“Rrënjët” e Fatmir Loshit. Shqiptarët e trojeve të humbura rikthehen në pikturë

E martë, 17 Nëntor, 2026

Ka fotografi që dokumentojnë një kohë. Por ka edhe fotografi që, shumë vite më vonë, kthehen në dëshmi të një historie që rrezikon të harrohet. Pikërisht nga këto imazhe është nisur piktori dhe grafisti Fatmir Loshi për të sjellë në Prishtinë ekspozitën e tij personale “Rrënjët”.

E hapur në “Hanin e Dy Robertëve”, ekspozita sjell në përmasa të mëdha portrete shqiptarësh nga troje të ndryshme, shumë prej të cilave sot mbeten jashtë kufijve të Shqipërisë dhe Kosovës. Çamëria, Reka e Epërme, trevat shqiptare në Mal të Zi dhe hapësira të tjera shqiptare vijnë përmes figurave të zakonshme: lahutarë, burra odash, gra me veshje tradicionale, punëtorë e njerëz të panjohur, të fotografuar më shumë se një shekull më parë.

Por këtë herë ato nuk shfaqen si fotografi. Loshi i ka rikthyer në pëlhurë.

Kryesisht në bardhezi, pikturat ruajnë karakterin dokumentues të fotografive të vjetra, por njëkohësisht u japin personazheve një jetë të re. Janë fytyra që nuk i përkasin historisë së librave, por historisë së njerëzve të zakonshëm, të cilët sot bëhen pjesë e kujtesës kolektive përmes artit.

“Fotografitë bardhezi të vjetra kanë një vlerë të veçantë, pasi së pari janë dokumente. Pastaj janë nga fotografët e huaj, ata që më së miri e dokumentojnë kohën në të cilën kanë shkrepur. Unë kam bërë vizatime e piktura duke përdorur ato fotografi”, ka thënë Loshi në hapje të ekspozitës.

Artisti jeton prej gati tri dekadash në Itali, në Firence, por largimi nga vendlindja dhe jeta në diasporë duket se e kanë bërë edhe më të fortë lidhjen me rrënjët. Për dy vjet ai ka punuar mbi këtë cikël, duke kërkuar në fotografitë e vjetra jo vetëm një estetikë artistike, por historinë e njerëzve dhe të vendeve që ato dokumentojnë.

Në një prej veprave, Loshi ndërhyn drejtpërdrejt mbi portretin e një vajze nga Reka e Epërme. Sytë i mbulon me të zezë, ndërsa gojën me të bardhë. Është një ndërhyrje që e nxjerr veprën përtej riprodhimit të një fotografie dhe e kthen atë në një deklaratë mbi identitetin.

“Është një vajzë e Rekës së Epërme në kohën kur është shkrepur ajo fotografi. Sot aty asnjë familje nuk është deklaruar shqiptare. Janë asimiluar e kanë migruar. Mbulimi i syve tregon fshehjen e identitetit”, shpjegon Loshi.

Në këtë kuptim, “Rrënjët” nuk është vetëm një ekspozitë për të shkuarën. Është edhe një reflektim mbi atë që ka mbetur prej saj.

Veçanërisht të pranishme janë edhe figurat e shqiptarëve të Çamërisë dhe të atyre që u shpërngulën nga trojet që sot ndodhen brenda territorit të Serbisë, përfshirë Sanxhakun e Nishit. Përmes tyre, ekspozita prek edhe një prej përvojave më të dhimbshme të historisë shqiptare: largimin e njerëzve nga vendi i tyre dhe humbjen graduale të gjurmëve të tyre.

“Janë rrënjët që kanë mbetur jashtë trungut. Shqipëria e Kosova s’kanë nevojë t’iu qahet halli. Qëllimi është që të bëjmë thirrje t’iu ndihmojmë atyre që kanë mbetur jashtë trungut”, është shprehur artisti.

Për kurator të ekspozitës është Tafil Peci, koleg i Loshit që nga vitet e studimeve në Fakultetin e Arteve, ku të dy kanë qenë studentë të profesorit të grafikës Fatmir Krypa.

Sipas Pecit, ajo që e veçon këtë cikël është pikërisht zgjedhja e personazheve. Nuk janë figura politike, personalitete të njohura apo heronj të historisë, por njerëz të zakonshëm, të mbetur në fotografitë e fotografëve të huaj që kanë udhëtuar nëpër trojet shqiptare.

“Janë personazhe të papopullarizuara, por të zakonshme. Fatmir Loshi këto personazhe i kthen në memorie kolektive”, ka thënë Peci.

Dhe pikërisht këtu duket se qëndron edhe thelbi i “Rrënjëve”. Në vend që historia të rrëfehet vetëm përmes emrave të mëdhenj, ajo vjen përmes fytyrave të njerëzve që kanë jetuar, punuar, kënduar, veshur kostumet e tyre dhe kanë lënë pas një fotografi.

Loshi i ka marrë ato fotografi dhe i ka sjellë sërish në dritë.

Pas më shumë se një shekulli, njerëzit e fotografuar dikur në trojet shqiptare shfaqen në Prishtinë jo vetëm si dëshmi e një kohe tjetër, por si një kujtesë se rrënjët mund të mbeten gjallë edhe atëherë kur historia i ka zhvendosur njerëzit larg tyre.

“Rrënjët” është, në fund, një ekspozitë mbi kujtesën. Por edhe mbi atë që arti mund të bëjë me të: ta shpëtojë nga harresa dhe t’ia kthejë një brezi tjetër.

Materialet e publikuara nga “Diaspora Shqiptare” janë të mbrojtura nga të drejtat e autorit. Rishpërndarja, riprodhimi, modifikimi apo përdorimi i tyre, i pjesshëm ose i plotë, pa lejen e shprehur të redaksisë, është i ndaluar dhe shkel ligjet mbi të drejtat e pronës intelektuale.