Në Universitetin Europian të Tiranës u promovua libri i shkrimtarit dhe poetit shqiptaro-amerikan Adnan Mehmeti, një vepër ku udhëtimi shndërrohet nga përvojë personale në mënyrë për të lexuar botën, njerëzit dhe kulturat.
Një udhëtim përmes vendeve, njerëzve, kujtimeve dhe kulturave u bë tema qendrore e promovimit të librit “Simfonia e udhëtimeve” të shkrimtarit, poetit dhe publicistit shqiptaro-amerikan Adnan Mehmeti, zhvilluar më 4 shtator në Universitetin Europian të Tiranës.
Autori, i cili kishte ardhur posaçërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u takua në Tiranë me shkrimtarë, studiues, pedagogë, botues, lexues dhe miq, në një veprimtari që e vendosi librin në qendër të një bashkëbisedimi mbi letërsinë, udhëtimin dhe përvojën njerëzore.
“Simfonia e udhëtimeve”, botuar nga UET Press, është një udhëpërshkrim që përshkon hapësira të shumta të Shteteve të Bashkuara, por edhe Kanadanë, Meksikën dhe vende të tjera. Libri është botuar fillimisht në vitin 2021 dhe numëron rreth 230 faqe.
Por udhëtimi i Mehmetit nuk është vetëm gjeografik. Në faqet e librit bashkohen peizazhet, qytetet, njerëzit, takimet, kujtimet dhe reflektimet e autorit. Rrugët, aeroportet, hotelet, plazhet, malet dhe qytetet bëhen pjesë e një rrëfimi ku bota e jashtme ndërthuret vazhdimisht me botën e brendshme të autorit.
Një libër mes udhëtimit, kujtesës dhe identitetit
Veprimtarinë e hapi Suadela Balliu, drejtore e Botimeve UETPRESS, e cila edhe moderoi takimin. Ajo vlerësoi botimin e ri dhe praninë e autorit në Tiranë.
I pranishëm themeluesi i UETPRESS Henri Çili u ndal te rëndësia e veprave që ndërthurin vlerën dokumentare me atë estetike dhe letrare. Ai solli në vëmendje edhe kontributin e UETPRESS në promovimin e autorëve dhe letërsisë shqiptare, ndërsa prezantoi një album me 100 piktura të Ismail Kadaresë dhe foli për përgatitjet për 25-vjetorin e shtëpisë botuese.
Një nga vlerësimet kryesore për librin erdhi nga dr. Mujë Buçpapaj, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, i cili e konsideroi “Simfoninë e udhëtimeve” një kontribut të ri në traditën shqiptare të udhëpërshkrimit.
Sipas Buçpapajt, vepra ka një natyrë të ndërthurur, ku udhëpërshkrimi bashkohet me esenë, ditarin, kujtesën, publicistikën kulturore dhe reflektimin historik.
Në këtë këndvështrim, udhëtimi i Mehmetit nuk mbetet thjesht përshkrim i vendeve. Ai shndërrohet në një mënyrë për të reflektuar mbi kujtesën, historinë, kulturën dhe identitetin.
“Njeriu niset për të parë botën, por gjatë rrugës zbulon veten”, ishte një nga idetë qendrore të interpretimit të Buçpapajt, i cili e lexoi udhëtimin si një metaforë të vetë ekzistencës njerëzore.
Drejtuesja e Gazeta “Diaspora Shqiptare” Yllka Lezo u ndal te përvoja e udhëtimit në librin “Simfonia e udhëtimeve”, duke e parë veprën përmes këndvështrimit të emigrimit dhe marrëdhënies së shqiptarit me vendin e huaj.
Ajo e përkufizoi udhëtimin e Adnan Mehmetit jo thjesht si lëvizje nga një vend në tjetrin, por si një përpjekje për të njohur njerëzit, kulturat, historinë dhe shoqëritë me të cilat ai është përballur gjatë viteve.
Sipas Lezos, libri është edhe një dëshmi e mënyrës se si përvojat e emigrimit, takimet dhe udhëtimet, që dikur ishin vetëm momente të jetuara, mund të shndërrohen përmes shkrimit në kujtesë të përbashkët.
Në këtë kuptim, “Simfonia e udhëtimeve” është një libër për atë që njeriu merr me vete kur largohet, por edhe për atë që mbledh gjatë rrugës: kujtime, njerëz, kultura dhe përvoja, të cilat me kalimin e kohës bëhen pjesë e identitetit të tij.
Studiuesja e letërsisë Emi Krosi u ndal te gjuha, stili, pasuria e fjalorit dhe fuqia përshkruese e autorit, duke vënë në dukje mënyrën se si vendet dhe personazhet shoqërohen me reflektime më të gjera mbi jetën dhe kulturën.
Një përvojë shqiptaro-amerikane
Pikërisht përvoja e autorit mes dy hapësirave kulturore i jep librit edhe një tjetër dimension.
Adnan Mehmeti, i cili prej vitesh jeton dhe krijon në Shtetet e Bashkuara, e sheh botën edhe përmes përvojës së emigrimit dhe diasporës. Për këtë arsye, udhëtimi në librin e tij nuk është vetëm largimi nga një vend drejt një tjetri, por edhe përballja me kulturat, gjuhët dhe mënyrat e ndryshme të të jetuarit.
Mehmeti e ka përshkruar “Simfoninë e udhëtimeve” si një udhëtim të gjatë në jetën e tij, të nisur nga Evropa, vijuar në trojet shqiptare dhe më pas në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Meksikë dhe Karaibe.
Për të, udhëtimi është një mënyrë për t’u afruar me botën, por edhe për t’ia përcjellë lexuesit emocionet e përjetuara gjatë rrugës.




