisi Mustafa nuk përfundon me të.
Ajo vazhdon me ne.
I përjetshëm qoftë kujtimi për ty, i nderuar Mustafë Krasniqi. Do të mbetesh përherë pjesë e KKAD-së.



