Nga emigracioni 20 vite më parë te një akademi e suksesshme bukurie në Paleo Faliro – historia e Kristina Bitës, shqiptare e përzgjedhur nga gazeta greke “Espresso”.
Kristina Bita është shqiptarja që prej dy dekadash jeton në Greqi, ku ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në industrinë e bukurisë dhe të estetikës. Historia e saj është bërë pjesë e rubrikës “Το Κορίτσι της Σελίδας 3” të gazetës greke Espresso.
Bita është trajnuese në fushën e makijazhit gjysmë të përhershëm të vetullave dhe drejton qendrën e bukurisë dhe akademinë iFacebyChristina Academy, në Paleo Faliro. Përveç aktivitetit profesional, ajo ka investuar vazhdimisht në formimin e saj, duke ndjekur studime në IEK dhe një sërë kursesh e specializimesh në Greqi dhe jashtë saj, në fushën e tatuazhit dhe estetikës.
Rezultati i këtij angazhimi është një koleksion prej 31 diplomash dhe certifikimesh, të cilat, siç tregon vetë ajo në intervistën për Espresso, i ka të ekspozuara në ambientet e saj profesionale.
Por pas suksesit profesional qëndron edhe një histori e fortë personale. Kristina Bita jeton prej 20 vitesh në Greqi dhe shprehet se nuk do ta ndërronte vendin ku ka ndërtuar jetën e saj me asnjë vend tjetër.
Në qendër të objektivave të saj nuk është vetëm karriera. Ajo thotë se dëshiron të kujdeset për veten, të jetë e lumtur dhe e shëndetshme, ndërsa një prej prioriteteve të saj kryesore është të jetë pranë djalit të saj 17-vjeçar. Në aspektin profesional, ajo vendos çdo vit një objektiv të ri dhe më ambicioz.
“Survivor” është një prej programeve televizive që i është propozuar të marrë pjesë, por Bita ka zgjedhur të mos e ndjekë këtë rrugë. Sipas saj, angazhimet si drejtuese e një akademie dhe si nënë që punon e bëjnë të vështirë pjesëmarrjen në një reality show.
Edhe rrjetet sociale kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e aktivitetit të saj. Kristina tregon se gjithçka nisi gjatë periudhës së karantinës, kur rrjetet sociale u kthyen në një mënyrë komunikimi dhe aktiviteti. Më pas, numri i ndjekësve bëri që kompani, televizione dhe gazetarë të interesoheshin për të. Megjithatë, ajo nuk e konsideron veten influencuese.
“Rrjetet sociale janë pjesë e punës sime”, është në thelb mënyra se si ajo e përshkruan marrëdhënien me to, duke theksuar se profesioni i saj mbetet estetika dhe trajnimi profesional.
Sot, pas një dekade të kaluar mes festivaleve dhe eventeve techno në vende të ndryshme të botës, preferencat e saj kanë ndryshuar. Në intervistën për Espresso, ajo thotë se idealja për të tashmë do të ishte një mal ose një ishull, në kontakt me natyrën dhe larg njerëzve.







