Nga Yllka Lezo
Si lind një studiues? Ndoshta jo vetëm nga librat që lexon, por nga pyetjet që nis t’i bëjë botës shumë kohë përpara se të ulet në një auditor universiteti. Nga vendi ku rritet, historitë që dëgjon në familje, gjuhët që mëson dhe kulturat mes të cilave mëson të jetojë. Fisnik Zyberi, një nga fituesit e edicionit të parë të konkursit të përkthimit “Jusuf Vrioni” organizuar nga QBD, është një shembull konkret i këtij rrugëtimi. I lindur dhe i rritur në Zvicër, me rrënjë familjare nga Ohri, ai është formuar mes dy hapësirave kulturore që nuk e kanë ndarë identitetin e tij, por e kanë pasuruar atë. Nga kureshtja e një fëmije për gjurmët e së kaluarës, te studimi i historisë, migracionit dhe identitetit, rruga e tij tregon se të njohësh më shumë se një kulturë do të thotë të kesh edhe më shumë se një këndvështrim për botën. Dhe ndoshta pikërisht aty nis edhe studiuesi: te aftësia për të parë përtej asaj që njeh, pa humbur atë që je.
Fisnik, ju jeni me origjinë nga Ohri, një qytet me një histori dhe trashëgimi të jashtëzakonshme kulturore. Sa ka ndikuar vendlindja dhe rritja në një mjedis të tillë në pasionin tuaj të mëhershëm për historinë dhe gjeografinë?
Ka ndikuar shumë! Si fëmijë, kur shkonim verës në Maqedoni, gjithmonë doja të shkoja në pjesën e vjetër të qytetit: ta shoh teatrin e lashtë, kalanë mesjetare, shtëpitë nga koha osmane, xhamitë, kishat, teqenë etj. Më mahnitin gjurmët nga e kaluara: Si jetonin njerëzit ose paraardhësit e mi, në çfarë besonin, çfarë punonin, pse jetonin aty, si flisnin, si bashkëjetonin me grupet e tjera etnike ose fetare?
Por edhe kur tregonin prindërit ose gjyshërit e mi për jetën e tyre të vështirë në kohën e Jugosllavisë ose në «gurbetet» e tyre në Australi, Gjermani ose Zvicër, gjithmonë dëgjoja me vëmendje. Prandaj edhe e shkrova tezën në bachelor në pranverë 2024 mbi arsyet dhe proceset e mërgimit nga ky rajon. Doja t’i hyja më thellë temës dhe t’i dokumentoja ato gjurmë. Ishte shumë bukur, t’i bëja ato intervistat me prindërit dhe të katërt gjyshërit e mi. Njëri gjysh ndërroi jetë në shkurt 2025 – prandaj isha edhe me «kismet», që munda t’i bëja disa pyetje, para se të shkonte në botën tjetër.
A sa për Gjeografinë, mund të them, që të rritesh në një katund të vogël në Zvicër me pamje të përditshme drejt alpeve zviceriane, ka qenë një ndikim tepër i madh. Sepse katundi gjendej në këmbën jugore të maleve Jura, dhe ndërmjet katundit dhe alpeve ka një hapësirë të madhe, të gjelbër dhe mahnitëse. Por edhe duke parë dhe duke shijuar liqenin e madh të Ohrit çdo verë, e zhvillova ndoshta pasionin edhe për hapësirat e mëdhaja – për gjeografinë.
Sot jetoni, studioni dhe punoni në Zvicër. Si ka qenë tranzicioni juaj drejt shoqërisë zvicerane dhe si arritët të ndërtoni një profil kaq të lartë akademik në Universitetin e Cyrihut?
Unë kam lindur dhe jam rritur në rajonin e Solothurn-it, afër kryeqytetit zvicerian të Bernës. Tranzicioni nuk ka qenë i lehtë – ta them tani si retrospektivë. Në Zvicër, shpesh më identifikonin vetëm si «Albaner» (shqiptar), si «Ausländer» (i jashtëm) ose si «Moslem» (mysliman), dhe jo si zvicerian – edhe pse familja ime u natyralizua mjaft herët dhe pranoi nënshtetësinë e Zvicrës. Racizëm eksplicite nuk kam përjetuar shumë, por implicite shpesh. Kam pasur atë ndjenjën, që nuk më pranojnë dhe nuk më shohin si të barabartë. Një shok i ngushtë deri vonë më thoshte, «ti, Fisnik, nuk je shqiptar tipik, ti je i mirë». Kur isha më i ri, më gëzonte kjo. Por me rritjen e përvojave, kuptova, që ajo deklaratë është shumë problematike. Po si na qenkan «shqiptarët tipikë»?! Jo të mirë? Por duhet të shtojmë këtu, që shoku nuk ka pasur qëllim negativ me atë deklaratë, ai s’ka pasur faj. Ai është rritur në një mjedis të tillë, ku njerëzit jo vetëm ndahen, por edhe vlerësohen sipas kombit, fesë, gjuhës, ngjyrës së lëkurës dhe gjinisë.
Besoj, ngaqë kam punuar si mësues dhe kujdestar klase, jam bërë më i sigurt me veten time. Duke marrë me arsimimin e nxënësve të kulturave të ndryshme dhe duke pasur përgjegjësi për to, m’u qartësuan disa çështje identiteti. Sot jam shqiptar – sigurisht –, por jam edhe zvicerian, europian, mysliman, banor i tokës – njeri. Por jam i bindur, njeriun nuk i bëjnë vetëm këto gjëra atë që është, por më tepër karakteri i tij, ngrohtësia e tij, humori i tij, solidariteti i tij etj. Për mua ato janë më të rëndësishme.
A sa për rrugën time akademike, dua të them, që nuk është edhe kush e di sa «e lartë». Jam i kënaqur me atë që kam arritur dhe shpresoj që të mund të ndikoj edhe më tutje në shkencat historike. Do shohim, çfarë do sjellë e ardhmja. Por jam optimist. Gjithsesi, besoj, që me këmbëngulje, rezistencë dhe përqendrim arrihet gati çdo send – me lejen e Zotit. Unë besoj, se ka një plan për secilin prej nesh. Ai plan nuk ndryshohet me zorr. Është «Schicksal», si thonë në gjermanisht, është fati i shkruar.
Ju jeni asistent kërkimor dhe po përfundoni Masterin për Historinë e Evropës Lindore. Fushat tuaja të interesit janë migracioni dhe identiteti—tema që prekin drejtpërdrejt çdo shqiptar në diasporë. Çfarë ju shtyn si historian t’i hulumtoni këto dukuri? A ju ndihmon përvoja juaj personale si emigrant në Zvicër për t’i parë këto procese me një sy tjetër?
Besoj që po. Më ndihmon, por ndoshta edhe më verbon pak. Duhet të përqendrohem tek ndarja e ndjenjave prej punës shkencore. Sepse shkencëtari nuk është politikan, artist ose shkrimtar. Ai duhet t’i ndjekë disa parime qendrore të shkencës. Fatkeqësisht, kur lexoj tekste shkencore, që vijnë nga Europa juglindore, shpesh has inate, mllefe, racizma, dëshpërime, vajtime etj. Si qenie njerëzore i kuptoj shumë mirë këto ndjenja, për shembull rreth dëbimit të shqiptarëve nga Çamëria, rreth masakrave ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe Maqedoni në shekujt 19 dhe 20 etj. Por si mund ta quaj veten shkencëtar, nëse parimi im është vetëm inati dhe hakmarrja ndaj kombit serb ose grek, nga ku rrjedhnin ata kryerësit? Mentaliteti, edukimi dhe toleranca në shtetin zvicerian më kanë dhënë mbajtjen e distancës së nevojshme ndaj këtyre sjelljeve joshkencore.
Pavarësisht kësaj, çfarë më shtyn mua t’i hulumtoj dukuritë historike mbi migracionin, identitin, por edhe mbi dhunën ndaj popujve, nacionalizmat, Rilindjen, shtetformimet etj. është dhënia e një kontributi të vogël në shkencën e historisë – qoftë një korrigjim i vogël, një shtesë e vogël, një rikonceptim i vogël ose një aluzion i vogël. Kur bëhet fjalë për historinë shqiptare, jo-shqiptarët shpesh i kanë shtrembëruar faktet – qoftë nga inati antishqiptar, qoftë nga romantizimi i kombit shqiptar –, a historianët shqiptarë po aq shpesh edhe ata kanë shtrembëruar fakte – duke vepruar me arsye ideologjike, me gabime themelore shkencore ose me kompleks inferioriteti. Unë sadoqoftë mundohem t’i largohem këtyre problematikave dhe besoj, që shkollimi im në Universitetin e Cyrihut më ka ndihmuar shumë këtu.
Gjatë punës suaj kërkimore në katedër, si trajtohet historia e Ballkanit dhe e shqiptarëve në qarqet akademike zvicerane? Sa e vështirë është të zhbëhen disa stereotipe përmes kërkimit shkencor objektiv?
Është mjaft e vështirë. Siç e theksova që më parë, problemet qëndrojnë tek të dyja «anët»: tek shqiptarët dhe tek jo-shqiptarët. Sa për akademinë zviceriane ose të themi më mirë sa për akademinë gjermanishtfolëse, historia e Europës juglindore shpesh është trajtuar si një histori jo-europiane – përveç lashtësisë ndoshta. «Prapambetja» e Bizantit, «barbaria» e osmanëve, «etja për gjak» e europianëve juglindorë në luftërat 1912–1913 ose në vitet 1990 etj. janë vetëm disa shembuj, se sa shumë stereotipe qëndrojnë ende shumë të fortë. Por dua të shtoj, që të paktën në akademi këta stereotipe treten ngadal-ngadal. Ama duhet bërë akoma më tepër punë.
Si vendose që ti hysh garës ndërkombëtare të përkthimit “Jusuf Vrioni” të organizuar nga QBD-ja? Çfarë përshkënditi te një historian dëshira për t’u matur në fushën e përkthimit?
Unë jam historian (në bërje), po. Por jo vetëm. Siç theksova edhe më herët, jam edhe arsimtar, por po ashtu interesohem shumë për politikë dhe kulturë, dhe shpesh jam marrë edhe me gjuhët. Kam marrë pjesë në kurse gjuhësore për latinisht, serbisht dhe arabisht. Shpresoj të mësoj ndonjëherë edhe pak portugalisht, japonisht dhe turqisht. Gjuhët janë thesarë të njerëzimit, dhe duhen mbrojtur dhe kultivuar! Sepse ruajnë edhe gjurme nga e kaluara. Aty për mua gjuha lidhet me historinë. Gjuha është si një relike e njerëzve, që nuk janë më me ne, por edhe relike nga politika të ndryshme gjuhësore. Sot shkruajmë dhe flasim shqip në këtë mënyrë, sepse kongresi i Manastirit në vitin 1908 dhe kongreset në Shqipëri në vitet 1970 vendosën ashtu. Mos e harrojmë këtë.
Garës i hyra, sepse ma këshilloi një shok, dhe për mua ishte një mundësi e mirë ta marrë një vlerësim nga Shqipëria për punën time disavjeçare si përkthyes nga shqipja në gjermanisht. Por edhe ishte diçka personale: Me fitimin (befasuese) të çmimit për përkthimin më të mirë, më vërtetoi një institucion shqiptar, që shqipja ime ka një standard të lartë. Dhe si dikë, që ka lindur dhe është rritur jashtë trojeve shqiptare, kjo është shumë domethënëse dhe më nderon mua.
Si pjesë e konkursit, ju u morët me përkthimin e materialeve nga udhërrëfyesit e qyteteve tona. Cilin qytet patët në dorë për të përkthyer dhe sa ju ndihmoi formimi juaj si historian dhe gjeograf për t’i dhënë jetë atij teksti në gjuhën gjermane?
Unë e zgjodha Beratin, sepse është qyteti më i afërt me Ohrin, me të cilin edhe përngjan më tepër – sidomos nga ana e arkitekturës. Historinë e Beratit – Antipatrea e lashtë, pushtimi bullgar, Onufri, qendër administrative osmane –, dhe gjeografinë e Beratit – Osumi, Tomorri, Skrapari, Myzeqeja –, të gjithë këta aspekte i kisha ndër mend, kur përktheja tekstin. U mundova t’i jepja jetë tekstit duke zgjedhur termat më të sakta në gjuhën gjermane për ta përshkruar thelbin e çdo aspektit.
Ju jeni shumë i angazhuar në projekte arsimore dhe në komunikimin ndërkulturor në Zvicër. Si do t’ju ndihmojë kontrata e re me QBD-në për përkthimin e plotë të materialeve të projektit “Jam Shqiptar” në misionin tuaj për të afruar komunitetin shqiptar me atë zviceran?
Të them të drejtën, këtë ende nuk e di. Por e kam ndër mend që disa javë, ta bëj këtë lidhje ndërmjet këtyre dy komuniteteve më të fortë. Shqiptarët dhe zvicerianët i lidh historia që nga mesjeta dhe kanë pasur me shekuj komunikim dhe shkëmbim. Aty shpresoj që ta lidh edhe projektin e rëndësishëm të QBD-së.
Në të ardhmen tuaj profesionale, a do të vazhdojë përkthimi të mbetet një urë paralele me karrierën tuaj si pedagog dhe historian? Çfarë mbetet synimi juaj kryesor akademik pas përfundimit të Masterit?
Po. Unë edhe gjuhën e kam pasion. Dhe ajo do mbesë pasion. Sepse sidomos në shkrim, mund t’i arrij kërkesat e mija rreth saktësisë në komunikim ose përçuarjen e mesazhit nga njëri tek tjetri.
Masterin tani e përfundova, por e pres ende përgjigjen nga mbikëqyrësi për tezën e masterit. Në vazhdim, do mundohem të gjej një vend në Zvicër për të bërë doktoraturën në shkencat historike. Nuk është e lehtë, por pas vështirësirave gjithmonë vijnë lehtësirat. Synimi im kryesor akademik do mbesin pyetjet: Si vazhdoi ideja e Rilindjes pas 1912-ës në Jugosllavi? Si u larguan dhe u afruan prap shqiptarët si komb nga njëri-tjetri në këta 100 vitet e fundit? Si do mund të ndërtojnë shqiptarët, serbët, grekët, maqedonasit, malazezët, turqit dhe italjanët një të ardhme të përbashkët më të mirë, më tolerante, më demokratike, më solidare dhe më dashamirëse dhe më të mirëkuptueshme? Dhe si mund t’i ndihmojë historia në këtë udhëtim? Sepse paraardhësit tonë në kohën e Bizantit dhe në periudhën osmane kanë jetuar pak a shumë qetë, me paqe dhe me simbiozë me njëri-tjetrin. Ka qenë e mundur domethënë! A do të mund të kthehemi në atë gjendje duke ruajtur në të njëjtën kohë kombet, gjuhët, fetë dhe demokracitë tona? Dhe çfarë mund të kontribuojnë mërgatat në këtë çështje?



